Pas paraqitjes së raportit të Këshillit të Lartë të Shtetit në Komisionin e Ekonomisë ku kreu i këtij institucioni tha se për buxhetin e vitit 2014 i janë shkaktuar shtetit një dëm prej 109 miliardë lekë, Partia Demokratike doli në një deklaratë për mediet.
 
Deputeti Shrefedin Shehu tha se KLSH konfirmoi korrupsionin e qeverisë, që është denoncua vazhdimisht nga PD.
 
“Gjatë vitit 2014, Edi Rama dhe Ilir Meta u kanë vjedhur shqiptarëve 109 miliardë lekë ose 777 milionë Euro. Ky raport konfirmon se afera e CEZ nuk është shpikje e Partisë Demokratike por një pazar i filluar nga Meta dhe Ministrat e tij dhe i mbarur nga Edi Rama”, u shpreh deputeti i opozitës.
 
Shehu tha se abuzimet në buxhet kanë qenë të mëdha duke bërë që deficiti të arrijë nivel historik.
 
“Buxheti 2014 u shpërdorua dhe nuk u shpenzua. Ky vit shënon nivelin më të lartë histroik të deficitit buxhetor. Shpenzimet e rritura u financuan me borxhe. Në muajin dhjetor 2014 u kryen vetëm 28.4 % e investimeve të vitit dhe 40% e investimeve të financuara me borxh të brendshëm”, deklaroi Shehu.
 
Në Komisionin e Ekonomisë, kreu i KLSH-së Bujar Leskaj deklaroi se për zbatimin e buxhetit 2014, janë audituar 129 institucione shtetërore dhe ndërmarrje me pronësi shtetërore si dhe është audituar performanca e 38 institucioneve shtetërore. Si rezultat i këtyre auditimeve, u konstatua një dëm ekonomik në shumën prej 108,8 miliardë lek ose 777 milionë euro, ndërsa të dhënat për detyrimet debitore në fund të vitit 2014 arrijnë në vlerën 110,6 miliardë lek ose 790 milionë euro.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)