TIRANË – Zv.ministrja e arsimit Nora Malaj ka reaguar lidhur me shkrimin e botuar në “La republika” dhe në disa prej mediave shqiptare.

Shqiptarja.com po boton të plotë reagimin e saj.

Mora shkas që të shkruaj këto radhë pasi lexova artikujt me titull: “La Repubblica”, Nora Malaj e implikuar në një aferë me italianët ( Shekulli, datë 4.04, 2004), “Hetimet në Itali përfshijnë edhe Tiranën ( Gazeta Shqip, datë 04.04.2012), “Nën hetim për korrupsion zyrtari italian, e implikuar edhe zëvendësministrja shqiptare Nora Malaj” ( Tema on-line), të cilat i konsideroj shpifje, apo dashakeqësi, përsa i takon lakimit të emrit të zëvëndësministres dhe qytetares Nora Malaj.
Pa konsideruar parimet bazë të profesionalizmit, të cilat i çmoj, ashtu si ju, - se janë të shenjta, - them se asnjëra nga gazetat që ka përcjellë te lexuesit, thuajse të njëjtin tekst, nuk ka marrë mundimin të më kontaktonte apo të kërkonte një shpjegim nga unë në lidhje me pretendimet apo informacionet e përcjella në shkrimin e shtojcës lokale të gazetës “La Repubblica”, në Abruzzio, më datë 2 prill 2012.
Konstatoj se edhe referimet e bëra nga mediat shqiptare në artikullin e botuar nga media italiane apo lakimi i emrin tim në rastin konkret, janë tërësisht të pasakta, dhe në rastin më të mirë, keqdashje ndaj meje; përkundër natyrës time bashkëpunuese dhe transparente me mediat. Po ashtu, deklaroj më përgjegjësi të plotë se nuk kam qenë, dhe nuk jam nën hetim as nga institucionet e shtetit shqiptar, italian apo të ndonjë shteti tjetër.
Gjithsecili nga ju mund të provojë se verifikimi i këtij pretendimi tërësisht të pabazë, nuk zgjat më shumë se pesë minuta, duke kursyer edhe cënimin e besueshmërisë së medias që ju keni në pronësi.
Praktika zyrtare, e përfolur nga mediat tuaja apo “La Repubblica” është tërësisht transparente dhe ndodhet e protokolluar në zyrat e MASH-it. Nëse media juaj do të kishte vlerësuar standardet profesionale, do të ishte njohur me të, nuk do të lejonte botimin e një gënjeshtre, një shpifje apo një të pavërtete. Ajo cënon moralin tim qytetar, moralin dhe punën si zyrtare e lartë e qeverisë dhe investimin tim në politikë, duke hedhur baltë dhe tymnajë ndaj meje.
Desha që t’u vë në dijeni ju dhe lexuesve të mediave tuaja se nuk ka asnjë marrëveshje zyrtare apo korrespondencë mes MASH-it, të firmosur nga titullarët, zëvendësit, apo zyrtarë të tjerë të saj dhe subjektit që ju përmendni. Letra-faksimile, e botuar nga mediat tuaja, është thjesht një shprehje interesi e një subjekti, që është bërë pas takimit zyrtar që u realizua me kërkesën e Cooperazzione Italiana në Tiranë, më datë 14 janar 2011, i cili është partner i qeverisë shqiptare. Rreth kësaj çështje, MASH-i ka kthyer përgjigje zyrtare më datë 24 05 2011, me Nr. Prot. 2781/1, duke u shprehur se propozimi i bërë nga subjekti në fjalë nuk mund të realizohet për shkak të mungesës së kuadrit ligjor.

Në respekt të ligjit, transparencës dhe raporteve të ndërsjellta, duke vlerësuar profesionin dhe misionin e mediave tuaja, kërkoj, në zbatim, të parimeve dhe standardeve profesionale dhe ligjore, të integritetit moral, botimin nga ana juaj të këtij reagimi.

Në pritje të mirëkuptimit nga ana juaj

Nora Malaj
Zv/ministre e Arsimit dhe Shkencës

P.S. Për çdo gazetar apo media që është i interesuar që të marrë informacionin e plotë rreth këtij rasti, është i mirëpritur në zyrat e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës


(aq/shqiptarja.com)