Reagim i Urdhrit të Mjekut ndaj vendimit të Gjykatës Administrative


TIRANE, 29 Tetor/ATSH/- Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, me një vendim të datës 15 tetor 2015, ka shpallur të pavlefshme zgjedhjet e Këshillit Kombëtar dhe presidenti i ri, të organizuara nga Asambleja e Përgjithshme e Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë me  17.04.2015, kjo pas shqyrtimit të padisë së ngritur nga Dr. Valbona Doçi, drejtoresh e Qendrës së Transfuzionit të Gjakut në Tiranë.
Lidhur më këtë vendim, Këshilli Kombëtar i UMSH-së u mblodh sot në një seancë të jashtëzakonshme, ku u shprehën se " vendimi i gjykatës është absolutisht i padrejtë, absurd dhe i çuditshëm, prandaj ne shprehim habinë dhe indinjatën tonë".
"U.M.SH.-ja është ent publik jo buxhetor, profesional, i pavarur, i cili përfaqëson dhe mbron interesat e përbashkëta të anëtarëve të Urdhrit dhe rregullon Veprimtaritë dhe marrëdhëniet midis tyre, në funksion të publikut. Znj.Doçi edhe pse me disa pengesa ligjore për të vënë kandidaturë (statusi politik, pozicion administrativ) dhe pa asnjë  kontribut në U.M.SH.-në u lejua të votohej dhe mori përgjigje nga rezultati i votimit në K. Kombëtar 17 vota për Dr. Brahimaj dhe 5 vota për Dr. Doçi, edhe pse presioni i mbështetësve të saj ishte i fortë ndaj të gjithë anëtarëve të K. Kombëtar", thuhet në reagimin e Urdhrit të Mjekut.
Gjithashtu në deklaratë theksohet se "ne shprehim habinë përsëri se si gjykatësi quan të padrejtë faktin, se presidentet e K. Rajonal janë anëtar të K. Kombëtar duke i quajtur të emëruar ata, në një kohë që kemi dokumentuar me fakte se janë votuar nga Asamblea e Kombëtare. Pra janë votuar 3 herë, një herë nga asambletë lokale për në Këshillin rajonal, nga Këshillat Rajonale si president të tyre, dhe së fundi nga Asambleja e Përgjithshme për anëtar të këshillit kombëtar. Pyesim cili nen i ligjit nr.123/2014 mbi U.M.SH.-në është shkelur për zgjedhjen e tyre. Ky "argument" është një pretekst për të mbështetur një "padi të sajuar"".
Urdhri i Mjekut deklaron se "me dokumenta është vërtetuar se në çdo hap të fushatës zgjedhore kemi zbatuar dhe respektuar vetëm ligjin, përvojën tonë dhe praktikat e organizmave ndërkombëtare homologe. Udhëzimet e aprovuar nga K. Kombëtar i mëparshëm kanë orjentuar fushatën zgjedhore, por gjithçka është vendosur pasi është votuar dhe fituar me shumicën dërmuese, gjykatësi ynë nuk ka bërë drejtësi, por ka zbatuar porosi të atyre që i thanë apo i dhanë, për të marrë këtë vendim duke dëshmuar edhe njëherë gjendjen e drejtësisë sonë".
"Shpresojmë se reforma e shumë pritur në drejtësi do të të krijojë kushtet për të korigjuar këtë padrejtësi, duke na gjykuar drejt në Gjykatën Administrative të Apelit, ku e kemi apeluar çështjen. Homologët ndërkombëtar sapo janë vënë në dijeni për këtë ndodhi të pa precedent janë surprizuar dhe së shpejti ne do të publikojmë dhe qëndrimet e tyre. Ftojmë së pari bashkësinë e mjekëve, publikun shqiptar të cilëve ju shërbejmë si dhe gjithë drejtuesit e institucioneve të larta shtetërore të shprehin opinionin e tyre për të respektuar pavarësinë dhe gjithë tiparet e tjera që institucionit tonë ia garanton ligji", përfundon reagimi zyrtar i Urdhrit të Mjekut. /a.g/

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

I vodhën me dhunë portofolin 66-vjeçarit, arrestohen 2 të miturit në Vlorë