Raporti i Mehmet Shehut për Enver Hoxhën: Në komitetin e Partisë të Tropojës janë 10 agjentë të UDB-së

Raporti i Mehmet Shehut për Enver Hoxhën: Në komitetin e Partisë të Tropojës janë 10 agjentë të UDB-së

Memorie.al publikon raportin tepër sekret të vitit 1953, ku ministri i Punëve të Brendshme, gjeneral-leitnant, Mehmet Shehu, i dërgon Komitetit Qendror të PPSH-së dhe personalisht Enver Hoxhës, “mbi veprimtarinë agjenturore e armiqësore”të dhjetë funksionarëve më të lartë të Komitetit të Partisë dhe atij Ekzekutiv të Rrethit të Tropojës, duke filluar nga kryetari Idriz Mulosmani dhe shefat e seksioneve e disa drejtorë ndërmarrjesh. Si dhe katër ushtarakët e Degës së Punëve të Brendshme të atij rrethi, të cilët akuzoheshin si agjentë të UDB-së dhe me veprimtari të theksuar armiqësore. Cilat janë disa nga akuzat ndaj tyre dhe shënimet që ka vënë Enveri në çdo fletë me dorën e tij?

Paranoja, nënshtrimi, vasaliteti, servilizmi dhe përulja deri në neveri ndaj “Baba Stalinit” e Bashkimit të madh Sovjetik, pas prishjes me Jugosllavinë e Titos në vitin 1949, e bënte udhëheqjen e lartë komuniste të Tiranës që jo vetëm ndaj kundërshtarëve të saj politikë, por edhe pas çdo zyrtari të saj apo njeriu të thjeshtë, të shikonte një armik dhe agjent të UDB-së! Kjo gjë duket qartë edhe te ky dokument i sigluar “Tepër sekret, i një rëndësie të veçantë”, (shkruhet në kapakun e dosjes), i vitit 1953, ku ministri i Punëve të Brendshme të asaj kohe, gjeneral-leitnant Mehmet Shehu, i raporton me detaje dhe hollësira eprorit të tij, Enver Hoxhës, në një informacion të titulluar “MBI DISA ANETARE PARTIE TE RRETHIT TE BAJRAM CURRIT QE IMPLIKOHEN ME ARMIKUN”.

Siç do të shikojmë edhe në dokumentin në fjalë, akuzat dhe dyshimet ndaj 10 funksionarëve dhe titullarëve të lartë të Komitetit të Partisë dhe atij Ekzekutiv të Rrethit të Tropojës, mbi të cilat është mbështetur ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu, apo edhe shefat e lartë të Sigurimit, vartës të tij, që ia kanë servirur atë raport, jo vetëm që janë marrë nga të arrestuar nën tortura, por janë sa qesharake, aq edhe monstruoze për vetë ligjet e asaj kohe.

Si p.sh. “Familja e….. dhe krushqia e tij…, ka qëndrim jo të mirë politik”. “Ai… duhet të jetë agjent, përderisa është mik i filanit…”, etj., etj., akuza banale, të cilat bënë që të dënoheshin me vite të gjata burgu dhe internimi me dhjetëra e familje mjaft të nderuara të rrethit të Tropojës, (në rastin konkret), ashtu dhe në mbarë vendin. Dokumentin në fjalë po e publikojmë të plotë dhe pas asnjë shkurtim, duke tentuar të hedhim sadopak dritë mbi atë se si ka funksionuar ai sistem paranojak, apo më saktë, vetë maja e kupolës së lartë të atij regjimi, ku Enveri ka shkruar me dorën e tij mbi raportin e ardhur nga Mehmet Shehu.

