Rama toleron përsëri Bashën:
Të ulemi prapë në bisedime

Rama toleron përsëri Bashën:<br />Të ulemi prapë në bisedime
Edi Rama nuk u habit aspak nga refuzimi që PD i bëri formulës amerikane për zhbllokimin e ngërçit në reformën në drejtësi. Me gjithë mesazhin bllokues që mori nga opozita, Edi Rama doli në një konferencë për shtyp për ta ftuar edhe një herë rivalin e tij Lulzim Basha në tryezën e dialogut.

Ftesa 
Refuzimi i sotëm për Edi Ramën është një provë, por sipas tij më ulëritëse janë faktet. “Në këtë 1 vit e gjysmë përpjekje për reformën, PD është gati ta sakrifikojë popullin dhe të ardhmen Europiane të Shqipërisë për të mbrojtur të akuzuarit e vet nga një drejtësi e reformuar dhe e gatshme të përballet me kancerin e korrupsionit, në nivelet më të larta. Megjithatë ka akoma kohë, ka akoma mundësi, shpresa vdes e fundit.

Ka akoma shpresë që në PD nuk ka vdekur çdo frymë arsyetimi”-tha Rama. Për kryeministrin dera e hapur është shans për dialog si dy drejtues të përgjegjshëm partish politike. “Unë i bëj thirrje publikisht Lulzim Bashës, të mos udhëhiqet nga frika, por ta udhëheqë Partinë Demokratike drejt interesit të madh kombëtar, që lidhet me këtë reformë historike, shtetbërëse dhe integruese njëkohësisht. Unë e ftoj Lulzim Bashën të ulemi përsëri, të flasim si dy shqiptarë që sot janë në krye të partive, por nesër do të jenë njësoj si 4.4 milionë shqiptarë apo po të doni, 10 milionë shqiptarët e zakonshëm që janë apo s’janë shtetas të Shqipërisë, e duan dhe e meritojnë Shqipërinë europiane, shtet të së drejtës së garantuar nga një drejtësi e drejtë dhe po ashtu e duan dhe e meritojnë për fëmijët e tyre një vend të integruar në BE, në familjen e bashkuar të popujve të Europës”,-tha Rama. Por kryeministri u bëri thirrje edhe demokratëve të thjeshtë, të mos lejojnë lidershipin e tyre të udhëhiqet nga frika. “Unë u bëj apel gjithë demokratëve nga selia qendrore deri në çdo qelizë të PD, që të bëjnë diçka për të mos lejuar që e ardhmja e Shqipërisë të refuzohet nga frika e drejtësisë dhe Shqipëria të kthehet në një vend, ku frika e të korruptuarve të marrë pushtetin në këtë udhëkryq dhe të sundojë udhëkryqin, duke i hapur prapë një hendek të së shkuarës, mes nesh dhe familjes evropiane”- u shpreh Edi Rama.​

Refuzimi 
Rama nuk u ndje i papritur nga rekomandimi i PD-së, por e konsideroi atë si një qëndrim bllokues dhe konfirmues se opozita nuk e do reformën në drejtësi. “Me keqardhje dua t’ju them se nuk më vjen i papritur, refuzimi që Partia Demokratike i bëri sot, propozimit më të fundit për kompromis mbi draftin e Reformës në Drejtësi. Propozim që këtë radhë, siç e dini, e bëri në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, Ndihmës Sekretarja e Shtetit, Viktoria Nuland. Nuk më vjen i papritur ky refuzim i radhës, sepse përgjatë një viti e gjysmë të procesit të hartimi të draftit të Reformës në Drejtësi, Partia Demokratike i ka dhënë me të gjitha mënyrat sinjalet që nuk e do Reformën në Drejtësi”-tha Rama.

Kryeministri u shpreh se PD e ka bojkotuar procesin, për një kohë të gjatë e më pas është tallur me partnerët strategjikë të Shqipërisë. “Duke nxjerrë një kundërpropozim, që në fakt nxjerr në pah të vërtetën e fshehur për një vit e gjysmë: Partia Demokratike nuk e ka pasur hallin tek vendet e rezervuara, por ka rezerva për besueshmërinë, profesionalizmin, integritetin e partnerëve strategjikë të Shqipërisë. Nuk i do partnerët strategjikë të Shqipërisë apo të huajt nëpër këmbë. Sepse, i friket pikërisht paanshmërisë, profesionalizmit dhe besnikërisë së tyre ndaj ligjshmërisë në procesin e skanimit të pasurive, vendimmarrjeve dhe aftësive të gjykatësve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë. Po tani, çfarë do të thonë? Mos do t’ju thonë që halli është bërë edhe më i madh, se Amerika dhe Europa do kapin drejtësinë e pavarur shqiptare. Apo do t’ju thonë që ne e duam shumë Amerikën, edhe Europën e duam shumë, por duam më shumë Shqipërinë sovrane, që nuk pranon përzierjen e të huajve në punët e veta të brendshme. Ta dëgjojmë çfarë do t’ju thonë,”-tha Rama.

Ndërkombëtarët
Kryeministri Rama përdori si argument për të rrëzuar alibinë e PD-së për ndërkombëtarët, disa raste kur vet kjo parti ka kërkuar nga parlamenti hetim ndërkombëtar për disa çështje të rëndësishme. Logjikë kjo që rrëzon pretendimin e tanishëm të opozitës kundër ndërkombëtarëve në procesin e vetingut. “Por shpresoj dhe besoj që ju nuk e keni harruar se sa herë ka ndodhur që në Kuvendin e Shqipërisë, Partia Demokratike të kërkojë hetime ndërkombëtare, prokurorë ndërkombëtarë, madje dhe vetë Byronë Federale të Hetimit, FBI-në, që të vijnë këtu, të marrin në dorë situatën, të zbardhin histori korrupsioni apo skandale të sajuara nga ata vetë. Ju nuk e keni harruar, besoj, sa herë kanë kërkuar edhe votim në Kuvend, që Kuvendi i Shqipërisë të miratonte, - a thua se Amerika s’ka sovranitet, - përfshirjen e hetuesve amerikanë në hetime për çështje të veçanta të drejtësisë shqiptare, deri aty, duke i detyruar partnerët tanë të dalin dhe të thonë: “Ne nuk përfshihemi drejtpërdrejtë në hetimet e një vendi tjetër, por jemi të gatshëm t’ju mbështesim në reformimin e drejtësisë shqiptare.” Një mbështetje e tillë e SHBA, e BE, një vëmendje e tillë, e partnerëve tanë strategjikë mbi Shqipërinë, në një kohë që bota e trazuar ka 1001 halle të tjera, flet më shumë se çdo fjalë dhe koment”-tha kryeministri Rama.

Sovraniteti 
Për kreun e qeverisë, argumenti i cenimit të sovranitet nuk qëndron. “Ndërsa tani që partnerët tanë janë të gatshëm të na ndihmojnë seriozisht, jo duke i bërë ata hetimet, por duke mbështetur me një mekanizëm të strukturuar operacionin e kancerit në sistemin e drejtësisë dhe duke na ndihmuar që të flakim më në fund pas 20 e kusur vitesh jashtë sistemit, gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, - Partia Demokratike na u kujtua për sovranitetin dhe kërkon të vërë kufirin te thana Amerikës dhe Europës”-tha Rama. Ai shtoi se të gjitha Reformat në Drejtësi të vendeve që më pas u anëtarësuan në BE janë bërë në bashkëpunim me BE dhe SHBA. “Nuk ka aplikuar BE të integrohet në Shqipëri, por Shqipëria të integrohet në BE. Nuk ka vend të BE që të pretendojë sovranitet mbi mënyrën si i kupton dhe si i zbaton normat dhe standardet e Familjes Europiane. Nuk ka! Në emër të sovranitetit britanikët e morën veten në qafë. Nëse në emër të sovranitetit ky refuzim është një ftesë, që ta marrim dhe ne veten në qafë. Kjo është një ftesë që asnjë shqiptar, socialist, demokratik, pa parti, në Shqipëri, jashtë Shqipërisë nuk mund ta pranojë. Një drejtësi që ndëshkon të korruptuarit i hap këtij populli rrugën e anëtarësimit në BE. Ndërsa frika e të korruptuarve nga drejtësia e ndëshkon këtë popull, keqazi, duke e lënë jashtë BE dhe në duart e kasapëve të sistemit të sotëm të drejtësisë”,-u shpreh kryeministri

Deklarata e plotë e kryeministrit Edi Rama

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Vranësira e reshje shiu, parashikimi i motit për sot

Vranësira e reshje shiu, parashikimi i motit për sot