Rama 'thyen' heshtjen: Kryetaren e Autoritetit të Dosjeve e propozoi vetë Meta! Nuk e kam takuar, as kontaktuar edhe pas historisë së shpifur të politikanit I.M

Rama 'thyen' heshtjen: Kryetaren e Autoritetit të Dosjeve e propozoi vetë Meta! Nuk e kam takuar, as kontaktuar edhe pas historisë së shpifur të politikanit I.M

1659199233_Screenshot1.jpg

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur të gjitha deklarateve publike të Ilir Metës për kryetaren e Autoritetit të Dosjeve pasi rezultoi si bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit. Rama i kujton se nuk është takuar asnjëherë me Genta Sulën dhe ka qenë vetëm Ilir Meta që në kohën kur PS-LSI ishin në koalicion, i sugjeroi që ta vendoste në postin që mban ende në ditët e sotme. Rama thotë se e ka takuar vetëm në aktivitete publike dhe pas publikimit të të dhënave të Autoritetit të Dosjeve, nuk e ka kontaktuar, por është informuar thjesht nga shkresa zyrtare.

“Kështu thotë Autoriteti i Informimit mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, në krye të të cilit qëndron sot e gjithë ditën zonja Genta Sula. Emrin e zonjës Sula e kam dëgjuar për herë të parë pikërisht nga ish-kryetari i ish-LSI. Si bashkëkryetar asokohe i koalicionit PS-LSI, ai më pyet një ditë: "E njeh këtë Genta Sulën?". "Jo!". "Aaa, duhet ta njohësh! Genta është grua e rrallë, me integritet, e mençur, e zonja shumë, ta çojmë zv.ministre atje tek Veliaj?". "Patjetër!". Dhe më vonë, kur duhej zgjedhur drejtuesi i Autoritetit të sapokrijuar të Dosjeve: "Ore ça opinioni ke krijuar për atë Genta Sulën?". "Dëgjoj fjalë të mira, nuk e njoh nga afër!". "Bëhen kto emërimet tek Autoriteti i Dosjeve, ta çojmë Gentën atje se këta të përndjekurit e ke parasysh... Nuk mbushin mirë!". "Dakord!". "Le të merret Baba Taku me Gentën e me ato punë e ke parasysh?!..". Kështu, me propozim të atij vetë dhe falë një CV-je realisht serioze, Genta Sula u bë kryetare e Autoritetit me votën e shumicës parlamentare të kohës.

Gjatë gjithë viteve të saj në detyrë, e kam takuar vetëm në aktivitetet publike të Autoritetit, të cilat po, e vërtetë, kanë qenë absolutisht mbresëlënëse. Gjithashtu ka qenë shumë serioze dhe e vlerësuar edhe ndërkombëtarisht, puna aspak e lehtë e Autoritetit me trashëgiminë dyfish të tmerrshme të dosjeve. E para, sepse e tmerrshme ishte praktika mizore e Sigurimit të Shtetit komunist dhe e dyta, sepse e tmerrshme ishte barbaria postkomuniste mbi dosjet, ku u futën egërsisht duart e mëkatarëve të kthyer në heronj të demokracisë.

Sa për dijeni, edhe pas kësaj historisë së shpifur të politikanit me iniciale I.M, as nuk jam takuar as nuk kam folur me zonjën Sula. Thjesht jam informuar nga shkresa zyrtare e Autoritetit mbi Ilir Metën apo Metajn. Kush më njeh dhe e di se si punoj, as që çuditet fare me sa po them. Kush s'më njeh apo më njeh krejt ndryshe, përmes miteve të rreme mediatike mbi regjimin dhe autokratin që kontrollon gjithçka, as që mund ta besojë sa thashë për marrëdhënien time me Autoritetin e Dosjeve dhe me kryetaren e tij. Po ka kohë që s'më intereson mbushjemendja e atyre që janë të udhëhequr nga ligësia e të verbuar nga urrejtja. Ky që thashë është thjesht fakt”, shkroi Rama.


Lajmi kryesor:

Ish-presidenti spiun i Sigurimit? Rama: Ilir Meta apo Metaj po shantazhon Autoritetin e Dosjeve, ndryshimi i ligjit i hap rrugë hetimit të plotë


  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja