Reagon "Suzer",akuzat e Bashës
prej mungesës së informacionit

Reagon "Suzer",akuzat e Bashës<br />prej mungesës së informacionit
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzoi dje ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj për afera me koncesionet. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD, Basha u shpreh se Ahmetaj ka marrë 5 milionë euro nga kompania “Suzer” për HEC-in e Skavicës. 

“Me vitin 2014, sipas të dhënave të publikuara Arben Ahmetaj ka marrë 500 mijë euro kapar, dhe në dhjetor të 2015 pas daljes se VKM që i jep 8% bonus kompania “Suzer” i ka dhënë 5 milionë euro të tjera. Arben Ahmetaj i cili ka negociuar direkt dhe në mënyrë të paligjshme për këtë projekt duke udhëtuar me çarter nuk mund të fshihet me gjoja dorëheqje por të bëhet gati të shkojë para drejtësisë. Ne do të përpiqemi t’ia shkurtojmë kohën.

Por e sigurt është se para drejtësisë do të shkojë”, u shpreh Basha. Pas akuzave të Bashës, i menjëhershëm ishte reagimi i ministrit Arben Ahmetaj. Në një deklaratë për mediat, Ahmetaj e ka cilësuar Bashën si një administrator të opozitës, ndërkohë që ka hedhur poshtë akuzat se ka udhëtuar ndonjëherë me charter me biznesmenin që ka përmendur Basha, madje ka thënë se është i gatshëm të japë dorëheqjen nëse faktohet një gjë e tillë. Sipas Ahmetajt Basha është i lidhur me vjedhjen e qindra mijëra euro në projektin e Rrugës së Kombit, ndërkohë që e ka akuzuar atë se është kthyer si Liza në Botën e Çudirave që ndërton guaskën e zezë rreth vetes. Ai ka përfunduar duke thënë se e fton Bashën që të shkojë në prokurori për çdo fakt që disponon.

Ndërkaq, në lidhje me akuzat e kryetarit të PD, ka reaguar edhe kompania turke. “Suzer” përgënjeshtron akuzat e kryetarit të PD, duke sqaruar se kompania ka marrë pjesë shumë herë në tenderët që janë mbajtur si në nivel kombëtar, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. “Shtojmë këtu se jemi duke hedhur hapa të rëndësishëm sipas planeve të gatshme që kemi për investime, si dhe në drejtim të pjesëmarrjes në shumë projekte të rëndësishme që ne synojmë ti realizojmë dhe që do të jenë objekt i tenderëve”, thuhet në reagimin e “Suzer”. Kompania turke i quan akuzat e Bashës të nxitura nga mungesa e informacionit. “E shprehur shkurt dhe qartë, ne jemi të mendimit se fjalët që ka përdorur Zoti Lulzim Basha për Grupin Süzer, i cili e ka vërtetuar veten e tij në Shqipëri në aspektin e investimeve, burojnë nga mungesa e informacionit të pamjaftueshëm mbi kompanitë tona”.
 
“Suzer”
“Ne jemi të mendimit se fjalët që ka përdorur Zoti Lulzim Basha për Grupin Süzer, i cili e ka vërtetuar veten e tij në Shqipëri në aspektin e investimeve, burojnë nga mungesa e informacionit”
 
Ahmetaj

“Je i lidhur me vjedhjen e qindra mijëra euro në projektin e Rrugës së Kombit. Je kthyer si Liza në Botën e Çudirave që ndërton guackën e zezë rreth vetes. Të ftoj që të shkosh në prokurori për çdo fakt që disponon”.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Muzeu Etnografik i Krujës hap dyert pas restaurimit, digjitalizim e ekspozita të reja për artefaktet! Financim i BE

Muzeu Etnografik i Krujës hap dyert pas restaurimit, digjitalizim e ekspozita të reja për artefaktet! Financim i BE