Reagime pas akuzave të Francës ndaj Ceos-s së ‘Telegramit’

Reagime pas akuzave të Francës ndaj Ceos-s së ‘Telegramit’

Arrestimi në Francë javën e kaluar i Pavel Durovit, shefit miliarder të platformës së rrjeteve sociale ‘Telegram’, po bën jehonë në mbarë botën, ndërsa Rusia i kërkoi Francës që të mos e kthejë hetimin në 'persekutim politik'. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgewell, zoti Durov është nën hetime për aktivitete të dyshimta, të paligjshme për të cilat akuzohet Telegrami.

Pavel Durov, shefi i faqes së rrjeteve sociale ‘Telegram’, u lirua nga paraburgimi në Paris të mërkurën pasi pagoi një garanci prej 5.6 milionë dollarësh. Atij i është ndaluar largimi nga Franca.

“Ekziston një gamë e gjerë akuzash, duke filluar nga mungesa e veprimeve kundër shitjes së drogës në ‘Telegram’, shpërndarjes së materialit të abuzimit seksual me fëmijët, mos-dhënia e informacionit për përdoruesit kur kjo kërkohet si pjesë e hetimeve penale. Padia përfshin edhe akuza për pastrim parash”, thotë TJ McIntyre nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Dublinit.

Avokati i Durov, David-Olivier Kaminski, tha se ‘Telegrami’ punon në përputhje me ligjet e Bashkimit Evropian.

“Është krejtësisht absurde të mendosh se kreu i një rrjeti social mund të jetë i përfshirë në veprime kriminale që nuk kanë të bëjnë me të drejtpërdrejt apo në mënyrë jo të drejtpërdrejtë”, thotë zoti Kaminiski.

Pavel Durov, i cili ka shtetësi ruse, franceze dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe e themeloi ‘Telegramin’ me seli në Dubai në vitin 2013. Pasuria e tij vlerësohet në mbi 15 miliardë dollarë. Hetuesit francezë thonë se ‘Telegrami’ nuk respekton ligjin që kërkon mbikqyrjen e përmbajtjes që publikohet në këtë aplikacion.

“Drejtuesit e këtyre aplikacioneve vlerësohen si individë që tallen me idenë e heqjes së përmbajtjeve të paligjshme që publikohen nga përdoruesit. Nëse kjo është e vërtetë, nëse janë njoftuar për përmbajtje të caktuar nga përdoruesit që ka qënë në shkelje të ligjit dhe nuk e kanë hequr atë, atëherë e kanë humbur imunitetin, sipas ligjit të BE-së”, thotë Daphne Keller nga Fakulteti i Juridikut në Stanford.

Elon Musk, pronari i rrjetit social X, i ofroi mbështetje zotit Durov. Zoti Musk ripublikoi një koment të mëparshëm që e vlerëson mbikqyrjen si, “një fjalë propagandistike që ka për qëllim censurën”. Ka të ngjarë që ai është i shqetësuar për pasojat, thotë Profesori McIntyre nga Universiteti i Dublinit.

“Masa të tilla mund të merren edhe ndaj tij personalisht”, thotë McIntyre.

‘Telegrami’ ka mbi 900 milionë përdorues në tërë botën. Ai përdoret gjerësisht nga ushtritë ruse dhe ukrainase në luftën e Moskës kundër Ukrainës. Zoti Durov mund të kërkojë të arrijë një marrëveshje me prokurorët, thotë McIntyre.

“Është teknikisht e mundur që ‘Telegrami’ të ketë qasje në komunikimet e njerëzve, komunikime që përdoruesit mund të mendojnë se janë të koduara. Kjo krijon një thesar të dhënash, të cilat autoritetet e inteligjencës në shumë vende, jo vetëm në Francë, pa dyshim do të donin t'i kishin. Mund të ndodhë që qasja në këto të dhëna të kthehet në një mjet shumë të vlefshëm negocimi për dikë në këtë pozitë”, thotë McIntyre.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se arrestimi i zotit Durov nuk ishte në asnjë mënyrë një vendim politik. Sipas zotit Macron i takon “gjyqësorit, në pavarësi të plotë, të zbatojë ligjin”. Ai shtoi se Franca është thellësisht e përkushtuar ndaj lirisë së shprehjes.

Rusia në të kaluarën e ka bllokuar qasjen në ‘Telegram’ për të mbytur zërat kundërshtues brenda shoqërisë ruse. Megjithatë, Kremlini të enjten paralajmëroi Francën kundër kthimit të hetimit të Pavel Durovit në një “persekutim politik”./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, ndërron jetë 65- vjeçari

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, ndërron jetë 65- vjeçari