Shtimi i shkëmbimeve tregtare, rritja e investimeve dhe fuqizimi i bashkëpunimit ekonomik në sektorë prioritarë nga turizmi në logjistikë, apo nga ndërtimi në inovacion, ishin në fokus të ‘Forumit të biznesit Shqipëri-Turqi’ që mblodhi qindra sipërmarrës turke e shqiptare në Tiranë.

“Ejani të punojmë bashkë për suksesin , ta rrokim atë dhe ta shijojmë së bashku. Me taksa të ulta, me energji të gjelbër me turizëm në rritje dhe teknologji që zhvillohet çdo ditë, e me një treg që pret krahëhapur sipërmarrjen turke ”, u shpreh Rama.

Përmes një videomesazhi kryeministri Edi Rama, shprehu objektivin e ri për marrëdhëniet ekonomike me Turqinë.

“Objektivi është që të ri-dyfishojmë shkëmbimet tregtare dhe nesër të ndërtojmë një autostradë suksesi midis Bosforit dhe Adriatikut sepse kjo marrëdhënie nuk është vetëm ekonomi është udhëtim drejt të ardhmes. Ura që lidh Stambollin me Tiranën është më e fortë se kurrë. Një urë që bashkon dhe që e bën më të shpejtë dhe më të lehtë lidhjen e lindjes me perëndimin përmes korridorit të 8 dhe portit të ri të Durrësit”, tha Rama.

Për forumin në Tiranë ishte Zëvendëspresidenti i Turqisë, Cevdet Yilmaz, i cili ftoi sipërmarrjen turke të shtojë prezencën në tregun shqiptar dhe të shfrytëzojë marrëdhëniet e mira politike të dy shteteve. Yilmaz tha se synimi afatshkurtër që tregtia dypalëshe të arrijë në 2 mld dollar në një kohë sa më të afërt.

“Synimi afatshkurtër që tregtia dypalëshe të arrijë në 2 mld dollar në një kohë sa më të afërt. Një nga shtyllat më të rëndësishme të bashkëpunimit ekonomik janë investimet jemi të kënaqur të vërejmë që Shqipëria ofron një mjedis të përshtatshëm për investitorët turq falë marrëdhënieve politike të shkëlqyera bizneset turke gjejnë kushte të favorshme ne Shqipëri. Nuk ka patur shumë projekte duke nisur nga 2021 deri më sot por shpresoj që të përmirësohet”, tha zëvendëspresidenti turk.

Kurse ministrja e Ekonomisë foli me shifra për investimet turke në vend.

“Turqia është vendi i parë për fluksin e investimeve për gjashtëmujorin e parë, duke kontribuar me afërsisht 89 milionë euro. Stoku i investimeve turke është 1.3 miliardë euro duke e pozicionuar Turqinë si investitori i pestë më të madh në Shqipëri”, tha Ibrahimaj.

Në Shqipëri janë 578 biznese me pronësi turke dhe 80 sipërmarrje të përbashkëta, kryesisht në sektorin e ndërtimit, energjisë, prodhimit, turizmit dhe sektori bankar.

Turqia është partneri i tretë tregtar më i rëndësishëm i Shqipërisë sa i takon tregtisë. Vitin e shkuar kemi blerë nga Turqia mallra me vlerë 966 milionë euro, dhe i kemi shitur produkte me vlerë 48 milionë euro, ndërsa këtë vit importi është në vlerën 567 milionë euro ndërsa eksportet 41 milionë euro.