Rama: Vizita e Barrosos në Gjykatën e Krimeve të Rënda, më shumë se simbolike

Kryeministri Edi Rama Foto ATSH (ARKIV)
TIRANË, 30 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ - Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë vizitës që zhvilloi me Presdentin e KE-së, Hoze Manuel Barroso në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, se mbështetjet e BE-së për ndërtimin e institucioneve kanë qenë të shumta, por fakti që Barroso vendosi të vizitojë këtë instituicion të ndërtuar me kontributet e BE-së, është më shumë se simbolik.
"BE përmes komisionit ka bërë në gjithë këto vite shumë për vendin tonë. Kontributet e drejtpërdrejta për ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve kanë qenë të shumta. Dhe dita që presidenti Barroso ka zgjedhur të vizitojë këtë institucion të ndërtuar me kontributet e KE, është më shumë se sa simbolik dhe lidhet me sfidën e jashtëzakonshme që kemi të gjithë së bashku për të kaluar nga një fazë e një drejtësie primitive në një fazë të drejtësisë evropiane", tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se duhet kaluar në një faze tjetër të drejtësisë. Nga një drejtësi primitive duhet kaluar në një fazë të re, drejt një drejtësie evropiane. Drejtësia sot është në një fazë ku na kritikojnë miqtë dhe partnerët tanë evropianë, tha Rama.
"Duam të kalojmë në një fazë ku drejtësia të jetë një sfidë e fituar. Shqipëria në këtë gjendje të sistemit të drejtësisë nuk mund të bëhet anëtare me të drejta të plota të BE. Ndaj ne duhet ta adresojmë jo si një reformë të koalicionit qeverisë, por si reformë e të gjithëve. Është një reformë e të gjithë aktorëve, ku pa praninë e të gjithëve nuk mund të funksionojë. Duhet të ndërmerren të gjithë hapat e domosdoshëm që të kalojmë në një fazë të re në sistemin e drejtësisë. Kjo reformë është një sfidë që ne do ta fitojmë së bashku falë ekspertizës së BE, misionit EURALIUS, dhe mekanizmave të tjerë që plotësojmë mozaikun e përpjekjeve për të realizuar këtë reformë", u shpreh Kryeministri Rama.
Duke risjellë në kujtëse vizitën në Gjermani dhe takimin me Kancelaren Merkel, Kryeministri Rama u shpreh se, "do të mbetet i paharrueshëm takimi me Kancelaren Merkel, kur Kancelarja gjatë takimit më tha, dakord Shqipëria mund të jetë kështu si thua ti, ne do ta mbështesim që Shqipëria të marrë statusin kandidat. Por dua të më shohësh në sy dhe të më thuash që me këtë sistem drejtësie, a mund të anëtarësohet Shqipëria në BE? Jo me këtë sistem drejtësie Shqipëria nuk mund të jetë anëtare me të drejta të plota në BE. Reforma në drejtësi është një reformë e shoqërisë, e të gjithë aktorëve dhe faktorëve, pa të cilët sistemi nuk mund të ndryshojë. Një reformë ku roli i aktorëve është i pazëvendësueshëm. Një reformë për të evidentuar problemet. Një reformë për të ndërrmarrë masat dhe për të kaluar në një fazë të re".
Rama u shpreh se duhet punuar shumë, "që drejtësia të mos jetë një pazar ku ai që ka para blen mallin dhe ai që nuk ka para kthehet në shtëpi duar bosh dhe që çekiçi i gjyqtarit të jetë instrumenti përmes të cilit populli kërkon drejtësi dhe merr drejtësi".
Kryeministri Rama ka falenderuar Presidentin e Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso, që zgjodhi të vizitojë këtë institucion. /a.ke/
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç