Raporti i prokurorit Jack Smith: Trump do të dënohej nëse nuk do të ishte zgjedhur president

Raporti i prokurorit Jack Smith: Trump do të dënohej nëse nuk do të ishte zgjedhur president

Donald Trump

New York-Donald Trump "nuk u shpall i pafajshëm" për "përpjekjen e tij kriminale të paprecedentë" për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe "do të ishte dënuar nëse nuk do të ishte zgjedhur."

Kjo del në raportin përfundimtar të Prokurorit të Posaçëm Jack Smith, pas miratimit për publikim nga një gjykatës në Florida. Ekipi ligjor i presidentit të zgjedhur kishte kundërshtuar prej kohësh publikimin e dokumentit.

Duke komentuar përfundimet e hetimit, Trump e quajti Smith një njeri "të çmendur". Prokurori i posaçëm pohon në raportin prej 137 faqesh se manjati nuk u dënua vetëm sepse fitoi Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024, duke detyruar Departamentin e Drejtësisë të mbyllte një aktakuzë historike.

"Qëndrimi i departamentit," shkruan prokurori, "se Kushtetuta ndalon ngritjen e aktakuzës dhe ndjekjen penale të një presidenti është kategorik dhe nuk varet nga ashpërsia e krimeve të pretenduara, forca e provave të qeverisë apo meritat e hetimit."

"Provat e pranuara," vazhdon ai, "u konsideruan të mjaftueshme për të fituar dhe mbajtur një dënim."

Smith, i emëruar për të udhëhequr hetimin federal në nëntor të vitit 2022, dha dorëheqjen nga posti i tij javën e kaluar. Për shkak të vendimit të gjykatës, Departamenti i Drejtësisë ka klasifikuar për momentin pjesën e dytë të raportit përfundimtar, e cila detajon hetimin e lidhur me një aspekt tjetër të hetimit federal: transferimin e paligjshëm të dosjeve 'tepër sekrete' nga Shtëpia e Bardhë në rezidencën e Trump-it në Mar-a-Lago, Florida, dhe akuzat që çuan në ngritjen e padisë ndaj manjatit.

Pjesa që lidhet me përpjekjen për të përmbysur rezultatin zgjedhor përmban një sasi të madhe provash të mbledhura nga hetuesit federalë gjatë një hetimi dyvjeçar që nuk arriti kurrë në gjyq. Shumë nga këto prova ishin bërë tashmë publike gjatë mandatit të Smith-it.

Raporti bazohet në 250 intervista të kryera nga stafi i prokurorit, si dhe në informacione të mbledhura nga juria e madhe dhe të paraqitura nga 55 dëshmitarë, përveç transkriptimeve të hetimeve të kryera nga Kongresi. Dokumenti përshkruan një skemë me shumë nivele të orkestruar nga Trump për të qëndruar në pushtet pavarësisht humbjes së tij. Sipas Smith-it, plani përfshinte përhapjen e informacionit të rremë mbi integritetin e votës, për të mbjellë dyshime tek votuesit mbi legjitimitetin e zgjedhjeve. Së bashku me të tjerë, Trump dyshohet se u kërkoi zyrtarëve republikanë në disa shtete të nënshkruanin dokumente të rreme që vërtetonin fitoren e tij.

Smith argumenton se shumë nga këta "elektorë" të rremë, të cilët supozohej të vërtetonin fitoren e Trump-it, u mashtruan nga ish-presidenti dhe aleatët e tij, duke u bindur të vepronin me besimin se kjo ishte thelbësore për suksesin në betejat e shumta ligjore që ishin nisur në atë kohë. Në vend të kësaj, Trump dhe të dyshuarit e tjerë konspiratorë, të mposhtur në çdo gjykatë, përdorën certifikatat e nënshkruara nga elektorët e rremë "si shtyllën kryesore të përpjekjeve të tyre për të bllokuar Kongresin që të certifikonte rezultatet zgjedhore më 6 janar 2021."

Reagimi i presidentit të zgjedhur ishte i menjëhershëm: "Smith," shkroi ai në platformën sociale Truth, "nuk arriti të ndiqte me sukses kundërshtarin politik të shefit të tij, Joe Biden-in e pandershëm," duke përfunduar me "shkrimin e një raporti tjetër bazuar në informacione që komiteti i paemëruar i kriminelëve dhe mashtruesve politikë i shkatërroi dhe fshiu ilegalisht sepse tregonte se sa të pafajshëm isha dhe sa të fajshëm ishin Nancy Pelosi (ish-Speaker-i i Dhomës, shën.) dhe të tjerë."

"Jack," shtoi Trump në Truth, "është një prokuror pa tru që nuk arriti ta çonte çështjen e tij në gjyq para zgjedhjeve, të cilat i fitova me shumicë të madhe. Votuesit kanë folur!!!"

Një pjesë e raportit të Smith-it u dërgua në Kongres gjatë natës./La Repubblica.

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Ndikimi i Trump në Shqipëri, Galdini: Presidenca e tij do u dalë shtrenjtë politikanëve tanë! SPAK do trokasë në dyert e tyre

Ndikimi i Trump në Shqipëri, Galdini: Presidenca e tij do u dalë shtrenjtë politikanëve tanë! SPAK do trokasë në dyert e tyre