Rama: Transparencë të plotë
publike mbi pronat në bregdet

Rama: Transparencë të plotë<br />publike mbi pronat në bregdet
DELVINË – Kryetari i PS-së, Edi Rama, u ka premtuar sot, qytetarëve të Delvinës dhe të gjithë qarkut të Vlorës, se do ta nisë punën duke bërë transparencën më të plotë publike që ka ndodhur në pronat e bregdetit.

“Ne do të bëjmë transparencën më të plotë publike për gjithë ç'ka ndodhur me pronat e bregut”, - tha ai. – “me pronat e shqiptarëve, me ato prona të të parëve të tyre dhe me ato prona të përbashkëta tonat, nga ta cilat nuk mund të lejojmë që të përfitojnë një grusht grabitqarësh, por duhet të krijojmë kushtet që të përfitojë i gjithë populli shqiptar.” 

Ai e ka nisur sot fjalën e tij pikërisht me atë që e ka quajtur si “kryefjalën” e shqetësimeve  të qytetarëve, të drejtën e pronës. “Po e nis nga e drejta e pronës”, - tha kryesocialisti, - “nga e drejta për të mos u grabitur në pronën tënde dhe nga e drejta për të mos i parë pronat e përbashkëta të grabiten, nga ata të cilët pushtetin e përdorin jo për të pasuruar shqiptarët, por për t’u pasuruar vetë duke varfëruar shqiptarët. Ne e çmojmë shumë fatin e madh që kemi lindur në një vend kaq të bukur dhe kaq të begatë, një vend të cilit Zoti apo natyra i fali gjithçka, i duhet, që ky popull të jetojë në paqe, të jetojë në harmoni dhe të jetojë në mirëqenie. Një nga bukuritë dhe pasuritë më të mëdha të këtij vendi është pikërisht bregdeti i Jonit.

Një nga burimet më të mëdha të mirëqenies për këtë popull është kjo vijë bregdetare dhe e gjithë kjo zonë pranë kësaj vije bregdetare, që fatkeqësisht, sot është nën kërcënimin e shkatërrimit dhe nën grabitjen e vazhdueshme të atyre, që po i lënë pa të drejta mbi pronat, trashëgimtarët e gjithë këtyre zonave dhe po kthehen në latifondistë tokash me dhjetëra e me qindra hektarë, ndërkohë që nuk kanë asnjë lidhje tjetër me këtë zonë përveç lidhjes që e krijojnë nëpërmjet labirinte të korrupsionit kriminal me pronat e shqiptarëve.

RAMA: JA SE ÇFARË DO TË BËJMË NE

“Ne nuk e pranojmë dot një realitet ku më pak se 5% e njerëzve në këtë vend zotërojnë sot më shumë se gjysmën e pasurive të kësaj toke”, - tha ai, - “e prandaj, ne jemi vendosur, vendosshmërisht, në krah të 95% të shqiptarëve për të cilët ne do të ulim taksat. Unë nuk e di se me kë parti janë ata që zotërojnë këto dyqane, këto dyqane janë biznesi i vogël i Delvinës. Por, unë di të them një gjë që secili prej tyre në 23 qershor ka një zgjedhje shumë të qartë. Nëse voton Saliun do të vazhdojë të paguajë taksën për biznesin e vogël, do të vazhdojë të paguajë taksën e sheshtë 10% mbi biznesin e vogël dhe TVSH-në 20 %. Tani ju që i keni gjithë këto dyqane rreth e rrotull çfarë do bëni? Do shkoni të votoni për të mbajtur në punë Saliun dhe për të ngelur pa punë vetë apo do shkoni që të pushoni nga puna Saliun që të vazhdoni të jetoni të vetëpunësuar me biznesin tuaj të vogël dhe t’i jepni mundësinë edhe të tjerëve që të vetëpunësohen. Kjo është zgjedhja!"

