Rastet e konfirmuar me fruth në vendin tonë, në total 18 gjatë vitit 2025, janë sporadike dhe jo situatë për t’u shqetësuar, - thotë shefja e programit të vaksinimit në ISHP, Rovena Daja.

“Në kalendarin tonë të vaksinimit, fruthi aplikohet me dy doza. Doza e parë në moshën 1 vjeç dhe doza e dytë në moshën 5 vjeç. Për shkak të uljes së mbulesës vaksinale me dy doza, nga 95% sipas OBSH, ne e kemi në vitet e fundit 92%. Dhe ulja e kësaj mbulese vaksinale ka çuar në raste sporadike me fruth. Në momentin që nuk i vaksinoni fëmijët në kohë, rriskoni të infektohen me fruth”, shpehet Rovena Daja, epidemiologe në ISHP.

Mjekja epidemiologe sqaron rastin e fundit të 3-vjeçarit të konfirmuar me fruth, i cili po trajtohet në pediatrinë infektive në QSUT, ku ndodhet i shtruar.

“Rasti i fundit i konfirmuar është një fëmijë i lindur jashtë vendit, ka ardhur në Shqipëri, por nuk i ka aplikuar vaksinat. Prindërit e mbajnë në shtëpi dhe në një moment të caktuar fëmija duhet të ketë rënë në kontakt me këtë virus, si i pa vaksinuar. Zinxhiri i infektimit është ndërprerë, pasi prindërit e tij janë të vaksinuar”, shpjegon mjekja.

Mjekja u bën thirrje prindërve të ndjekin kalendarin e vaksinimit për fëmijët për t’i mbrojtur nga sëmundjet infektive.

“Fruthi është sëmundje ngjitëse dhe jep pasoja goxha të rënda. Pneumoni, encefalit madje mund të çojë deri në vdekje”, - thotë Rovena Daja.

Nisur nga rastet e konfirmuar me fruth gjatë këtij viti që po mbyllim, mjekja veçon se të infektuar janë kryesisht fëmijë të pa vaksinuar ose të vaksinuar vetëm me një dozë.