/ATSH-Arbi Fortuzi/-, Forumi Rinor Euro-Socialist reagon lidhur me mënyrën e zgjedhjeve në Këshillat Studentore si  dhe rolin e tyre në jetën e përditshme universitare.
Përmes një letre të hapur, Koordinatori i Uni FRESSH, Alban Nako rrjeshton disa prej arsyeve të cilat sjellin mungesën e një Këshilli Studentor të denjë dhe me zë të fortë në jetën universitare.
Ja çfarë shkruan FRESSH në reagimin e saj:
Zgjedhjet e fundit për Këshillat Studentore janë bërë në 2011 në të njëjtën kohë kur u zgjodhën dekanët dhe rektorët nëpër Universitete e Shqipërisë.
Rregulloret e universiteteve janë të ndryshme por përsa i përket Këshillave Studentor të gjitha shprehen që janë organe kolegjiale dhe zgjidhen periodikisht. Pavarësisht se mandatet shtrihen nga 1 deri në 3 vjet zgjedhjet e reja nuk janë zhvilluar.
Forumi Rinor Eurosocialist i Shqipërisë (FRESSH) në vazhdimësi ka lobuar aktivisht që zgjedhjet të zhvillohen por gjithmonë është ndeshur me arrogancën mohuese të  rektorëve të cilët gjithmonë kanë shmangur dialogun",
Arsyeja pse zgjedhjet për Këshilla Studentore nuk organizohen është sepse mbi bazën e ligjit në fuqi për arsimin e lartë, studentët gëzojnë 20% të së drejtës për të zgjedhur dekanin dhe rektorin. Duke mos organizuar zgjedhjet për këshilla studentore, dekanët, rektorët në mënyrë makiaveliste ruajnë status quon në universitete. Pinjollët, të cilët i ndihmuan që të fitonin postin e dekanit dhe rektorit, u emëruan në postet e kryetarëve të Këshillave Studentor. Një lëvizje politike shumë efikase sepse në këtë  mënyrë sigurohesh që organizimet studentore të udhëhiqen nga njerëzit e tyre të besuar. Në disa raste flagrante përfaqësuesit e Këshillave kanë përfunduar studimet por ky fakt nuk i ka penguar ata që të votojnë në senatin akademik të universitetit.
Senati është organi kolegjial më i lartë drejtues i çdo universiteti, që në përbërje ka rektorin, dekanët dhe ish- studentët e mbledhjes së votave për hesap të këtyre personazheve. Sigurisht që në banda kriminale votat janë unanime, mjafton të shikosh senatin akademik të Universitetit të Tiranës, ku përfaqësuesit e studentëve kanë 2 vjet që kanë mbaruar studimet dhe mbi 4 vjet që janë zgjedhur në një kohë që rregullorja e UT-së përcakton që zgjedhjet janë çdo vit akademik. Vendimmarrja e universitetit më prestigjioz në vend krijon hije dyshimi për paligjshmëri.
Uni-FRESSH ka dyshime të arsyeshme të mendojë që fondi monetar që u akordohet këshillave të studentëve të jetë keq menaxhuar me festa të padobishme për jetën akademike.  Uni-FRESSH, do të ndërrmarë një fushatë ligjore duke propozuar një ligj me firmat e 20.000 studentëve për të unifikuar mënyrën sesi do të realizohen zgjedhjet.  Projektligji,  do të jetë me objekt krijimin e një institucioni të ri përfaqësues të përbërë nga studentët. Uni-FRESSH mendon që kjo është zgjidhja më efikase kundrejt situatës aktuale por edhe kundrejt situatës që do të krijohet.