Ai shoqërohej edhe nga kandidatja për deputete në këtë qark, Mimi Kodheli. "Në program kemi ngritjen e një agjencie kombëtare të bregdetit, e cila do të ketë gjithë fuqinë institucionale për të trajtuar të gjithë problematikën e vijës bregdetare”, premtoi Rama.
Por papritur, erdhi një pyetje për 21 Janarin, nga një prej të burgosurve për këtë ngjarje, i pranishëm në takim. "Unë jam një nga ata që kanë bërë burg në 21 Janar. A do të ketë drejtësi për këtë ngjarje?", pyeti ai mbi një çështje, e cila nuk para është përmendur në fushatën e të dy palëve, e më pas erdhi dhe reagimi i kreut të opozitës.
21 JANARI, ATA QË VRANË PËRPARA DREJTËSISË
"Nuk do të ketë paqe në shpirtrat tanë, nuk do të ketë asnjë moment spostim vëmendje nga 21 Janari, sa herë që do flitet për drejtësi në këtë vend. Ne nuk do bëjmë prokurorin dhe gjykatësin, por do krijojmë të gjitha kushte që 21 Janari të gjykohet me drejtësi dhe gjithë ata që u përfshinë në vrasjen e të pafajshmëve të shkojnë para drejtësisë. Ky është zotim solemn. Edhe dëshmorët e 21 Janarit dhe viktimat apo të lënduarit e këtyre viteve do t'i nderojmë duke bërë realitet ato gjëra për të cilat ata u vranë, u plagosën dhe u lënduan", iu përgjigj Rama të dhunuarit në këtë ngjarje.
THEMELUESI I PD: DO VOTOJ PËR PS, NA VODHËN PRONAT
Një prej banorëve iu drejtua Ramës si "themeluesi i parë i PD-së në Zadrimë bashkë me Gramoz Pashkon apo komisioner për PD", duke iu ankuar se "më kanë burgosur dhe këtë herë votën do t'ia jap PS-së". "I kam qëndruar besnik 20 vjet PD-së deri në vdekje", tha banori, duke shtuar se "dikur me më pas thënë voto për PS më mirë me më hëngër qeni i tërbum". Por ai shpjegoi se kryetari i komunës i ka shitur pronat, gjakun e gjyshërve tanë. Fitore Ben ndokës dhe Edi Ramës", tha ish-aktivisti i PD-së. Sa herë ke votuar PD?", e pyeti Rama. "Kam qenë komisioner 20 vjet", tha ai. "Po si i keni shkuar pas atij komunisti? Atë e vuri Partia e Punës", ia ktheu Rama, e më bën mua komunist, por unë kam qenë i vogël.
PD S'ËSHTË SALIU, IDETË E DJATHTA DUHET TË VAZHDOJNË
Rama shtoi se teserën e PD askush nuk duhet ta grisë, apo djegë. "PD-ja është vepër e një populli që kërkonte liri dhe shpresë. E ka historinë më të gjatë se e këtij komunisti antikomunist. Në 23 qershor duhet të votohet PS-ja, që të shpëtojnë PD dhe të rilindë në opozitë. Nuk është PD-ja Saliu. Kjo është e përkohshme. Idetë e djathta duhet të vazhdojnë. S’duam të bëjmë shtet njëpartiak nga e cila kërcënohemi. Por kemi një shtet familjar. Janë të rrënuar, të tradhëtuar të përndjekurit, pronarët, ata që i shkuan nga pas për ideale dhe ide. PD u kthye në instrument përfitimi", u shpreh Rama.
KATRAGJYSHI ME ANTIPLUMB PREMTOI JO PËRMBYTJE NË 2005-ËN
Banorët kanë ngritur shqetësimin e përmbytjeve dhe i kanë kërkuar Ramës si kryeministër i ardhshëm, se cili është premtimi i tij për fermerët, që sot nuk marrin as farën që mbjellin.
