Avokati i Popullit, Endri Shabani, zhvilloi një vizitë në Vlorë ku prezantoi Raportin Vjetor të Avokatit të Popullit për vitin 2025. Gjatë këtij takimi Shabani tha për mediat, se detyra e Avokatit të Popullit është të dëgjojë ankesat dhe kërkesat e qytetarëve.

Sipas Shabanit, në Vlorë kërkesat janë kryesisht për pronat dhe menaxhimin e tyre. Shabani thotë se ankesat e qytetarëve lidhen me Kadastrën dhe Avokati i Popullit do të hetojë çdo rast që lidhet me shpërdorimin e detyrës, tjetërsimin e pronave dhe ankesat e qytetarëve.

Endri Shabani theksoi gjithashtu se detyra e Avokatit të Popullit është të mbrojë të drejtat e qytetarëve dhe të jetë ndërmjetës për të zgjidhur kërkesat dhe ankesat e tyre.

“Pjesa më e lartë e ankesave të qytetarëve nga Vlora lidhen me kadastrën, me të drejtën e pronës që prej 36 vitësh ende nuk po i japin dot drejtim kësaj problematike, duke e çuar shpesh në konflikte. Në rast se ka gjygqtarë që zvarrisin gjyqet, ne po punojmë t’i evidentojmë ato”, tha Shabani.

I pyetur nga gazetarët, Shabani nënvizoi se Avokati i Popullit nuk mund të mbajë asnjë qëndrim mbi kërkesat e protestuesve. Detyra e tij është të evidentojë rastet kur te qytetarët cenohet e drejta e tyre apo kur institucionet, si Policia e Shtetit, shkelin përgjegjësitë e funksionimit të tyre.

“Qëndrimi është ai që ka qenë si në ditën e parë. Aty ku abuzohet dhe policia nuk garanton rendin, siç ishte rasti i Zvërnecit ne kemi marrë masa”, tha ndër të tjera ai ndër të tjera.

Ndërsa, për sa i përket komenteve negative të bëra në profilet e bizneseve në vend, Shabani, thotë se nuk ka informacionin e duhur, por nëse cenohet e drejta e shprehjes së lirë të qytetarëve, do të nisë një hetim për rastin dhe do të ketë një reagim zyrtar.

"Nuk e kam ndjekur këtë deklaratë të Hitës dje. Do ta vlerësojmë si rast pasi ta shohim", përfundoi ai.