“RROGËTARET MERREN ZVARRË KUR VJEN GJYSHI ME ANTIPLUMB E 200 ROJE”

Më tej, kreu i PS-së, shtoi: “Ashtu si kudo edhe në Delvinë, edhe në Sarandë si në gjithë qarkun e Vlorës ka mësuese dhe mësues, ka policë, infermiere, mjekë, ka rrogëtarë që merren zvarrë për të mbushur sheshet kur vjen gjyshi me antiplumb për të treguar përralla bashkë me 200 rojet e tij. Të gjithë atyre unë u them se në 23 Qershor kanë një mundësi të madhe që me një votë të kenë në dorë gurin që vret dy zogj, edhe të ulin taksën e tyre duke shpëtuar nga taksa e sheshtë dhe duke hyrë në sistemin e taksimit të ndershëm edhe të heqin qafe njëherë e mirë zgjedhën e pushtetit që i merr si robër dhe i nxjerr nëpër mitingje.

Kurrë më një mësues, kurrë më një nëpunës, kurrë më një infermiere, kurrë më një mjek nuk do të merren me lista për të mbushur sheshet e partive, por do t’i shërbejnë popullit shqiptar dhe të shkojnë me kë parti të duan e të marrin pjesë në çdo miting që duan.”

Ne nuk vijmë para shqiptarëve për të treguar përralla. Kush do përralla i mjafton të shtypë një sustë të telekomandës, ta gjejë gjyshin atje në ekran dhe të dëgjojë përralla gjithë ditën. Nga ato përralla Shqipëria vetëm humb kohë. Nga ato përralla fitojnë vetëm ata të cilët flasin gjithë ditën për ju, po punojnë ditë natë vetëm për vete. Nga ato përralla humbet Shqipëria, humbet Delvina, humbet Saranda, humbet Vlora, por mbi të gjitha humbasin gjeneratat që vijnë. Ato përralla duhet të mbarojnë, shqiptarët meritojnë një qeveri që të thotë çfarë do bëjë dhe të bëjë atë që thotë. Ato përralla duhet të mbarojnë, sepse shqiptarët kanë 20 e kusur vjet që janë të varfër, janë të papunë dhe mbi të gjitha janë dhe të pashpresë. Ka plot njerëz që thonë po për çfarë të shkoj të votojë unë, s’ia vlen, është e njëjta gjë. Vota miqtë e mi ka dy fuqi.
 
E para, vota ka fuqinë e ndryshimit dhe çdo njeri ka detyrën që kur i jepet kjo mundësi e madhe që ta jep liria dhe demokracia, ta përdorë fuqinë e ndëshkimit për ata që kanë qeverisur në emër të tij, po kanë bërë vetëm punët e tyre. Vota ka dhe fuqinë e ndryshimit, duke i dhënë mundësinë palës tjetër që të vihet në provë, dhe unë ju siguroj këtu në këtë shesh se duke na vënë në provë në 23 qershor, duke na dhënë mandatin që të qeverisim këtë vend nuk do të zhgënjeheni dhe ne nuk do t’ju tradhtojmë kurrë. Ne duhet ta kthejmë Shqipërinë në punë dhe ne do ta kthejmë Shqipërinë në punë!

Një gjyshe aty, po thoshte qëparë kur erdha “aman mos e zgjat me programin, një pikë të ketë programi na e hiq këtë Saliun nga televizori”. I tërboi ky me gjyshër e me kalamaj. Nuk ka gjyshja faj! Ndaj ju votuesit e parë votoni që të shpëtoni dhe gjyshet tuaja nga ai gjyshi me antiplumb”, - përfundoi ai.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Nuk asgjësuan 1000 rrënjë hashashi në Shalë, pezullohen nga detyra 6 nënkomisarë dhe inspektorë të Policisë! AMP ekzekuton vendimin (EMRAT)

Shkodër/ Nuk asgjësuan 1000 rrënjë hashashi në Shalë, pezullohen nga detyra 6 nënkomisarë dhe inspektorë të Policisë! AMP ekzekuton vendimin (EMRAT)