BERISHA: VOTIMI MË DEMOKRATIK
 
Ish-kryetari i PD, Sali Berisha votoi në orën 11:30 në selinë e PD në Tiranë për zgjedhjen e kryetarit të ri. "Kjo është një ditë historike për PD, pasi për herë të parë në historinë e saj dhe të vendit zgjedh bazuar në parimin më demokratike "një anëtar një votë. Një rast i shkëlqyer për t'u përcjellë përshëndetjet më të përzemërta të gjithë anëtarëve të PD për mënyrën e civilizuar, që ata ndoqën dhe respektuan garën e hapur për kryetar partie, por dhe për pjesëmarrjen në votime. Do jem njëri prej tyre”, tha Berisha.
 
 
BASHA: VOTIMI, VLERË DEMOKRACIE
 
Ka votuar pranë selisë së Partisë Demokratike edhe kandidati në garën e djeshme për kryetarin e kësaj partie, njëkohësisht kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha. Ai ka falenderuar anëtarët e PD për shpirtin demokrat, vlerat, idealet e këtij shpirti, që që sipas tij, “mori vlera gjatë qëndresës sonë dhe që që i përçon këto vlera dhe këto ditë, duke iu treguar mirë kolegëve dhe kundërshtarëve politikë atë që ne dimë të bëjmë më mirë se kushdo tjetër vlerat e demokracisë, vlerat e votës dhe shprehjes me votë".
 
TOPALLI: NJË PROCES EMANCIPUES
 
Kryetarja e Kuvendit në detyrë, Jozefina Topalli votoi në selinë PD, në Tiranë. “Ata kanë bërë të mundur në momente të vështira për PD të realizojnë një proces emancipues për politikën shqiptare. Jam e frymëzuar nga çdo anëtar i PD për shpirtin e tyre të madh, të thellë demokratik. Sali Berisha, edhe pasi ka dhënë dorëheqjen ka vendosur një standard të lartë në politikën shqiptare. PD do t’i japë leksione edhe kundërshtarit politik, që ka përdorur forcën, paranë për të marrë pushtetin", tha Topalli.
 
MUSTAFAJ: SI NDESHJE STËRVITORE
 
Një prej ish-figurave më të rëndësishme të PD, Besnik Mustafaj, që vazhdon të jetë anëtar i kësaj partie, ka votuar për kryetarin e ri. “Sapo e kreva detyrën time si demokrat: votova. Ky rast ishte si një ndeshje stërvitore për ne demokratët. Shpresoj se kryetari i ri do ketë kuptuar urgjencën e ringritjes së strukturave në mbarë vendin, në mënyrë që herën tjetër të kemi një fushatë të vërtetë për kryetar të PD, që do të thotë se edhe votimi “një anëtar-një votë” të fitojë vlerën e tij të vertetë”, tha Mustafaj.