Rama u shpreh se në vitin 2005, programi i PD, “i duarve të pastra” shkruante se nuk do të ketë më asnjë përmbytje në zonat veriore të Shqipërisë. "Katragjyshi me antiplumb atëkohë në opozitë në një përmbytje të zonës këtu ecte mbi ujë dhe mallkonte qeverinë e athershme, duke u betuar duke u dhënë besën se kjo do të ndryshonte me ardhjen në pushtet të PD.
Sipas tij, fatkeqësisht asnjëherë si më parë Shkodra bashkë me Lezhën nuk njohën përmbytje të vazhdueshme, sepse çdo vit situata degradon, pritat zhduken, erozioni shtohet, shkatërrimi i pyjeve, sistemit të kullimit, politika qorre dhe tërësisht korruptive me energjinë dhe ujin e hidrocentrale sjellin që ajo që dikur u tha që ishte përmbytje një herë në 100 vjet të jetë 5 herë në vit.
Po rishfaqen kënetat. Në Maliq këneta e famshme, që në libra na dukej si përrallë e ka nxjerrë prapë kurrizin e vet. Në Orikum është shfaqur zona malarike, shtohet mushkonja me shpejtësi marramendëse.
"Kush do qeverinë në krah, që hallet e tua të jenë dhe hallet e mia dhe rruga për të zgjidhur problemet të jetë rruga jonë e përbashkët, nuk duhet të shohë teserën e partisë, por të ndjekë programin e Partisë Socialiste, që nuk është program ideologjik", tha Rama.
"Na ka dhënë Zoti gjithçka, kudo që shpojmë del ujë, kemi diell 9 muaj të vitit, jemi në Europë në tokën më me mirëqenie, por heqim sëkëlldi që nuk i heq popull tjetër".
KU JANË 400 SPITALET E SALIUT?
"Jemi për sistem shëndetësor, që mos bazohet te sigurimet. Por falas për të gjithë. Të ndërtosh spitale reale, jo 400 spitalet e Saliut, që nuk e dimë ku janë, se gjithë Lezha ka një anestezist. Kjo kushton, por do paguajnë ata që s’kanë apo ta marrë përsipër shoqëria dhe ta blejë shërbimin shteti dhe ta ofrojë për çdo njeri që ka nevojë falas. Ne në 4 vite do ta transfomojmë këtë shërbim të marrë fund në shërbim falas. I papunë, në punë te dera e spitalit do kenë hapur dyert dhe shteti që do kujdeset për secilin falas.
Rama ka shpjeguar se shpenzohen 800 milionë dollarë për shëndetin në vit. "Vetëm 7% dalin nga sistemi i sigurimeve, 33% nga taksimi i përgjithshëm dhe 60% nga xhepi i njerëzve, që në shumicën dërrmuese nuk kanë lekë, nuk janë të siguruar. 5% shkojnë në spitale private. Kur u bie sëmundja, e dini mirë se ç’hiqni! Ky është sistem që nuk e pranojmë; është i korruptur, falimentuar dhe gjithë struktura e shëndetësisë duhet rilindur me sistem tjetër. Saliu thotë kush nuk ka lekë mos sëmuret", tha Rama.
SHKOLLAT TË MBYLLURA PËR TË PRITUR SALIUN, PËR KËTË LUFTUAM NE?
Një mësuese e zonës rrëfeu se shkolla jo vetëm që nuk po ruan nivelin e mëparshëm, por të llogaritësh që në 2013 nxënësit thjesht shkruajnë dhe lexojnë. "Kemi të rinj, që mbarojnë gjimnazin dhe masin rrugët dhe si kamarierë mezi dinë të kthejnë kusurin", tha ajo.
"Shkollat e Gramshit do mbylleshin për të pritur në shesh katragjyshin me antiplumb, kryeministrin. Për çfarë kemi luftuar ne, që shkollat të mbyllen, kur ai bën miting?! Që mësuesit të hiqen nga puna se nuk vijnë në miting, e mos merren ata me diploma, por ata me lekë dhe partishmëri?! Për këto kemi luftuar ne?!", pyeti Rama.
