Raporti i BB, për bërjen e biznesit
Ahmetaj: Qeveria Berisha na la pas

Raporti i BB, për bërjen e biznesit<br />Ahmetaj: Qeveria Berisha na la pas
TIRANË - Qeveria e kaluar e drejtuar nga Berisha në mandatin e saj të dytë është përkeqësuar çdo vit. Deklarata është bërë nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj. Ky i fundit mbajti një konferencë për median, në lidhje me raportin “Doing Business”, të e Bankës Botërore.

“Ashtu siç e prisnin të gjithë, Shqipëria përsëri ka humbur vende në klasifikimin botëror të këtij publikimi prestigjioz. Në sajë të të dhënave që janë mbledhur deri në Maj të vitit 2013, ekipi i “Doing Business” e ka klasifikuar Shqipërinë në vendin e 90 nga 189 vendet që janë vlerësuar në këtë raport”, tha Ahmetaj.

Ahmetaj tha se, përveç se në Shqipëri, në çdo vend të rajonit është më lehtë të bëhet biznes. “Kjo është një humbje prej 5 vendesh krahasuar me një vit më parë. Në fakt, nëse shikohet trendi i mandatit të dytë të qeverisë së shkuar, Shqipëria është përkeqësuar çdo vit në lidhje me lehtësinë e të bërit biznes. Thënë ndryshe, sipas këtij raporti prestigjioz është më e lehtë të bëhet biznes thuajse kudo në rajon”, theksoi Ahmetaj.

Sipas ministrit të Ekonomisë, “shqetësues nuk është vetëm fakti që Shqipëria ka patur përsëri rënie. Ajo çka është e rëndësishme është se nga 10 treguesit e raportit “Doing Business” – Shqipëria është përkeqësuar në 6 prej tyre. Ndër këto gjashtë tregues mund të përmendim lehtësinë e marrjes së lejeve të ndërtimit, ku renditemi të fundit nga 189 shtete të botës, apo në kriterin e sigurimit të furnizimit me energji elektrike, ku Shqipëria renditet e 158 në botë – duke lënë pas shtete si Siria, Libia apo Zimbabve”.

“Tejet shqetësues për këtë qeveri është përkeqësimi në treguesin e respektimit të kontratave, një përkeqësim me 28 vende (nga vendi i 96 në të 128), që më shumë se gjithçka tregon dështimin total të qeverisë së shkuar për të siguruar ligjshmërinë për bizneset. Nëse merren parasysh edhe analizat e fundit të bëra nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, del se qeveria e shkuar, ka qenë arsyeja e këtij përkeqësimi”, deklaroi Ahmetaj gjatë konferencës për median.

Sipas Ahmetajt, duke mos paguar kontratat dhe shërbimet e kontraktuara, “ish-qeveria jo vetëm që u ka lënë shqiptarëve mbi 600 milion dollarë borxhe të fshehta mbi kokë, por siç duket nga ky raport, ka larguar edhe investitorë potencialë me anë të praktikave korruptive dhe të papërgjegjshme”.

Ahmetaj theksoi se, qeveria e re ka marrë mandatin për të adresuar menjëherë këtë situatë kritike. “Dua t’ju siguroj se ky raport dhe të gjithë raportet e tjera ndërkombëtare do të shqyrtohen me kujdes, në mënyrë që të fillojmë menjëherë nga puna për të përmirësuar imazhin e vendit dhe marrëdhënien me komunitetin e biznesit”, tha Ahmetaj.

“Ne e kishim parashikuar këtë situatë ndaj do të studiojmë këtë raport për të nxjerrë në mënyrë imediate masat që duhen marrë për të siguruar një përmirësim të treguesve të të bërit biznes në Shqipëri. Sot mesazhi që investitorët ndërkombëtarë dhe bizneset duhet të marrin nga Shqipëria është se qeveria Rama do të jetë një mbështetës në çdo hap dhe se praktikat e turpshme të mospagimit dhe korrupsionit kanë marrë fund një herë e mirë, dhe se në Shqipëri do të sundojë shteti i së drejtës”, përfundoi deklaratën e tij, ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë