Për rastin e zëvendës kryeministres Belinda Balluku nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme nën dyshimet për abuzime me procedurat e të paktën 8 tenderave, nga Tuneli i Llogarasë te lotet për Unazën e Madhe, politikani i njohur gjerman, pranoi se çështja “pati vëmendje gjatë takimeve tona”, dhe se ai kishte dijeni që nga Brukseli. Duke anashkaluar komentet ligjore, ai vuri në dukje megjithatë se rasti përfshin dhe “përgjegjshmërinë politike, e duhet zgjidhur nga qeveria”, për të shtuiar më tej, në një përgjigje të dytë, se kjo çështje “përbën një test kritik për Shqipërinë në luftën ndaj korrupsionit”. Sepse siç deklaroi, kjo luftë “është e nevojshme që të vijojë. Është bërë shumë në këtë fushë, por nuk jemi ende të kënaqur”.

Për nismën e shumicës, që mban firmën e kryeministrit Edi Rama për të ndaluar pezullimin nga detyra të anëtarëve të qeverisë përmes vendimeve gjyqësore, përgjigja erdhi nga ambasadori i Delegacionit të Bashkimit europian në Tiranë, Silvio Gonzato. “Ne i ndjekim nga afër të gjitha nismat që kanë lidhje me shtetin ligjor. Edhe që të mos prekin parimet e Reformës në Drejtësi të vitit 2016. Dhe presim që qeveria shqiptare të konsultohet me ne për çdo iniciativë”, tha Gonzato, duke lënë të kuptohet qartë se në këtë rast diçka e tillë nuk kishte ndodhur.

Procesi I bisedimeve për anëtarësim e vendos Shqipërinë në detyrimin për të harmonizuar legjislacionin e saj me normat europiane. Vendi ka hapur të gjithë grupkapitujt, dhe kjo për McAllister është “një arritje e fortë dhe mbresëlënëse në një kohë të shkurtër. Ne vazhdojmë që të mbështesim fuqimisht Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt integrimit europian dhe njohim rezultatet e forta”.

Por vendit i kërkohet të bëjë kujdes me drejtësinë “plotësim me staf të strukturave” të saj dhe “të mos ketë ndërhyrje politike. Politikanët të japin shembullin”, theksoi McAllister, ndërsa bëri të qartë se Brukseli kërkon të shohë “një reformë zgjedhore reale që të bëhet në kohë të mjaftueshme, që t’u adresohet rekomandimeve të OSBE-ODIHR dhe të jetë gjithëpërfshirëse me opozitën”.

Marrëdhëniet e acaruara mes palëve politike në Shqipëri kanë mbajtur shpesh peng realizimin e reformave të nevojshme. Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian pranoi se “jemi të shqetësuar për polarizimin politik. Duhet të ketë më shumë stabilitet dhe dialog politik në vend. Shumica duhet të krijojë hapësirë për opozitën dhe opozita të jetë më bashkëpunuese”.

Në javët e fundit përballja politike është shoqëruar dhe me demonstrimin e forcës nga opozita, mbështetësit e së cilës kanë sulmuar në mënyrë të përsëritur me molotov institucionet dhe forcat e policisë. Por dhe këtu McAllister ishte fare i qartë dhe i drejtpërdrejtë: “Protestat e dhunshme nuk kanë vend në demokracinë funksionale”.

Përfaqësues i të djathtës europiane, ku bën pjesë dhe Partia Demokratike , McAllister, sikundër dhe të gjithë zyrtarët apo diplomatët europianë, evitoi të takonte kreun democrat Sali Berisha, sepse nuk kishte gjetur dot kohën: “U takova me Bardhin, Tabakun dhe Vokshin, por nuk do të takohem me Berishën sepse do të iki në aeroport”, deklaroi McAllister.