Rama ultimatum koordinatorëve të
PS: Në janar zgjidhni krerët në degë

Rama ultimatum koordinatorëve të<br />PS: Në janar zgjidhni krerët në degë
TIRANE- Mbledhja e djeshme e koordinatorëve të PS-së me kryetarin Rama ka konkretizuar disa afate të reja për zhvillimin e punëve në parti. Ndryshe nga ç’ishte parashikuar nga Asambleja që procesi zgjedhor në bazë të përmbyllej në dhjetor, dhe në janar të mblidhej kongresi, vonesat kanë shtyrë afatet.

Kështu, procesi i zgjedhjes së kryetarëve të organizatave do të përmbyllet brenda muajit janar, teksa është lënë të punohet për përgatitjen e kushteve që brenda këtij muaji të mund të zgjidhen kryetarët e partisë për 61 degët e PS-së, që përbëjnë 61 bashkitë e vendit. Në ato bashki ku procesi i zgjedhjeve në organizata ka mbaruar, nuk mund të zhvillohen ende zgjedhjet për kryetar pasi procesi do të zhvillohet në një ditë të vetme për të gjitha bashkitë e vendit. Këto degë të partisë që kanë ecur me afatet, gjatë muajit janar do të punojnë me zgjedhjen e delegatëve për në Kongresin e  PS-së, mbledhja e të cilit është e pamundur në janar, dhe afati më i mundshëm është marsi.

Përcaktimin e numrit te delegateve do të bëhet sipas kritereve te përcaktuara ne asamble  në korrik të vitit të shkuar, sipas parimit 1 delegat për 100 anëtarë partie dhe do të respektohet kuota gjinore 50% gra, nismë kjo e paraqitur nga kryeministri Rama. Deputetët dhe kryebashkiakët nuk do të lejohen të garojnë për postin e drejtuesit të degës së bashkisë për Partinë Socialiste. Vendimi i asamblesë së PS-së i konsideron këto pozicione të papajtueshme, madje ka vendosur që kreu i PS-së të mos jetë i punësuar në pozicione drejtuese shtetërore, por të jetë një i punësuar i partisë, që do të paguhet me fondet  e kësaj të fundit.

Ky rregull përjashton nga e drejta e rizgjedhjes, një grup deputetësh dhe kryebashkiakësh që aktualisht po drejtojnë disa degë të rëndësishme të PS-së. Kështu, deputeti Namik Kopliku, i cili deri më tani drejton degën e  PS-së për Shkodrën, nuk do të jetë më pjesë e garës. Po ashtu edhe kolegu i tij i Qarkut të Dibrës, Ulsi Manja nuk do të mund të kërkojë një mandat tjetër për drejtimin e degës. Në garën për qytetin e Durrësit do të jetë i privuar kryetari aktual, deputeti Gentian Bejko. Dega e rrethinave të Tiranës, do të shkrihet, dhe bashkë me të edhe deputeti Pjerin Ndreu, nuk do të jetë pjesë e garës.

“I privuari” më i rëndësishëm duket se do të jetë Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili nuk do të mund të drejtojë degën më të madhe të PS-së, atë të kryeqytetit. Megjithëkëtë, ai ka një detyrë partiake më të rëndësishme, rolin e koordinatorit për rajonin Tiranë-Durrës. Në Kavajë nuk do të mundë të kandidojë deputeti Parid Cara, ndërsa në Lushnjë, deputeti Bujar Çela. Një tjetër deputet që nuk do të jetë pjesë e garës, është Ilir Xhakolli i cili aktualisht drejton degën e PS-së për Pogradecin. Në Librazhd kryetari aktual i degës së PS-së, Kastriot Gurra është zgjedhur kryebashkiak, dhe si i tillë nuk do të jetë pjesë e garës.

Kryebashkiakja tjetër që aktualisht drejton një degë të PS-së, është Luljeta Dollani. Ajo nuk do të garojë më për bashkinë e Gramshit si kryetare e degës së PS-së. Ndërkohë, individë me kontribute ndër vite në PS, apo të ardhur rishtaz dhe me ambicie, kanë filluar të lobojnë brenda anëtarësisë së njësisë. 

Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

SHBA/ Trump u ndaloi gazetarëve të ndjekin momentin kur ai votoi

SHBA/ Trump u ndaloi gazetarëve të ndjekin momentin kur ai votoi