Rasti i komplikuar i Julian Assange
Ekuadori vendos sot për azilin

Rasti i komplikuar i Julian Assange<br />Ekuadori vendos sot për azilin
Presidenti i Ekuadorit Rafael Correa ka lënë të kuptohet se shteti i tij do të vendosë gjatë ditës së sotme nëse do ta pranojë kërkesën për azil politik nga themeluesi i Wikileaks Julian Assange.

Assange vazhdon të strehohet në ambasadën ekuadoriane në Londër. Ai hyri në ambasadë, duke kërkuar azil politik, pasi drejtësia britanike i hodhi poshtë pretendimet e tij kundër ekstradimit në Suedi.

Assange u lirua me kusht nga policia britanike pasi përkrahës të tij mblodhën si garanci një shumë prej rreth 376.000 USD. Situata rezulton e komplikuar, pasi policia britanike thotë tani se Assange ka shkelur kushtet e lirimit duke hyrë në ambasadën e Ekuadorit.

Kjo sjell dy pasoja direkte. Së pari, mbështetësit e tij, mes të cilëve emra të njohur si regjisorët Ken Loach dhe Michael Moore, mund të humbin gjithë paratë që u vendosën si garanci për lirimin. Disa nga miqtë e tij që kishin paguar thanë se nuk e prisnin këtë veprim që kreu Assange.

Së dyti edhe nëse Ekuadori i jep Assange azil politik, policia britanike ka të drejtë ta arrestojë atë në momentin që del nga ambasada ekuadoriane. Nuk duket se Assange ka ndonjë mënyrë për të fluturuar drejt Ekuadorit pa dalë nga ambasada e këtij shteti nëpër rrugët e Londrës.

Suedia kërkon ekstradimin për ta marrë në pyetje zotin Assange, pasi është akuzuar nga dy gra për dhunim seksual. Assange ka thënë se nëse dërgohet në Suedi, shteti suedez mund ta ekstradojë në SHBA, ku nëse akuzohet për spiunazh, lidhur me publikimet e sekreteve shtetërore në Wikileaks, rrezikon dënimin me vdekje.

Një editorial i sotëm në Washington Post, i kujton Ekuadorit se ky shtet eksporton 10 miliardë dollarë mallra në vit drejt SHBA-ve (1/3 e eksporteve totale ekuadoriane) në bazë të një statusi special në marrëdhëniet tregtare që Kongresi mund t’ia revokojë nëse merr vendimin e gabuar.

(Në foto, mbështetës të Assange përpara ambasadës së Ekuadorit në Londër)

(ep.shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Shkëlzeni po na tregon, kush nuk ka qenë në takim

Mero Baze: Shkëlzeni po na tregon, kush nuk ka qenë në takim