Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se vizita e tij në Prishtinë, në vigjiljen e Ditës Kombëtare të Pavarësisë së Kosovës, ishte shumë e veçantë, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit lidhur me prokurorinë e Hagës dhe pas votëbesimit të qeverisë së re të Kosovës.
Në rubrikën “Shënimet e Javës” në Podkastin “FLASIM”, Rama u shpreh se shkaku i vizitës ishte ftesa e profesor Ahmed Shalës në promovimin e librit të tij “Kur heshtja flet”, një vepër që, sipas tij, duhet lexuar për të kuptuar më thellë procesin në Hagë kundër udhëheqjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
"Shumë e veçantë ka qenë vizita e kësaj here në Prishtinë, në vigjiljen e ditës kombëtare të pavarësisë së Kosovës, pas bombës së prokurorëve të Hagës mbi Kosovën, si edhe po ashtu pas votëbesimit të qeverisë së re të Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Sebepi i kësaj vizite ishte ftesa e një miku të kahershëm dhe burri fisnik nga prishtina profesor Ahmed Shalës, në promovimin e librit të tij “Kur heshtja flet”, një libër që duhet lexuar për të mësuar më shumë dhe kuptuar më thellë mbi procesin në Hagë kundër udhëheqjes së UÇK-së.
Por takimet me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti ishin tejet pozitive, qoftë për nga këndvështrimi i harmonizimit të angazhimeve ndërkombëtare me Vjosën, qoftë për nga këndvështrimi i rritjes së bashkëpunimeve kombëtare me Albinin.
Qershia mbi tortë ishte bashkëbisedimi me studentët e Universitetit “Hasan Prishtina” dhe me nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”, të cilët i ftova me shumë kënaqësi në Tiranë për të vazhduar komunikimin tone të filluar më herët.
Ndërsa të nesërmen, më 17 të shkurtit, telefonata e përvitshme e urimit të pavarësisë që marr nga Haga ishte posaçërisht emocionuese këtë herë, pas asaj çmendurie të prokurorisë speciale. Por zëri i Komandantit nga burgu i padrejtësisë ndërkombëtare ishte realisht, sinqerisht, më i qetë se asnjëherë. Në fillim e në fund të bisedës, Hashimi më përsëriti fjalinë: “Unë e kam fituar përjetë lirinë dhe kudo të ndodhem, atë nuk ma merr dot kurrë, askush!",- tha Rama.
Lajmi kryesor:
Mbledhja e Bordit të Paqes në SHBA, Rama: Përcolla botërisht shqetësimin për maskaradën e Hagës ndaj 4 ish-liderëve të UÇK








