Si pasojë e dukshme e paqartësisë politike në prag të zgjedhjeve, treguesi i ndjesisë ekonomike në tremujorin e dytë të vitit 2017 ka shënua rënie me 9.7 pikë krahasuar me tremujorin e mëparshëm, raporton Banka e Shqipërisë.

Niveli më i ulët i treguesit pasqyroi rënien e treguesve të besimit në shërbime dhe në tregti, ndërkohë që besimi i bizneseve të ndërtimit, të industrisë, si dhe besimi i konsumatorëve rezultoi i përmirësuar. Me gjithë këtë zhvillim, niveli aktual i TNE-së në tremujorin në analizë vazhdon të mbetet mbi mesataren afatgjatë të tij dhe më lart nivelit të shënuar në të njëjtën periudhë një vit më pare.

Treguesi i besimit në sektorin e industrisë vijoi të rritet me 4.5 pikë përqindje për të dytin tremujor radhazi. Rritja e TBI-së pasqyroi kryesisht dinamikën pozitive të balancës së kontratave porositëse (+10.1 pikë përqindje), ndërkohë që edhe gjendja financiare e bizneseve të sektorit rezultoi e përmirësuar.

Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit vazhdoi tendencën rritëse edhe në tremujorin e dytë (+1.7 pikë përqindje), duke e zhvendosur atë lehtësisht mbi mesataren historike të tij. Të dyja balancat përbërëse të TBN-së, kontratat porositëse dhe aktiviteti ndërtues, rezultuan më të larta kundrejt tremujorit të mëparshëm.

Ndërsa, pas rritjes për tre tremujorë radhazi, treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve rezultoi me rënie 18% në tremujorin e dytë të këtij viti, por duke mbetur mbi vlerën e shënuar një vit më parë (+17.1 pikë përqindje) dhe mbi mesataren historike (+9.5 pikë përqindje.

Edhe treguesi i besimit në sektorin e tregtisë ra me 3.9 pikë përqindje, por mbetet mbi mesataren historike .

Nga ana e tij, treguesi i besimit konsumator u rrit me 1.2 pikë përqindje në tremujorin e dytë. TBK-ja qëndron rreth 3.3 pikë përqindje mbi mesataren e tij historike. 

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com