'Raporti sekret i Sigurimit: Dogana gjermane hapi e kontrolloi pakon që më kishin dhënë familja e Mehmet Shehut', denoncimi i ish-ministrit Perikli Teta, nëntor 1982

'Raporti sekret i Sigurimit: Dogana gjermane hapi e kontrolloi pakon që më kishin dhënë familja e Mehmet Shehut', denoncimi i ish-ministrit Perikli Teta, nëntor 1982

“Unë, kisha qenë dhe një vit më parë në Suedi, dhe atëherë ai banonte në një apartament tjetër, kurse tani e kishte ndërruar. Apartamenti, ishte më i madh dhe më luksoz. Ganiu, i solli pantoflat, ndërsa Skënderi hoqi këpucët, shenja këto të një edukate të keqe…! Në tavolinë, na gostitën dhe me ushqimet që pashë në aparat, në Berlin. Mendova që këto pako, i bënin gratë duke i dërguar ushqim djalit, por gjatë darkës, Gani Kodra më dha kutinë e duhanit që të dridhja një cigare, dhe më tha që, ja kishte dërguar Mehmet Shehu si peshqesh. Pra, për pakot dhe ky, kishte dijeni të plotë. Këto pako, kanë qenë të vazhdueshme, pasi më kujtoheshin, duke na ndihmuar, një shofer më tha: ‘Po këto pako, të djalit janë’? Unë i thashë se nuk e di. Ai u përgjigj që: Të atij janë, mbasi neve, i kemi parë shpesh këtu, që të kalojnë dhe i njohim, – pastaj shtoj se; – kanë qenë edhe të tjerë në Suedi, por për ata, nuk kemi parë pako të tilla”.

Kështu thuhet në mes të tjerash në një raport-informacion që mban datën 26.11.1982, ku inxhinieri ushtarak i Aviacionit, Perikli Teta, me shkrimin e tij, ka bërë një rezyme të hollësishme e të detajuar, mbi udhëtimet e tij në disa vende të Europës ku ai, bashkë me disa kolegë të tij, ishte dërguar me shërbim për probleme pune, nga eprorët e tij të Ministrisë së Mbrojtjes, si ministri Kadri Hazbiu, zv/ministri Nazar Berberi, apo dhe vetë kryeministri asaj kohe, Mehmet Shehu.

Ndonëse shërbimet që kishte kryer inxhinieri ushtarak, Perikli Teta, i përkisnin muajve të parë të vitit 1981, e më përpara, raport-informacioni në fjalë, është bërë në nëntorin e vitit 1982, vetëm pak kohë pasi ishte arrestuar ministri i Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, ministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, ministri i Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, ministri i Punëve të Jashtme, Nesti Nase, etj., (të cilët akuzoheshin si: “bashkëpunëtorë të ngushtë të poli-agjentit Mehmet Shehu”), ku me porosi nga Komiteti Qendror i PPSH-së dhe personalisht nga Enver Hoxha, u kërkohej të gjithë kuadrove, anëtarëve të partisë, etj., të jepnin të dhëna me shkrim, për gjithçka ata dinin për “Grupin armiqësor të Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut”.

Në këtë kontekst, në atë kohë, në drejtim të Komitetit Qendror të PPSH-së, madje personalisht në adresë të sekretarit të Përgjithshëm Enver Hoxha, si dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit etj., vërshuan një numër i madh letrash, me dëshmi, raporte, informacione e denoncime, nga individë të profesioneve të ndryshme, kryesisht ish-ushtarakë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, (Sigurimit të Shtetit) dhe asaj të Mbrojtjes Popullore, ku pjesa më e madhe e tyre, kishin pasur lidhje pune, me pjesëtarët e “Grupit armiqësor të Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut”.

Pjesa më e madhe e autorëve të këtyre letrave, e bënin atë gjë mbi baza vullnetare, duke menduar se: “po i shërbenin Partisë dhe shokut Enver”, kurse një pjesë tjetër, u detyruan që t’i shkruanin këto letra, pasi u thirrën nga organet kompetente të Sigurimit të Shtetit, për të dhënë dëshmitë e tyre, kurse anëtarët e partisë, e kishin për detyrë që t’i ngrinin ato probleme në mbledhjet e organizatave bazë.