NUK DO TË KETË MË MËSUES TË TREMBUR, FUND HIPOKRIZISË
Një tjetër banore, e re në moshë, shprehu shqetësimin, se" edhe pse kishte përfunduar studimet për mësuesi i gjente dyert e mbyllura në shtet".
"Nuk do të ketë më mësues të trembur", iu përgjigj Rama. "E ku do gjesh punë ti, kur këta kërkojnë 5000 euro për një vend pune dhe se të jesh me PD-në", iu përgjigj Rama vajzës. Apo më pas mësuesit pushteti i mban peng me bukën e gojës dhe u thotë: Dil këtu! Shko atje! Se të heq nga puna". Kjo është hipokrizi, tha Rama.
Ai bëri thirrje se kësaj hipokrizie duhet t’i vënë fre së pari ata që u përndoqën nga partia e Saliut, që s’mund t’i shkojnë pas këtij personazhi, që nga një anë flet për lirinë nga një anë u shtrëngon fytin njerëzve duke ua bërë lirinë privilegj. "E si mund të ketë sistem të denjë arsimor që jetojnë me frikë në zemër, e me mësues që rekrutohen nga partia?! Ja dhe kostoja; 15-vjeçarët e sotëm. Ata që i gjeti Saliu në klasë të parë, i mori për dore 8 vjet dhe i nxori analfabetë funksionalë. Do votojnë për të mbajtur në punë Saliun apo për ta pushuar nga puna?”, analizoi dhe pyeti Rama.
"PËRPARA" DHE MË SHUMË ANALFABETË, "PËRPARA" DHE MË SHUMË PËRMBYTJE..
Slogani i tij është: “Përpara”. Dmth përpara dhe më shumë analfabetë, përpara dhe më shumë përmbytje, përpara dhe më shumë rrena. Ne do ndryshojmë nga themelet sistemin e marrjes në punë të mësuesve. Do ndërtojmë bashkëpunim menjëherë me prindërit", tha Rama.
Ai shtoi se "mësuesit janë të taksuar si mos më keq, ata paguajnë më shumë taksa se ministri i Arsimit dhe kryeministri. Çdo muaj një mësues do të kursejë 40 mijë lekë vetëm nga taksimi ynë i ndershëm".
SALIU, PSE NUK I DHA CERTIFIKATAT E TOKËS NË 8 VJET?
"Saliu thotë: Do t’ju japim certifikatat e tokës. Po pse ua dha 8 vjet?! Thotë do t’ju jap lekë në dorë për akcizën e e naftës? Po ç’lekë në dorë do japë Saliu? U premtoi do ju japim lekë në dorë në përmbytjet e Shkodrës. Po të cilës përmbytje, se janë bërë nja 4-5 herë?", tha Rama, e "s'u ka dhënë gjë".
DO PUNOJMË ME MISH E SHPIRT PËR UJË NË ÇDO SHTËPI
"Balldreni është bërë legjendë për ujin e pijshëm. Kanë kaluar deputet pas deputeti tek ne, Aldo Bumçi, Jozefina...A mund të na japësh shpresë për ujë të pijshëm në kodër të Balldrenit?", pyeti një banor Ramën.
"Po të themi se sa hap e mbyll sytë do ua zgjedhim problemet do ishte gënjeshtër", tha Rama. "S’është vetëm Balldreni. Vuajnë të gjithë për ujë. Nëse ke dëgjuar këtë fushatë nuk kam folur shumë për ujin e pijshëm, se më vjen turp me një histori 20 vjet, që sa herë ka fushatë thonë: do t’ju japim ujë për të pirë".
PO TË ISHA NË VEND TË SALIUT NUK DO T'IU DILJA DOT PËRPARA
Rama ka thënë se "po të isha në vend të Saliut do thoja: Nuk arrita dot, bëra sa munda, meqë nuk ju solla ujë nuk e meritoj më. Janë shumë më të nderuar ata komunistë, që rrinë në heshtje, se ky që bën si antikomunist i tërbuar që e la këtë popull pa ujë".
Rama premtoi se, për ujin e pijshëm, do përpiqet "me mish e me shpirt", "ditë natë", që çdo vend të ketë ujë për të pirë e për t’u larë. "Kjo e ndan qytetërimin me shtet nga një popull pa shtet. Do të bëjmë gjithçka, që një orë e më parë ky problem të zgjidhet. Përralla nuk ju tregoj. Do keni pas 23 qershorit një kryeministër, që hallin tuaj do ta ketë hallin e tij", u shpreh Rama.
PËRMBYTJE EDHE ME RRENA NGA TELEVIZORI
"Këto zgjedhje nuk janë a po fiton Saliu apo Edi Rama. Nuk janë si baste kur zihen gjelat apo për ndeshje futbolli. Por për të përcaktuar me votë se ç’do ndodhë përditë. Ç’do ndodhë me ju? Do vazhdoni të përmbyteni? Këta kanë vetëm rrena.Po na përmbysin dhe nga ekrani vetëm me rrena", tha Rama.
Më pas ai pyeti banorët, që në të shkuarën kanë votuar për PD. "Demokratët e Balldrenit do votojnë prapë për këtë, që po i lë pa ujë, për të pirë ujë apo për të ngrënë rrena? Ai që nuk e bën 8 vjet s’ka shans ta bëjë 4 vjet të tjera. Votën ta jap jo se të kam vëlla apo mik, por besoj se do më zgjedhësh këtë problem. Po m’i zgjidhe ta jap prapë, po s’m’i zgjidhe, vëlla me qenë, ik nga puna. S’mbahet se ky është i imi, se është nga Veriu, se është i PD--së. S’ka lidhje".
"Duhen bërë zgjedhje me mend në kokë se ç’mund të ndryshojë unë me votën time? O njerëz, vota nuk është për ndeshje, nuk luhet me top, luhet për fatin e komunitetit tënd", u bëri thirrje Rama banorëve, duke u lënë lutjen e fundit:
NUK KRAHASOHEMI AS ME KOSOVËN
"Tek ne, fshatarët punojnë 16 orë dhe hanë një herë bukë me kos. Ku ndodh kjo? Në cilin vend? Shkoni në Kosovë! Shqiptarë janë, si ne. Vetëm 5 vjet shtet kanë. Shkoni jepini bakshish policit! Ua merr lekët apo ju çon në polici? Shkoni në spital në Kosovë! Si ne janë, që merr batanije me vete? 70 milionë dollarë kanë në vit buxhet për mjekësinë, por të trajtojnë si njeri, nuk të shohin nga xhepat. Shikoni fushat e fshatarëve të Kosovës! Shqiptarë ata, shqiptarë ne. Ne pas 100 vjetësh nuk kemi shtet, na mbyti krimi, uji, varfëria dhe papunësia, na mbytën rrenat", tha Rama.
VOTONI, SHËRBIMI MË I MADH QË I BËNI RILINDJES!
"Gjithë ata që kanë merak për votën, se ç’do bëhet me votën, ta dyfishojnë, ta blindojnë atë", u kërkoi Rama të pranishmëve. Ai shtoi se "Saliu le të vjedhë gjithë ditën, fitorja do jetë aq e thellë dhe s’do ketë asnjë shans për vjedhje. Ky është shërbimi më i madh që mund t’i bëni Rilindjes. Kur e keqja kap për fyti një popull, siç ka kapur popullin shqiptar është faji i të mirëve që s’bëjnë gjë. Nëse s’merresh ti me politikën, politika të lë pa ujë, pa bukë, se Zoti t’i ka dhënë të gjitha".
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)