TIRANË-Ambasada e Shqipërisë në Greqi ka reaguar ndaj rastit për korrupsion të evidentuar në një emision televiziv.
Ambasada njofton se, "referuar rastit të evidentuar nga ana juaj në emisionin e ditës së hënë datë 26 janar, menjëherë pas përfundimit të emisionit tuaj Ambasada Athinë ka shqyrtuar rastin duke e larguar menjëherë nga detyra personin i cili ishte subjekt i këtij veprimi si dhe duke marrë masa organizative që raste të tilla të mos përsëriten".
Gjithashtu Ambasada informon se, nëpërmjet numrit të gjelbër, i cili është në dispozicion të çdo qytetari dhe pa pagesë (tel 08000022 lutemi të pasqyrohet ne ekran), jo vetëm të denoncojnë çdo rast të ngjashëm abuziv por edhe të shprehin hapur pakënaqësitë që mund të kenë lidhur me nivelin e shërbimeve të cilat ofrohen nga konsullatat apo përfaqësitë tona diplomatike.
"Lufta kundër fenomeneve negative që e kanë cënuar jo pak këtë shërbim në të kaluarën mund të behet efektive vetëm me mbështetjen e të gjithë qytetarëve, medias dhe gjithkujt që mund të kontribuojë në këtë drejtim. Kemi bindjen dhe vullnetin e patundur për ta shndërruar aktivitetin konsullor në një shërbim model për qytetarët tanë", thekson Ambasada e Shqipërisë në Greqi. /ATSH/