Raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder komentoi edhe raportin e OSBE/ ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit dhe akuzat e bëra nga opozita. Ai tha se ka një tendencë për ta dramatizuar më shumë seç duhet, duke nënkuptuar akuzat e opozitarëve, por shtoi se palët duhet të ulen dhe të trajtojnë këto rekomandime të bëra. Ai thotë se në vend që të bëhet “show politik”, duhet që të ulen të adresojnë këto rekomandime, të bëra prej kohësh nga ODIHR.
“Sinqerisht kur shoh zgjedhjet e fundit në Shqipëri, nëse janë lokale apo parlamentare, janë të njëjtët njerëz që thonë të njëjtat gjëra për çfarëdo lloj zgjedhjesh. Ka një lloj tendence në politikën shqiptare që t’i bëjnë gjërat më dramatike seç duhet. Disa përdorin fjalë për zgjedhjet që nuk i shikon fare në raport, kam parasysh ata që i bëjnë më dramatike seç duhet. Dhe iu them shikoni dhe lexoni raportin me kujdes. Flitet për shumë reforma aty. Thjesht duhet parë çfarë thotë raporti, është punuar me muaj të tërë nga OSBE/ODIHR. Raporti thotë se teknikisht ishin zgjedhje shumë të mira, moderne, por mbetet një listë reformash që duhet të ndërmerren që të balancohet dhe të ketë një fushë loje më të barabartë që dmth se janë disa çështje që duhen zgjidhur, financimi në zgjedhje, aksesi në media etj. Apeli im është të mos bëjmë show të madh, por të ulemi, ta marrim atë raport dhe të punojmë për zbatimin e asa cfarë thotë raporti. Se shumë prej tyre kanë qenë edhe në raportin e parafundit. Pra të zbatohet sa më mirë të jetë e mundur. Nuk është çështja është qeveria të zbatojë gjërat kundër opozitës, por e mira e zgjedhjeve është se përzihen ato kartat dhe nis loja nga fillimi. Nuk e di nëse do jesh në qeveri ose jo. Rregullat e mira çojnë në zgjedhje të mira.", tha ai.
Lajmi kryesor:
Schieder: Shqipëria zgjodhi formën më 'radikale' për të reformuar drejtësinë! Jo show politik, të adresohen rekomandimet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet