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE

MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDESHME

DREJTORIA E SIGURIMIT TE SHTETIT TIRANE, më 4.IX.1953

KOMITETIT QENDROR TE PPSH TIRANE MBI DISA ANETARE PARTIE TE RRETHIT TE BAJRAM CURRIT QE IMPLIKOHEN ME ARMIKUN

Organet e Sigurimit të rrethit Tropojës disponojnë të dhëna, të cilat tregojnë se disa anëtarë Partie, midis të cilëve dhe mes atyre që kanë përgjegjësira të ndryshme në Parti dhe në pushtet, implikohen me armikun. Këto të dhëna janë marrë nga agjentura ose janë zbuluar në hetuesinë e zhvilluar gjatë këtij vjeti kundër disa agentëve të UDB-së si Coll Sokoli, Xhem Sadrija etj.

Këta anëtarë partie dhe të dhënat që disponojmë ne për ta janë si më poshtë:

Halit Memija – Anëtar i Byrosë së Komitetit të Partisë dhe shef i Organeve të Partisë së Komitetit, nga katundi Mejdan i rrethit B. Curri, shtresë e pasur.

Në proces-verbalin e tij agenti UDB-së, Coll Sokoli deponon se në takimet që ka pasur me kapo bandën Tahir Hoxha, i cili sot është në shërbim të UDB-së, dhe dërgohet në vendin tonë si diversant, ky i fundit i ka thënë se në vjetin 1945 kur ai lëvizte si i arratisur n’kto anë (Tropojë-Kukës), është ndihmuar nga Halit Memija n’atë kohë ka qenë kapter me forcat e Mbrojtjes Popullit, që ishin në ndjekje të Tahir Hoxhës.

Gjithashtu Coll Sokoli deponon se në vjetin 1946 kur Tahir Hoxha e ka ngarkuar me detyrë të shkonte në Kukës për të marrë postën e Muharrem Bajraktarit, i ka thënë gjithashtu që të takonte Halit Meminë e ta porosiste që të bënte një raport mbi forcat e Mbrojtjes së Popullit, që vepronin në Kukës dhe Peshkopi dhe t’ia dërgonte Tahir Hoxhës.

Nga ana tjetër, Coll Sokoli deponon në vjetin 1952 në takimin që ay ka pasur me bandën e Can Malës (të dërguar në vendin tonë nga UDB-ja), ky i fundit është interesuar që të mësojë vendbanimin e Halit Memisë.

Përveç këtyre që deponon agenti i UDB-së Coll Sokoli, është për t’u shënuar fakti se në dhjetorin e vjetit 1946, Tahir Hoxha me bandën e tij janë rrethuar në shtëpinë e Halit Memisë, por kanë shpëtuar.

Ky është një fakt që provon lidhjet e Tahir Hoxhës me familjen e Halitit dhe në të njëjtën kohë dhe të Halitit vetë, sepse nuk mund të kuptohet se familja e tij të jetë e lidhur me diversantët dhe Haliti të mos ketë dijeni, ose të mos ketë gisht në këtë mes.

Idriz Mulosmani – kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit B. Curri, ka rrethin familjar dhe krushqinë, jo të mirë.

Çështja e tij qëndron si më poshtë: Një far Sali Tahiri, (katundar nga katundet e Rrethit B.Curri, aktualisht i arratisur në Jugosllavi), takohet me shokun Bajram Haxhija, nëpunës në Komitetin e Partisë dhe i thotë se në një bisedim që kishte pasur Saliu me një farë Mehmet Rama, teknik bujqësor i Rrethit, ky i fundit i kishte thënë se Idriz Mulosmani duhet të kishte lidhje me UDB-në. Këtë informatë, Bajram Haxhija ia raporton edhe Komitetit të Partisë edhe Sigurimit të Tropojës. Për të sqaruar çështjen, u vendos që të thërritej Mehmet Rama dhe të pyetej nga organet e Sigurimit dhe kështu u veprua. Në fillim Mehmet Rama hezitoi që të tregonte hollësisht, masandaj deponoi si më poshtë: Aty nga fundi i vjetit 1951 ose fillimi i vjetit 1952, ka qenë thërritur nga Mustafa Avdullaj, (ish-shefi i Seksionit të Bujqësisë në Komitetin Ekzekutiv, tash i burgosur si agent i UDB-së) në zyrën e tij dhe tue qenë vetëm, Mustafaj i tregoi një letër që ia dërgonte (Mustafa Avdullajt), Nik Sokoli. Me anë të kësaj letre, Nik Sokoli i kërkonte informata nga “Shoku” i Partisë, nga “Shoku” i Pushtetit” dhe nga “Shoku” i Ushtrisë. Sipas interpretimit të Mehmet Ramës, “Shoku” i Partisë, ishte Zenel Bardhi, i pushtetit, vetë Mustafa Avdullaj dhe i Ushtrisë, Idriz Mulosmani, i cili në atë kohë ishte kryetar i Degës Ushtarake të Rrethit të Tropojës.

Kaq ka sjarue Mehmet Rama, megjithëse ai duhet të dijë shumë më tepër, sepse vetëkuptohet që ai ka qenë bashkëpunëtor i Mustafa Avdullaut, nuk mund të kuptohet ndryshe ky takim. Mustafa Avdullau, sot është në burg si agent i UDB-së asht pyetur rreth këtyre, por nuk ka deponuar asgjë dhe Mehmet Rama asht në përpunim nga Dega e Tropojës.

Një burim tjetër na informon se në një bisedim që kishte me Mustafa Avdullahun, ky i fundit i kishte thënë se UDB-ja e kishte ngarkuar (Mustafën) që t’ia mbushte mendjen Idriz Mulosmanit që të bashkëpunonte me UDB-në.

Siç shifet, këtu jemi përpara dy rrugëve: që Idriz Mulosmani ka lidhje me UDB-në dhe nga ana tjetër UDB-ja po përpiqet që ta bëjë atë për vete. Kjo çështje mbetet për t’u sqaruar: mundet që Idrizi të ketë pasur lidhje dhe të vazhdojë të ketë akoma dhe për të maskuar këto lidhje, UDB-ja udhëzon agentët e saj të hapin fjalë, se gjoja ajo, (UDB-ja), tenton për ta rekrutuar ose mund të jetë e vërtetë kjo e fundit, dmth., që UDB-ja tenton për ta rekrutuar Idriz Mulosmanin ose i bën të gjitha këto për t’a kompromentuar.

Çel Shabani – kryetar i Komitetit të Partisë dhe drejtor i Ndërmarrjes së Ndërtimit, fshatar i mesëm, gjatë luftës ka qenë pak kohë milic, ka për grua të bijën e agentit të UDB-së, Hoxh Dusha,i cili ka vdek në burg.

Në procesverbalin e tij, agenti i UDB-së, Coll Sokoli deponon në vjetin 1945-1946, Çel Shabani asht takuar me diversantin Tahir Hoxha dhe bandën e tij dhe u ka premtuar se do të bashkëpunojë me ta.

Përveç kësaj të dhëne, organet e Sigurimit nuk disponojnë gjë tjetër për Çel Shabanin.

Zef Halili – shef i Seksionit t’Bujqësisë në Komitetin Ekzekutiv, fshatar i mesëm, ka qenë ushtar në Milicinë Fashiste, ka kryer tre vjet kurs në Itali për roje finance, gjatë luftës ka qenë për një kohë sekretar Komune.

I quajtur Mehmet Rama, (teknik bujqësor), i cili zihet në gojë në pjesën e relacionit ku flitet për Idriz Mulosmanin, kur asht pyetur nga Sigurimi për të treguar shkaqet përse ai nuk ka informuar për ato që dinte dhe të raportojë rreth Mustafa Avdullajt dhe Idriz Mulosmanit, ka deponuar se ia kishte raportuar në parë, Zef Halilit po ky i fundit i pat thënë që të mos merrej me gjëra të tilla dhe të mos ia tregonte kujt, se këto i takojnë Sigurimit dhe ky i fundit le t’i zbulojë vetë.

Asgjë tjetër për sa më sipër nuk kemi për Zef Halilin.

Zef Avdija – shef i Seksionit të Shëndetësisë në Komitetin Ekzekutiv, në vjetin 1939 ka mbaruar n’Itali për roje finance dhe ka shërbyer në këtë armë deri në vjetin 1943. Në shtator të vjetit 1943 ka marrë pjesë në një mbledhje të bajraktarëve të rrethit të Tropojës e Dukagjinit, që u bë në Plavë (Jugosllavi) nën kryesinë e Xhafer Devës dhe në fillim të vitit 1944 ka dalë partizan.

Zef Avdija asht në përpunim agjentural. Për këtë kemi të dhëna agjenturale, të cilat reagojnë se në vjetin 1945-1946 kur ishte komandant kompanie me forcat e Mbrojtjes nuk ka treguar interes në ndjekjen e banditit Nik Sokoli, po përkundrazi e ndihmonte Nikën, tue e informuar mbi lëvizjet e forcave ndjekëse.

Në biseda që ka zhvilluar me agjentin tonë rreth pushtetit, u ka thënë se, ky pushtet po i merr gjithçka popullit, e fjalë të tjera të kësaj natyre.

Bajram Vidrica – drejtor i Grumbullimit në Rrethin B.Curri, fshatar i mesëm.

Në qershorin e vjetit të kaluar i kanë shkuar në shtëpinë e tij diversantët Can Mala, Sali Tahiri, etj. Takimi që ai pati me diversantët që i kishin hyrë në shtëpinë e tij e denoncoi me nji herë tue e paraqitur se diversantët i kishin hyrë në shtëpi kundër vullnetit të tij. Përveç kësaj, nëna e Bajram Vidricës ka njoftuar në qershor të këtij vjeti se në livadh afër shtëpisë së saj kish diktuar tre diversantë, të cilët e thërritën të shkonte tek ata, por ajo nuk pranoi.

Megjithëse Bajram Vidrica i ka denoncue vetë këto gjëra, ai është i dyshimtë sepse: Si është e mundur që diversantët t’i shkojnë në shtëpi me zor dhe të mos i bëjnë gjë? Përse këta diversantë vërtiten pa punë rreth shtëpisë së tij?!

Shaban Haxhija – drejtor i Ndërmarrjes Industriale në Rreth.

Në procesverbalin e tij, agjenti i UDB-së, Xhem Sadrija (në burg), midis të tjerave deponon se në Korrikun e vjetit 1951, kur është takuar me diversantin Halil Mehmetin, ky i fundit i ka pas dhënë një letër për Shaban Haxhinë, tue e porositur në të njëjtën kohë që t’i thonte Shabanit të shkonte në vendin e quajtur Boka e T’planit për t’u takuar me Halit Mehmetin.

Këtë letër Xhem Sadrija ia ka dorëzuar Shaban Haxhisë dhe i ka thënë edhe porositë e tjera që kish marrë nga diversanti, por Shabani nuk ka pranuar as të takohet, as të krijojë lidhje me diversantët. Ky është një fakt pozitiv për Shaban Haxhinë, mirëpo ai as letrën nuk e denoncoi dhe as që informoi njeri për këtë ngjarje. Këtu qëndron dyshimi rreth Shaban Haxhisë.

Shaban Rexhepi- n/drejtor i Kooperativës së Konsumit dhe sekretar i Organizatës Bazë në atë objekt.

Dy dajallarët e tij, Sali dhe Nezir Meta janë të arratisur në Jugosllavi dhe dërgohen si diversantë nga UDB-ja. Si nga të dhënat e agjenturës, ashtu edhe nga hetuesia e zhvilluar kundra agjentëve të UDB-së, të arrestuar gjatë këtij viti, rezulton se Shaban Rexhepi ka mbajtur dhe mban lidhje me dy dajot e tij diversantë dhe kryen detyrat që ata i ngarkojnë. Këto të dhëna janë në një përqindje të madhe të vërtetuara dhe nga Dega e Tropojës, që ka propozuar arrestimin e tij. Për të vendosur mbi këtë çështje i është kërkuar kryetarit të Degës një relacion i hollësishëm, ku të analizohet e gjithë veprimtaria e Shaban Rexhepit, në mënyrë që në bazë të tij (raportit), të mund të vendosim drejt mbi masat që do të marrim.

Ndue e Ded Gjeloshi – të dy vëllezër, fshatarë të mesëm merren me bujqësi në katundin Selcë të Rrethit të Tropojës.

Kemi të dhëna nga disa burime agjenturale se në vjetin 1951 janë takuar me diversantët Ndue Noshi, Pal Çeka, etj., të cilët i kanë strehuar dhe i kanë furnizuar. Gjithashtu, të njëjtat burime informojnë se Nduja dhe Deda mbajnë lidhje me elementë armiq në katund dhe hedhin parulla. Këto të dhëna konsiderohen të vërteta.

Për të 10 anëtarët e Partisë që bëhet fjalë më sipër është njoftuar me një herë sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit B.Curri, ndërsa për Idriz Mulosmanin është vënë në dijeni K.Q. me datë 23/V/1951.

Përveç të dhënave që implikojnë Anëtarët e Partisë të mësipërm, nga hetuesia e zhvilluar kundra agjentëve të UDB-së gjatë këtij vitit në Degën e Tropojës kanë dalë edhe materiale të tjera të kësaj natyre, që bëjnë fjalë mbi bashkëpunimin me armikun të 4 anëtarëve të Partisë, punonjës të organeve të Punëve të Brendshme të Rrethit Tropojë që janë:                                                                                                           1- Marshall, Can Mala – përgjegjësi i Sekretarisë dhe i Kartotekës së Sigurimit.

2-Marshall, Jonuz Hetemi-referent i Ushqimit (Prapavijës).

3- Kapter, Ram Dega – referent i zbatimit të dënimeve (Polici).

4- Kapter, Zenel Xheli- Punëtor politik i Postës së Nikajt (Polici).

Materialet në drejtim të këtyre të fundit janë të pavërtetuara, por megjithatë kemi marrë këto masa:

1- Marshall Can Mala është transferuar dhe është vënë në dispozicion të Degës së Beratit.

2- Kapter Zenel Xheli është vënë në dispozicion të degës së qytetit B. Curri dhe dy të tjerët me rastin e organizimit do të transferohen nga ai rreth dhe njëri mbas tjetrit do të nxirren në lirim.

KONKLUZION

Nga të dhënat e mësipërme del qartë se:

UDB-ja zhvillon nji veprimtari të gjerë spiunazhi në Rrethin e Tropojës dhe pikësynimet e saj janë Komiteti i Partisë, Komiteti Ekzekutiv dhe Dega e Brendshme.

Se UDB-ja mundohet të kompromentojë dhe të rekrutojë më vonë anëtarë Partie me përgjegjësi në atë rreth.

Tue qenë se anëtarët e Partisë për të cilët bëhet fjalë janë në përgjithësi kuadro me përgjegjësi në Parti dhe pushtet, të dhënat që kanë dalë për secilin nga agjentura ose nga hetuesia duhen analizuar mirë dhe duhen vërtetuar. Por, tue qenë se pjesa më e madhe e këtyre materialeve bëjnë fjalë për veprimtari të vjetër dhe është e nevojshme të drejtohet agjentura në drejtim të anëtarëve të Partisë për të cilët bëhet fjalë, propozojmë vënien e tyre në përpunim agjentural.

MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME

GJENERAL-LEITNANT

(MEHMET SHEHU)/ Memorie.al

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë