Vjedhja përfaqëson kategorinë e dytë më të madhe të krimeve të regjistruara në vend gjatë vitit të kaluar, me mbi 5400 procedime të rregjistruara dhe mbi 1 mijë persona të dërguar në gjykatë. Sipas raportit të Prokurorit të Përgjithshëm, shumica e personave të përfshirë, janë meshkuj, të papunë dhe më shumë se gjysma me nivel të ulët arsimor. Mbi 10% janë të mitur. Sociologu Gëzim Tushi thekson se papunësia, varfëria, përdorimi i drogës, lojërat e fatit dhe kultura e konsumit po ndikojnë në rritjen e fenomenit.

***

Mbi 20 përqind e të gjithë procedimeve penale të rregjistruara gjatë vitit të kaluar lidhen me vjedhjen, ndërsa koeficienti i kriminalitetit për këtë vepër është 230 për 100 mijë banorë.

Vjedhja renditet në grupin e dytë më të madh, pas atij të krimeve ndaj Rendit dhe Sigurisë. Raporti vjetor i Prokurorit të Përgjithshme dëshmon se pjesa dërrmuese e të pandehurve, 92,86 %, janë meshkuj, ndërsa gati tre të katërtat janë të papunë.

Për sociologun Gëzim Tushi: “Fakti që mbi 73 % e atyre që janë përfshirë na aktet kriminale të vjedhjes, janë të papunë, tregon se punësimi është ngq faktorët kryesorë. Është një faktor që sjell të mira materiale mesa duket, por është një terapi që e kuron fenomenin e vjedhjeve.”

Por Tushi nënvizon se fenomeni nuk lidhet vetëm me varfërinë, por edhe me faktorë të tjerë, kulturorë e edukativë, shpjegon ai.

Në fakt, më shumë se gjysma e të pandehurve rezultojnë të jenë me arsim deri 9-vjeçar.

“Pa diskutim niveli i arsimit është një nga faktorët që ndikon në sasinë dhe intensitetin e përhapjes së fenomenit social të vjedhjes. Për fat të keq edhe ata që janë me arsimin e mesëm janë goxha. Fakti që janë rreth 3.6% e personazheve të përfshirë në akte vjedhjeje janë me arsim të lartë tregon që niveli arsimor ka ndikimin e vet në këtë çështje",- thotë Tushi.

Një tjetër element shqetësues që del nga raporti është dhe përfshirja e të miturve në vjedhje, me mbi 10 % e të pandehurve nën moshën 18 vjeç.

“Vit po vit po na shtohet ky fenomen i përfshirjes në aktë kriminale të minorëve. Është fjala për ata që janë nën moshën 18 vjeç dhe që janë shtuar së shumti edhe penalitetet ndaj tyre",- thotë Tushi.

Mbi 70 përqind e personave që kanë kryer një vjedhje rezultojnë të jenë të padënuar, fakti i cili sipas Tushit...

“Do të thotë që fenomeni është në zgjerim. Pra vetëm 30% janë recidivistë. Janë njerëz të njohur që janë ndëshkuar, janë penalizuar apo janë në ndjekje penale. Kurse 70% të rinj",- thotë Tushi.

Tirana mban peshën kryesore për numrin e vjedhjeve, ndërsa në fund të listës renditen Gjirokastra, Dibra, me Kukësin që mban rekord pasi nuk është rregjistruar asnjë rast.

“Në qytetet e mëdha ka një anomi sociale, ka një mundësi të çrregullimit social, dhe njerëzit mund të penetrojnë, ndërsa në qytete të vogla dhe sidomos në fshatra, fenomeni është më i reduktaar edhe për shkak të kodeve morale, edhe për shkak të kapitalit social”,- thotë Tushi.

Të dhënat e Prokurorisë tregojnë se në 98,92 % të rasteve është kërkuar arresti me burg si masë sigurie.

"Nuk mund ta zgjidhim problemin vetëm me burgje. Burgjet kanë rolin e tyre, por zgjidhja është parandalimi. Duhet më shumë rol i familjes, i shkollës, i mediave dhe i politikave sociale për të forcuar edukimin dhe përgjegjësinë qytetare te njerëzit tanë. Për të kuptuar që vjedhja është një akt jo vetëm i pështirë nga pikëpamja ekonomike, por edhe është i dëmshëm nga pikëpmja sociale",- tha Tushi.