TIRANE- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, u ka dërguar një letër kryetarëve të komisioneve parlamentare ku përcaktohet axhenda e Kuvendit, gjatë sesionit të ardhshëm parlamentar, duke theksuar 5 prioritetet e Shqipërisë në procesin e integrimit. Në dokument me 15 pika, duket se Meta ka shprehur dhe shqetësimin për atë çfarë nuk shkon në zbatimin e rekomandimeve të BE.

Meta sugjeron që deputetët të ushtrojnë kontroll ndaj ekzekutivit nëpërmjet interpelancave si dhe të sigurojnë pavarësinë e institucioneve të pavarura por dhe të ushtrojnë autoritetin e kontrollit. Një pikë e rëndësishme mbetet monitorimi i zbatimit të rekomandimeve të BE-së. Krahas miratimit të ligjeve, të cilat mbeten kryefjalë e Planit të Veprimit, të cilin kryetari i Kuvendit ua ka shpërndarë kryetarëve të komisioneve, parashikohet që për vitin e ardhshëm Kuvendi të rrisë rolin e tij kontrollues ndaj institucioneve të pavarura.