Në Spitalin e Traumës nuk ka frigorifer-morgu, për të bërë administrimin e trupave të pacientëve që ndërrojnë jetë në spital. Në vitin 2021 pranë këtij spitali ndërruan jetë 90 pacientë dhe sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit trajtimi i trupave nuk u bë në këtë spital.

Më tej në raportin e KLSH, thuhet se magazina e mallrave të spitalit nuk plotëson asnjë kusht për  ruajtjen e barnave.

“Barnat nuk duhet të jenë në kontakt të drejtpërdrejtë me dyshemenë dhe muret e të kenë hapësirë të përshtatshme për të lejuar pastrimin dhe inspektimin’, vlerëson KLSH.

Përkundrazi në këtë ambient gjenden pajisje mjekësore jashtë përdorimit si radiografi, me rrezikshmëri për shëndetin e njeriut. KLSH rekomandon drejtorinë të sigurojë kushte në ambiente të sigurta për ruajtjen e barnave.Në asnjë rast ato nuk duhet të vendosen  në magazinën e mallrave.

Një tjetër konstatim i KLSH, ka të bëjë me medikamentet në farmacinë qendrore të QSUT. Në raport thuhet se aty gjenden sasi të madha ilaçesh që nuk kishin vulën e kuqe me mbishkrimin “Për përdorim spitalor ndalohet shitja”, përcaktim ky me ligj.

“Boja që përdorët për stampimin e vulës të jetë me ngjyrë të kuqe që nuk fshihet”, thuhet në raport.

(Kliko këtu për të parë dokumentin e plotë)