Në raportin vjetor 205, SPAK thotë se vrasjet me pagesë, nj aktivitet karakteristik i grupeve kriminale, vjen kryesisht e lidhur me hakmarrjen dhe të tjera konflikte me grupe kriminale. Ndërkohë trafiku i armëve vijon të mbetet një fenomen shqetësues.
VRASJET
Hetimet e përbashkëta me autoritetet ndërkombëtare kanë dokumentuar se, vrasjet e sofistikuara përbëjnë një aktivitet tjetër karakteristik të disa grupeve kriminale shqiptare, të procedura gjatë këtij viti. Shpesh, vrasjet me pagesë ishin të lidhura me hakmarrje dhe konflikte mes grupeve kriminale. Struktura operative e këtyre grupeve ishte hierarkike, ku drejtuesi koordinonin planifikimin e ekzekutimeve dhe anëtarët siguronin ekzekutorë, armë, dhe mjete eksplozive për realizimin e krimeve. Veprimtaria e këtyre grupeve përfshinte: ekzekutime me armë zjarri, shpërthime të automjeteve me eksploziv, tentativa për eliminimin e kundërshtarëve, fshehje të kufomave dhe sigurimin e mjeteve materiale.
Një aspekt i veçantë i hetimeve ka qenë dokumentimi i lidhjes mes vrasjeve me pagesë dhe pastrimit të parave të përftuara nga aktiviteti i trafikut të drogës, që vinte kryesisht nga Amerika e Jugut drejt Evropës dhe Shqipërisë. Paratë përdoreshin për pagesa për ekzekutorët, blerje armësh, investime në sektorin e pasurive të patundshme dhe aktivitete private tregtare. Hetimet evidentuan gjithashtu, përdorimin e komunikimeve të koduara për planifikimin e ekzekutimeve, paralajmërimet për kontrolle dhe koordinimin logjistik. Grupet kriminale kryenin veprime të koordinuara në kohë dhe vend të caktuar, duke rrezikuar jo vetëm jetën e kundërshtarëve, por edhe atë të personave të pafajshëm, që ndodheshin në vendngjarje.
TRAFIKU I ARMËVE
Trafiku i armëve vazhdon të mbetet një fenomen shqetësues, sidomos kur grupet kriminale të përfshira në këtë aktivitet janë të lidhura me rrjetet e trafikut ndërkombëtar. Një nga rastet e provuara nga SPAK ilustron qartë tipologjinë dhe sofistikimin e këtyre grupeve. Hetimet zbuluan se, grupi kishte ndërtuar një skemë të sofistikuar logjistike dhe operacionale për të dërguar armë në Mbretërinë e Bashkuar. Disa ambiente në periferi të Tiranës shërbenin për fshehjen e armëve brenda pjesëve të mobilieve, ndërsa anëtarët e grupit kriminal siguronin që ato të mbeteshin të padukshme për kontrollet policore dhe doganore. Për të shmangur zbulimin, grupi përdorte dokumente dhe gjeneralitete të rreme gjatë transportit dhe dorëzimit të armëve, duke e mbajtur aktivitetin nën kontrollin e plotë të organizatorëve.
Struktura organizative e grupit ishte e ndarë në dy nëngrupe të qarta, njëri vepronte në Shqipëri dhe tjetri në Mbretërinë e Bashkuar. Nëngrupi shqiptar ishte përgjegjës për mbledhjen, fshehjen dhe transportin e armëve, ndërsa nëngrupi i vendosur në Mbretërinë e Bashkuar merrej me pritjen dhe shpërndarjen e tyre. Bashkëpunimi mes nëngrupeve garantonte suksesin e veprimeve dhe të organizimit dhe shmangien e kapjes nga agjencitë ligjzbatuese. Çdo anëtar kishte role të qarta dhe të ndara, duke përfshirë drejtimin, mbikëqyrjen, transportin, pritjen dhe sigurimin e armëve gjatë gjithë zinxhirit të trafikut.
Lajmi kryesor:
Puna e SPAK/ Report Tv siguron raportin: 45.5 mln euro pasuri e sekuestruar dhe konfiskuar gjatë 2025-ës











