Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Policia në Shqipëri është treguar shumë profesionale gjatë përballjes më protestuesit e dhunshëm.

Rama tha se qëllimi ka qenë që të mos dëmtohet askush, pasi sipas tij, edhe ata që dalin me kapuç në protestë, janë fëmijë të këtij vendi.

Shefi i Qeverisë u bëri thirrje atyre që janë kundër dhunës që të mos dalin nëpër protesta, pasi sipas tij, policia hyn mes turmës jo për të bërë balet, por për të goditur protestuesit e dhunshëm që e sulmojnë.

Një kritikë Rama e kishte edhe për ekranet e disa mediave në Shqipëri, për të cilat tha se mbështesin dhunën. Për protestuesit e dhunshëm, kryeministri theksoi se në Itali përdoret shprehja ‘vandalët e vegjël’, ndërsa në Shqipëri i kthejnë në heronj.

“Edhe ata që janë me kapuç, janë fëmijët e këtij vendi. Janë të verbër, të manipuluar, të braktisur, por janë fëmijët e këtij vendi. Dhe është e frikshme të shohësh sesi nëpër ekrane njerëz që marrin përsipër të përfaqësojnë opinionin publik akuzojnë Policinë e Shtetit për dhunë disproporcionale. Në Francë raporti është 1 me 2.5. Pra një polic i plagosur, 2.5 qytetarë të lënduar. Në Itali 1 me 2. Në protestat e tjera, në Spanjë përshembull, raporti ka shkuar edhe 1 me 4 apo 1 me 6. Në Shqipëri raporti është i përmbysur. Në tre të lënduar, dy janë polic. Policia nuk futet në turmë për të bërë balet, por për të goditur ata që e godasin. Prandaj ata që janë kundër dhunës, të distancohen nga këto tubime. Pjesëmarrja në tubim i mbuluar, do të jetë në konflikt me ligjin. E gjithë Europa demokratike është nën këtë sulm. Tani ne i kemi edhe shembujt. Kemi pritur t’i bëjnë ata më parë, që të mos thoshin po shtrëngojnë liritë demokratike”, tha mes të tjerash Rama.


Lajmi kryesor:

Sulmet e protestuesve ndaj bankave, Rama: S'ka ndodhur as në 1997-ën, të orkestruara nga forca të huaja që duan destabilizimin e Europës! Sejko: Llogaritë dhe kursimet janë të sigurta (VIDEO)