Në këtë kuadër, është dhe letra ish-inxhinierit ushtarak, Perikli Teta, (pas viteve ’90-të u angazhua në politikë, madje duke mbajtur për disa vjet edhe postin e Ministrit të Mbrojtjes, në qeverinë e Stabilitetit me kryeministër, Bashkim Finon), i cili kishte pasur lidhje pune, si me ministrin Kadri Hazbiu, ashtu dhe me kryeministrin, Mehmet Shehu, madje, duke marrë prej tij edhe porosi të ndryshme të karakterit privat, si për Fiqret Shehun ku ajo ndodhej në Vjenë, apo dhe për të birin e tyre, Skënderin, që asokohe ishte me studime në Suedi. Për më shumë rreth kësaj, etj., na njeh dokumenti me letra e tij, (e cila është nxjerrë nga Autoriteti për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), që publikohet për herë të parë nga Memorie.al

Dokumenti sekret me raport-informacionin e inxhinierit ushtarak të Aviacionit, Perikli Teta, për Grupin Operativ të Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Për grupin Operativ

   26.11.1982

  Hekuran Isai

                                                                                                       Sekret

                                                                                                       Ekzemplar i vetëm

                                                                                                     Tiranë më 17.11.1982

                                              I N F O R M A C I O N

Kam qenë tre herë me shërbim në Suedi, për problemet e aviacionit (në muajt shkurt 1980, mars 1981, dhe maj 1981). Lidhja me firmën FFV të Aviacionit suedez, u bë për herë të parë nga një grup i Drejtorisë së Armatim-Municion me kryetar Gaqo Pojani, në muajin dhjetor 1979. Në këtë kohë Gaqo, më tha që; me urdhër të Mehmet Shehut, do të më japësh kërkesat, unë do të takohem me firmën, do t’jua paraqes, dhe më pas ju do të shkoni vetë atje.

Në janar 1980, na thanë se firma FFV, është e gatshme të na presë në muajin shkurt. Më 17 shkurt, bëmë vizitën tek firma të shoqëruar nga atasheu tregtar i ambasadës, Myfit Hazbiu. Në ambasadë, takova dhe Skënder Shehun, i cili më tha që, në dhjetor 1979, kishte qenë dhe ai tek firma PPV. Mbas kësaj suedezët kanë ardhur disa herë në Shqipëri për bisedime.

Nga Ministria e Tregtisë së Jashtme, problemin e trajtonte Jetnor Ramaj, nga Makina-Importi, Marsel Skëndo. Nga Aviacioni, përveç grupit të punës, jam marrë unë dhe komandanti i Aviacionit, Bardhyl Taçi. Mbas një viti, vajtëm përsëri për bisedime në Suedi (mars 1981). Kërkuan përfaqësues tregtar nga Makina-Importi pasi, bisedimet do të ishin tregtaro-teknike, por me këmbënguljen e Jetnor Ramës, nuk u pranua.

Ai na tha që, ka njoftuar Myfit Hazbiun në Stokholm dhe ai do të jetë shoqëruesi ynë. Para nisjes, na priti Kadri Hazbiu, Nazar Berberi dhe Jetnor Ramaj, po kështu edhe në kthim. Porositë ishin të përgjithshme, p.sh., të kërkonim uljen e çmimit, të jepnim për të kuptuar se, do të blinim shumë gjëra, etj.

Kur u kthyem, i raportuam përsëri Kadri Hazbiut në zyrë. Na tha që të bëjmë një informacion të hollësishëm, për Mehmet Shehun, dhe në këtë informacion, të vihen edhe mendimet e Jetnor Ramës i cili, duhet të firmoste informacionin. Pastaj, ne i thamë se deri në muajin shtator 1981, duhen dërguar disa mostra nga ana jonë në Suedi. Kadri Hazbiu ishte dakord (ishte 17 prill 1981).

Para nisjes në aeroportin e Rinasit, na takoi një person dhe na tha që të merrnim 9 pako, për në ambasadën tonë në Suedi, duke na dhënë dhe një faturë ku, vërtetohej pagesa për transportin e mallit (rreth 60 kg). E pyeta se kush ishte dhe më tha që quhej Jonuz dhe punonte në Drejtorinë e Pritjes. Pakot kishin mbishkrimin: “Ambasadës së RPSSH, Stokholm Suedi”.

Rrugës nëpër aeroporte dhe dogana, u interesova për këtë pako. Përveç këtyre, kishin nga Nazar Berberi një shishe raki dhe një letër, po kështu nga Duro Shehu, për Skënder Shehun. Në Berlin, dogana deshi t’i hapte, por unë ngula këmbë se; ato janë pako zyrtare dhe atëherë policia, vendosi që t’i kalojë nga Rontgenoskopi. Futën dy prej tyre në aparat, dhe na thirrën që t’i shikonim në ekran.

Aty dukeshin shpendë të pjekur dhe pije të ndryshme të cilat, polici i shtyu me neveri duke sharë. Në stacionin e trenit, në Stokholm, na pritën Gani Kodra, Skënder Shehu, dhe Myfit Hazbiu. Pasi Ganiu ngarkoi në veturë 9 pakot, Skënderi na ftoi për darkë në shtëpinë e tij dhe u largua. Vajtëm për darkë tek Skënder Shehu, unë dhe tre shokët e mi.

Unë, kisha qenë dhe një vit më parë, dhe atëherë ai banonte në një apartament tjetër, kurse tani e kishte ndërruar. Apartamenti, ishte më i madh dhe më luksoz. Ganiu, i solli pantoflat, ndërsa Skënderi hoqi këpucët, shenja këto të një edukate të keqe…! Në tavolinë, na gostitën dhe me ushqimet që pashë në aparat, në Berlin.

Mendova që këto pako, i bënin gratë duke i dërguar ushqim djalit, por gjatë darkës, Gani Kodra më dha kutinë e duhanit që të dridhja një cigare, dhe më tha që, ja kishte dërguar Mehmet Shehu si peshqesh. Pra, për pakot dhe ky, kishte dijeni të plotë. Këto pako, kanë qenë të vazhdueshme, pasi më kujtoheshin, duke na ndihmuar, një shofer më tha: “Po këto pako, të djalit janë”?

Unë i thashë se nuk e di. Ai u përgjigj që: “Të atij janë, mbasi neve, i kemi parë shpesh këtu, që të kalojnë dhe i njohim, pastaj shtoj; se – kanë qenë edhe të tjerë në Suedi, por për ata, nuk kemi parë pako të tilla”. Nuk i dhashë përgjigje për këtë problem.

Rreth datës 20.4.1981, na thirri në zyrë, mua dhe komandantin e Aviacionit, Nazar Berberi. Aty ishte dhe Jetnor Rama e Bardha Shehu. Nazari, tha se, duhet të përgatisnim mostrat urgjent për në Suedi, dhe unë t’i çoja ato tek firma për të bërë sqarimet teknike përkatëse.

Neve ju thamë se; dërgimi i mostrave nuk është urgjent, por duhen dërguar më parë, teleks i firmuar, që të vinë urgjent në Tiranë dhe të konkludojnë për kontratat, mbasi ato kanë vlefshmëri dhe çmime, deri në 31. V. 1983. Ndërhyri Jentor Ramaj dhe tha që: “Neve e kemi studiuar problemin dhe faktikisht, duhet të japim mostrat atyre se, kështu i vëmë ata para përgjegjësisë dhe kjo është për të mirën e punës”. Neve përgatitëm mostrat dhe i kishim gati në depo.

Mbas dy tre ditësh, më thërret Nazar Berberi dhe më jep një shkresë të hapur për t’ja dërguar ministrit të Tregtisë së Jashtme, ku thuhej: “Për nevoja tona, caktoni shoferin Piro Dena, të transportojë disa mallra për në Suedi,- dhe shtoj, -ky person, është marrë edhe më parë me këtë problem”.

Më datën 4. V. 1981, mbas dite, na njoftuan që të nisemi për në Shkodër dhe të nesërmen të kalonim kufirin nëpërmjet Hanit të Hotit. Takova Spiro Denën, i cili kishte përfunduar të gjitha formalitetet, vizat përkatëse, urdhrin e shërbimit, kishte tërhequr edhe valutën (këtë të fundit, shkuam të dy në bankë).

Në orën 19.00, vajta tek Nazar Berberi dhe e pyeta nëse kishte ndonjë udhëzim për të më dhënë, më tha se nuk kishte gjë. Vajta tek Jetnor Ramaj dhe e pyeta edhe atë, më tha që kam urdhëruar Piro Denën.

Vajta tek ish-sekretari i Komitetit të Partisë së Aviacionit, Duro Shehu, ai nuk më tha asgjë për shërbimin, por më dha një pako, për të bijën, që mjekohej në Vjenë dhe një pako për ambasadorin, që: “kjo i takon Fiqretes dhe duhet bërë kujdes se, mos na humbas”, zarfin, ai e mbajti në valixhe. Mendoj se në zarf, kishte një çek, megjithëse këtë ai nuk ma tha.

Në darkën e 6 majit 1981, rreth orës 21.00, mbërritëm në ambasadën tonë në Vjenë. Aty nuk kishte njeri, përveç dezhurnit. Piro, i telefonoi Kujtim Bratit, i cili erdhi mori pakot për vajzën e Duros.

E pyeta Kujtimin se çfarë e lidhte atë me familjen Shehu, që mbante në shtëpi vajzën e Duros?! Ai më tha diçka, për një lidhje familjare me gruan e Duros. Të nesërmen, takuam ambasadorin Musin Kroi, biseduam për gjëra të parëndësishme.

Rreth orës 10.00, shkuam në një apartament afër ambasadës, u futëm në paradhomën ku na pritën 2-3 shoqërues të Fiqretes. Spiro u fut në dhomë dhe e takoi atë. Nga paradhoma, dëgjova që ajo e pyeti; pse erdhët kaq vonë? Spiro i tha se; na vonuan vizat jugosllave, na i dhanë për një muaj.

Kur doli Spirua, më tha se duhet të marrim pakot me vete, për në Suedi, mbasi ajo dhe grupi shoqërues, do të vinin me avion. Arsyeja që ne, do të merrnim bagazhin (pakot) me vete, ishte të lehtësoheshin ata dhe të mos bënin pagesë për avionin. Mbas kësaj, u nisëm për në Çekosllovaki, kaluam natën atje dhe të nesërmen, udhëtuam për në Republikën Demokratike Gjermane, prej ku vajtëm në Suedi.

Në Suedi, mbërritëm më datën 10.5.1981, në darkë. Aty erdhi dhe më takoi Gani Kodra, i cili mori pakot. Pas kësaj, në hotel na mori në telefon, Skënder Shehu (bisedoi me Spiron). Kur Spiro mbylli telefonin, më tha që; të shkojmë të takojmë Skënderin se, na ka kërkuar.

Unë nuk pranova të shkoja, jam më i madh se ai në moshë dhe i takonte atij të vinte dhe të më takonte, pasi unë vija nga Shqipëria, kështu që Spirua, vajti vetëm. Kur u kthye më tha: “Bërë shumë gabim që nuk vajte, sepse atij i mbeti shumë qefi”.

Të nesërmen në mëngjes (maj), Spirua më tha që; ishte vendosur nga Tirana që unë do të kthehesha në Shqipëri, ndërsa ai do të qëndronte me grupin e Fiqretes. U çudita shumë, pse nuk u sqaruan këto detyra në Tiranë, urdhri i shërbimit ishte i përbashkët, dhe vetëm për 15 ditë!

Më vonë, erdhi Gani Kodra, i cili më tha se; për këtë çështje, ai kishte biseduar me Jetnor Ramën dhe kishin rënë dakord që; unë të kthehesha vetëm, me avion, ndërsa Spirua, të qëndronte dhe që sot (11 maj 1981), pagesat t’i bëhet nga grupi i Fiqretes.

I shqetësuar nga ky vendim, i pasqaruar më parë, kërkova të takoj ambasadorin. Ai erdhi bashkë me Fiqretin dhe Skënderin. Pyeta ambasadorin, Dhimitër Lamani, se; nga kush është ky urdhër dhe çfarë duhet të bëjmë? Në vend të tij, u përgjigj Skënder Shehu dhe më tha se, të mos shqetësohem, mbasi është biseduar edhe me Nesti Nasen.

Në këto rrethana i kërkova ambasadorit leje, që të më rregullonte që të flija në ambasadë, mbasi Spirua, edhe për të fjetur, u largua, kështu që, nuk desha të rrija vetëm në hotel.

Më rregulluan në një kolltuk, deri ditën e largimit (të martën). Së bashku me dy shokë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ndodheshin atje me shërbim.

Këto janë konstatimet e mija, lidhur me familjen Shehu. Shikojmë që kishte diçka jo normale, e mendoja çështje që bëhet nga gratë si rezultat dobësisë për djalin. Nuk mendoja për probleme armiqësore. Tani që i bëri të qarta Partia, çdo gjë duket dhe duhet parë ndryshe. Për sa më sipër, kam njoftuar me shkrim, edhe organizatën bazë të Partisë.

Tiranë, më 13.11.1982                                                          Perikli Teta d.v.

   Punëtori Operativ

    Mujo Haxhiaj

Shënimi me shkrim dore në fund të dokumentit, nga shefi i Grupit Operativ, Enver Zeneli

 Shoku Ylli

Fotokopjen e origjinalit, ma sill se do të lidhet me një praktikë tjetër.

Të nxirren ekstrakte për të gjithë sa flitet në këtë materiale e t’i kalohen shokëve.

Bisedoni me shokun Hasan, nxirrni ç’ materiale ka për Bardha Shehun, e të konkludojmë.

Është e rëndësishme që, edhe këtë e kanë futur, si Skënder Shehun, në problemet e Mbrojtjes.

Kjo duhet marrë menjëherë në përpunim./Memorie.al

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Izraeli bombardon me raketa aeroportin ndërkombëtar të Sanas në Jemen, disa të lënduar

Izraeli bombardon me raketa aeroportin ndërkombëtar të Sanas në Jemen, disa të lënduar