“Nëpunësit që e përbëjnë këtë kategori, nuk kanë qenë më parë pjesë e shërbimit civil, por kanë hyrë në këtë sistem, si një rast i përjashtimit ligjor dhe për këtë arsye, ata nuk kanë mundur të trajnohen pranë Shkollës Shqiptare të Administratës Publike, si në drejtim të formimit të thelluar, ashtu edhe të formimit të vazhdueshëm profesional, ç`ka është një detyrim ligjor për nëpunësit që rekrutohen në përputhje me kërkesat e pranimit në shërbimin civil dhe që e fillojnë karrierën nga niveli ekzekutiv.
Në këto kushte, për të bërë të mundur njohjen e kandidatëve me natyrën e shërbimit civil, me rregullat dhe detyrimet që duhet të zbatojnë gjatë kryerjes së detyrës, si dhe me punën që ata duhet të kryejnë, (pasi nuk kanë qenë më parë pjesë e shërbimit civil), Komisioneri vlerëson se është e nevojshme përfshirja e tyre në programet e trajnimit të detyrueshëm profesional, pranë Shkollës Shqiptare të Administratës Publike”, thuhet në raportin e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, dorëzuar në Kuvend.
Komisioneri thekon se për nëpunësit që emërohen për herë të parë në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive dhe për pranimet në kategorinë e nivelit të lartë drejtues, si anëtarë të TND-së, nëpërmjet ASPA-s, nga jashtë shërbimit civil, është parashikuar në mënyrë të shprehur detyrimi për të ndjekur programin e trajnimit në ASPA.
Korniza ligjore
Ligji nr. 152/2013 për nëpunësin civil, në nenin 29, parashikon pranimin e drejtpërdrejtë, edhe nga jashtë, në TND (kategorinë e nivelit të lartë drejtues), por vetëm për një periudhë të caktuar kohore, për shkak të një emergjence. Vendimi i qeverisë nr. 118, datë 5.3.2014 për procedurat e emërimit, rekrutimit, menaxhimit dhe përfundimit të marrëdhënies në shërbimin civil të nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues dhe të anëtarëve të TND-së, parashikon që procedura e pranimit të drejtpërdrejtë në TND, e
parashikuar nga neni 29 i ligjit nr. 152/2013, zbatohet vetëm deri në daljen e grupit të parë të anëtarëve të TND-së nga ASPA dhe nëse prurjet me anëtarë të TND-së nga ASPA nuk janë të mjaftueshme. Por, sipas Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil kjo kornizë ligjore është kapërcyer.
9 shkelje në institucione të administratës shtetërore
1. Deklarimi i statusit të punësimit për punonjësit e gjendjes civile, të cilat janë funksione të deleguara dhe nuk hyjnë në fushën e veprimtarisë së ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar.
2. Mangësi në dokumentacionin që duhet të përmbajnë dosjet e personelit.
3. Konfirmimi i nëpunësve civilë në fund të periudhës së provës me akte kolektive.
4. Mungesa e hartimit të përshkrimeve të punës për të gjitha pozicionet e punës pjesë e shërbimit civil.
5. Dhënia e masave disiplinore në kundërshtim me ligjin.
6. Mospërmbushja e detyrimeve që rrjedhin nga periudha e provës, si kryerja e ciklit të detyrueshëm të trajnimit pranë ASPA-s, marrja e mendimit të nëpunësit civil më të vjetër apo kryerja e vlerësimit të rezultateve në punë në fund të periudhës së provës.
7. Transferime në kundërshtim me ligjin në pozicione pune jashtë shërbimit civil.
8. Mosmarrja e mendimit të Departamentit të Administratës Publike, për vlerësimin e ligjshmërisë së formularit të përshkrimit të punës për çdo pozicion pune në shërbimin civil, nëse është në përputhje me legjislacionin specifik të fushës apo formatin standard të miratuar.
9. Paqartësi në lidhje me klasifikimin e pozicionit të punës “Sekretar i Përgjithshëm” në skemën e administrimit të shërbimit civil në Prefekturat e Qarkut.
Kërkesat e Komisionerit për degët e administratës publike
- Të revokohen/anulohen aktet administrative për emërime të kryera në kundërshtim me ligjin dhe të ndërpritet marrëdhënia e punësimit.
- Të revokohen/anulohen, ndryshohen, verifikohen dhe nxirren aktet administrative për deklarimin e statusit të punësimit në mënyrë nominale.
- Të plotësohen dosjet e personelit me dokumentacionin e munguar.
- Të hartohen dhe miratohen përshkrimet e reja të punës për të gjitha pozicionet e shërbimit civil, në përputhje me orientimet e detajuara të Komisionerit për realizimin e të gjitha fazave deri në administrimin e tyre në formë shkresore në dosjet individuale të personelit.
- Të përfundohet procedura e vlerësimit të rezultateve në punë brenda afatit, në përputhje me rekomandimet e Komisionerit të materializuara në raportin përfundimtar të mbikëqyrjes.
- Të konstatohet pavlefshmëria absolute e akteve të deklarimit të statusit të punësimit të nxjerra në kundërshtim me ligjin.
- Të klasifikohen drejt pozicionet e punës që janë pjesë e shërbimit civil në përputhje me legjislacionin specifik të fushës.
- Të hartojnë planin vjetor të pranimeve të reja në shërbimin civil, sipas kërkesave të nenit 18, të ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar, si dhe të Vendimit nr. 108, datë 26.02.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për planin vjetor të pranimit në shërbimin civil”.
- Të nxirren aktet për fillimin e marrëdhënies financiare dhe realizimin e të gjitha hapave ligjorë që njësitë përgjegjëse duhet të ndjekin për finalizimin e periudhës së provës.
- Të anulohen aktet administrative kolektive për konfirmimin e nëpunësve civilë në fund të periudhës së provës.
- Të revokohen/anulohen aktet administrative për dhënie mase disiplinore, si akte absolutisht të pavlefshme dhe fshirjen e masës nga dosja personale dhe regjistri përkatës.
- Të revokohen aktet administrative që kanë lidhje me pezullimin, emërimin, transferimin dhe lirimin e nëpunësve të institucionit, që janë pjesë e shërbimit civil dhe kryerjen nga e para të procesit të ristrukturimit.
- Të përfundohet marrëdhënia e punësimit për shkak të mosplotësimit të kriterit të nivelit arsimor.
- Të ndryshohet akti i ndërprerjes së marrëdhënies së punësimit në lidhje me motivacionin dhe bazën ligjore.
- Të nxirren aktet e emërimit në mënyrë nominale.
- Të parashikohet në strukturë pozicioni i specialistit të burimeve njerëzore.
- Të verifikohet statusi i punësimit për disa punonjës, duke konfirmuar pozicionimin e tyre në raport me shërbimin civil (bëhet fjalë për punonjësit e Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës).
- Të plotësohen aktet e konfirmimit si nëpunës civilë me vlerësimin e rezultateve individuale në punë dhe mendimin me shkrim të nëpunësit civil më të vjetër.
- Të merren masat për aplikimin e ndryshimeve të VKM nr. 877, dt. 14.12.2016, për punonjësit e transferuar nga drejtoritë e bujqësisë në AZHBR, të cilët gëzojnë statusin e nëpunësit civil që nga momenti i deklarimit të statusit të tyre pranë drejtorive të bujqësisë.