TIRANE- Partia Demokratike ka reaguar ndaj deklaratave të bëra nga kryetari i opozitës, Edi Rama, lidhur me figurat politike të përfshira në këtë parti. Sipas Ramës, në PS nuk ka kandidatë me të kaluar korruptive. Gjatë mbajtjes së “Këndit të fjalës” me banorët e komunës Gur i Zi në Shkodër, në përgjigje të deklaratave të kryeministrit Berisha për miliarderët e PS-së, Rama tha se “ndryshimi mes sipërmarrësve socialistë dhe anëtarëve të qeverisë është se biznesmenet e PS-së i kanë bërë paratë me bizneset e tyre, ndërsa qeveritarët janë pasuruar në kurriz të qytetarëve, përmes korrupsionit”.
 
Ndërsa në reagimin e Partisë Demokratike, Rama akuzohet se është krenar që në PS ka njerëz që kanë pasur probleme me ligjin.
 
“Më i çoroditur se një ditë më parë, Edi Rama tha se është krenar që në Partinë Socialiste ka njerëz që kanë pasur probleme me ligjin, njerëz, bëmat e të cilëve i njohin i madh e i vogël. Edi Rama është krenar që sot në kupolën e Partisë Socialiste gjenden njerëz që janë pasuruar në kurriz të ligjit, që kanë jetuar në kurriz të ligjit, që janë favorizuar nga Rama në kurriz të ligjit kur ai ishte kryetar Bashkie”, thuhet në reagim.
 
Sipas PD, një deklaratë e tillë e Ramës, fyen socialistet, pasi ai tregon kështu “vlerat e reja që përfaqëson lidershipi i PS”.
 
“Fare hapur, Rama tregoi sot vlerat e reja që përfaqëson lidershipi i PS-së, dhe modelin që ka ndërmend të ndjekë ai. Me këto deklarata Edi Rama fyen jo vetëm socialistët e ndershëm dhe të zakonshëm që janë shumica e Partisë Socialiste, por edhe të gjithë qytetarët shqiptarë që janë përpjekur të ecin përpara në jetë, jo duke shkelur ligjin, jo duke grabitur, jo duke bërë të fortin, jo duke përfituar miliona dollare tendera dhe leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës, përfundon reagimi i Partisë Demokratike.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)