TIRANE- Një raporti i Bankës Botërore i mbështetur në një studim të kryer në shkollat e vendit tregon se nxënësit shqiptarë nuk kanë të njëjtin nivel arsimor me moshatarët e tyre evropiane. Një fëmijë i klasës së pestë në Shqipëri krahasohet me një nxënës të klasës së tretë në Evropë për nga shkalla e të nxënit. Sipas raportit të BB, problemet më të mëdha nxënësit shqiptarë i kanë shfaqur në lëndën e matematikës dhe leximit ndërkohë që meshkujt paraqiten më dobët se femrat, ndaj është e nevojshme aplikimi i politikave të reja dhe cilësore.

“Banka Botërore ka mbështetur Shqipërinë që prej dy dekadash. Shqipëria ka nja sfidë në lidhje me papunësinë, pjesëmarrja në forcat e punës është e ulët dhe kërkesa është shumë e lartë. Ndërsa rezultatet e PISA kanë treguar se mesatarisht një nxënës shqiptar, ka 2 vite arsimim më pak se një bashkëmoshatar i tij në vendet e BE.

Nevojiten reforma në kurikulat mësimore, përmirësim të nivelit të mësuesve, ulje të mbingarkesës në klasa dhe eliminim të mësimit me turne” tha Drejtoresha Rajonale e Bankës Botërore, Ellen Goldstein. Sipas studimit, kur flitet për punësimin e te rinjve në Shqipëri, meshkujt janë më të favorizuar nga tregu i punës. I pranishëm gjatë prezantimit të këtij raporti, Kryeministri Edi Rama e cilësoi dramatike situatën e arsimit në Shqipëri që sipas tij ka ardhur për shkak se sistemi arsimor është trajtuar i shkëputur dhe jo si një i tërë, pasi që nga kopshti e deri në universitet ka mungesë standardesh. Një tjetër fakt që ai vuri në dukje ishte edhe mungesa e profilizimit  të mësuesve. “Situata në arsim është dramatike. Arsimit i kishte humbur busulla.

Shkollat shfaqin mungesë tërësore standardes, duhej reformë rrënjësore në arsim. Ka probleme që nga kopshtet që janë të mbipopulluara, në shkolla e deri të universitetet. Ka në një masë 50 % të mësuesve në mbarë vendin që japin mësim në lëndë të ndryshme nga ato në të cilat janë profesionalizuar” tha Rama. Ai nuk ka harruar të përmendë as reformën që po ndërmerret në universitete ku theksoi se këto institucione do ti nënshtrohen akreditimit, proces që do të kryhet nga një kompani e huaj. Kryeministri Rama, paralajmëroi se situata nuk është më pozitive as në universitetet publike, që njësoj si privatët duhet të kalojnë këtë provë cilësie për të mos kyçur auditorët. “Kemi filluar të pilotojmë disa projekte, duke përfshirë kompani të mëdha ndërkombëtare.

Duhet të krijohet një sistem logjik në sistemin e arsimit. Ka nisur puna me dokumentet, përfshirë edhe kurrikulat. Mbështetja e bankës Botërore është me rëndësi për ne. Reforma e arsimit të lartë është në proces, ligji për arsimin e lartë do të hyjë këtë vit në diskutimet parlamentare, pasi janë kryer të gjitha hallkat e dëgjesave”, u shpreh Rama. Kreu i qeverisë siguroi ndërkombëtaret, por dhe prindërit e nxënësve se reformat që po ndërmerren në të gjitha nivelet e arsimit synojnë rritjen e cilësisë në arsim.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 17 Shtator 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)