Në raportin e hartuar për vitin 2025, SPAK flet për një nivel të lartë të veprimit të krimit të organizuar. Prokuroria e Posaçme evidenton se Shqipëria përdoret për pastrimin e parave me prejardhje nga krimi ndërsa aktiviteti i paligjshëm zhvillohet jashtë vendi.

KRIMI I ORGANIZUAR

Gjatë vitit 2025, vihet re se, aktiviteti i grupeve kriminale ka shfaqur një nivel të lartë organizimi, specializimi dhe të shtrirjes ndërkombëtare, veçanërisht në trafikimin e kokainës dhe drogave të tjera drejt tregjeve të BE-së. Këto grupe kanë operuar përmes zinxhirëve të mirëorganizuar të furnizimit, transportit, magazinimit, shpërndarjes dhe transferimit të përfitimeve financiare, duke shfrytëzuar rrugët detare, ajrore, tokësore dhe infrastrukturën financiare ndërkombëtare.

Veprimtaria kriminale karakterizohet nga një ndarje e qartë e roleve, përdorimi i komunikimeve të enkriptuara, krijimi i subjekteve tregtare fiktive. Po ashtu, trafiku i narkotikëve është ndërthurur me forma të tjera të korrupsionit, pastrimit të parave, duke rritur ndjeshëm rrezikshmërinë dhe kompleksitetin e grupeve kriminale, që veprojnë në Shqipëri, apo atyre që drejtohen ose dominohen nga shtetas me kombësi shqiptare, jashtë vendit. Vihet re se, shumica e aktiviteteve të rënda kriminale të këtyre grupeve zhvillohet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, ndërsa Shqipëria përdoret kryesisht për pastrimin e produkteve të veprës penale, si vend tranziti, rekrutimi dhe qendër koordinimi, e aktiviteteve kriminale kryesore.


Lajmi kryesor:

Puna e SPAK/ Report Tv siguron raportin: 45.5 mln euro pasuri e sekuestruar dhe konfiskuar gjatë 2025-ës