Real Madrid 10 herë kampion
Evrope, ëndrra bëhet realitet

Real Madrid 10 herë kampion<br />Evrope, ëndrra bëhet realitet
Reali i Madridit kthen ëndrrën në realitet duke fituar “La Decima-n”. Trofeu i 10 i Champions League shkoi për Realin e Madridit në mënyrë spektakolare, pasi shkatërroi Atletikon e Madridit në derbin e qytetit të zhvendosur në Lisbonë me rezultatin e thellë 4-1. Ramos, Bale, Marcelo dhe Ronaldo janë heronjtë e Realit të Madridit. 90’ e finales së Lisbonës mes Realit dhe Atletikos nuk kanë nxjerrë një fitues duke e dërguar ndeshjen në shtesë. Koha e rregullt mes dy ekipeve spanjolle përfundoi me rezultatin 1-1. Golat u shënuan nga Godin në të 36’ dhe Ramos në të 90+3’.
 
Pjesa e parë e ndeshjes finale mes Realit të Madridit dhe Atletikos së Madridit është mbyllur 0-1 për fituesit e kampionatit. Atletiko shënon në minutën e 36 me Godin duke surprizuar Realin. Pas një harkimi nga këndi nga Koke, mbrojtja e Los Blankos largon topin nga zona, por Atletiko e rikthen sërish duke e devijuar me Godin që përfiton edhe nga pavendosmëria e kapitenit Casillas për të dërguar topin në rrjetë.

Reali kontrolloi lojën në pjesën e parë, madje duke rrezikuar seriozisht portën e Kurtua në minutën e 30 me Bale, i cili përfitoi nga një gabim i mbrojtjes bardhekuqe duke avancuar, por në fund tregohet egoist duke mos pasur te Ronaldo apo Benzema duke vendosur të gjuajë vetë, por tregohet i pasakë duke e dërguar topin ngjitur me shtyllën.

Nuk munguan as kartonat, as grindet, ku Ramos, Kedira por edhe Garcia u ndëshkuan për protesta dhe lojë të fortë. Benzema ishte në hije të plotë në 45’ e para së bashku me Ronaldon, ndërsa Di Maria arriti të krijonte disa raste të mira për shënim. Ndërsa përsa i përket Atletikos, lojën e nisi në mënyrën më të keqe të mundshme, pasi sulmuesi Diego Costa la fushën në minutën e 9 për shkak të dëmtimit në kampionat përballë Barcelonës ndeshjen e fundit në ‘Camp Nou’.
 
Në pjesën e dytë Reali qëndroi gjatë 45’ në sulm në kërkim të golit të barazimit, por arriti ta gjente portën në minutën e 93 me Sergio Ramos. Modric nga këndi kroson në zonë, Ramos godet fuqishëm me kokë duke ndalur topin në rrjetë dhe barazuar gjithcka.
 
Sfida vazhdoi në shtesë për të përcaktuar fituesin. Shtesa e parë e ndeshjes përfundoi pa gola, teksa Reali i Madridit ishte i vetëm në fushë që sulmonte pa pushim me Di Marian, Ronaldon dhe Bale, por nuk arritën të konkretizonin.

Në shtesën e dytë në minutën e 110 Di Maria realizon një inkursion të shkëlqyer nga e majta, driblon dy futbollistë kundërshtarë, futet në zonë gjuan, por Kurtua devijon topin duke i dhuruar asist Garet Bale që godet me kokë duke shënuar golin e dytë.

Por ende nuk kishte përfunduar asgjë, pasi Marcelo në 116’ në një aksion pa pretendime gjuan nga jashtë zone duke mposhtur Kurtuan. Megjithatë “Topi i Artë” nuk e kishte thënë ende fjalën e fundit, pasi në të 119’ fiton një penallti, të cilën e shëndërron vetë në gol duke vulosur shifrat në 4-1 dhe ngritur “La Decima-n”.

Ja formacionet zyrtare:
 Real Madrid: Casillas; Carvajal, Sergio Ramos, Varane, Coentrao; Modric, Khedira, Di Maria, Bale, Cristiano dhe Benzema. Tr: C. Anceloti
 
Atletico Madrid: Courtois, Juanfran, Miranda, Godín, Filipe, Gabi, Tiago, Raúl García, Koke, Villa dhe Diego Costa. Tr: D. Simeone

Deklaratat para ndeshjes
Sonte në orën 20:45 në Lisbonë zhvillohet finalja e edicionit të 22-të e Champions League dhe e 59-ta në historinë e Kupës më të lakmuar të Kontinentit Evropian, Real Madrid-Atletiko Madrid. Real Madrid dhe Atletiko Madrid do të përballen për herë të parë me njëri-tjetrin në një finale Champions League, por ndeshja e së shtunës nuk do të jetë finalja e parë mes tyre që do të ndajë një trofe. Në historinë e tyre, dy skuadrat madrilene janë përballur 6 herë në finale, 4 fitore për Atletikon dhe 2 për Realin.

Kjo është finalja e dytë mes dy klubeve spanjolle që pas triumfit madhështor të Realit në ‘Stade de France’ ndaj Valencias 14 sezone më parë. Derbi i Madridit i spostuar në Portugali në Stadiumin e Dritave pritet që të ketë një audiencë maksimale. Në të gjithë botën llogaritet që finalja e madhe të ndiqet nga më shumë se 1 miliardë persona. Në ‘Santiago Bernabeu’ ndeshja do të ndiqet në ekrane gjigantë nga plot 80.000 tifozë që janë bërë gati për të festuar.

Në fushë do të zbresin disa nga yjet e momentit në futbollin botëror, vlera e të cilëve llogaritet në 1 mld Euro, ku pjesën më të madhe të vlerës e zë pa asnjë dyshim Reali i Madridit. Finales edhe pse jo zyrtarisht pritet që t;i mungojnë Benzema dhe Pepe për Realin, ndërsa për Atletikon Turan dhe Diego Costa. Reali ka më shumë se një dekadë që e kërkon kupën, “La Decima” përbën një obsesion për yjet e Realit, teksa Atletico nuk do të ketë ndoshta kurrë më një rast më të mirë sesa ky.

Ancelotti: Kthehemi në Madrid me "La Decima-n"
Thelbësore do të jetë edhe skema e Carlo Ancelottit, pasi ka rastin më të mirë për të treguar se është një trajner i madh. Italiani deri tani ka fituar vetëm kupën e Mbretit me Realin, gjë e cila nuk mjafton për të pasur vendin e sigurt edhe për një tjetër edicion nëse nuk fiton sonte.

Në orët e fundit para ndeshjes së madhe, italiani shprehet optimist” Jam i ndërgjegjshëm për presionin mbi mua, që kur kam ardhur te Reali, çdo gjë rrotullohet rreth “Decima”-s. Atletiko, shumë e fortë. Kemi hasur probleme kur kemi luajtur ndaj tyre në kampionat. I njohim shumë mirë dhe e njëjta gjë vlen dhe për ata. Cristiano shënon gol në çdo ndeshje. Bale është një blerje e madhe nga ana e Realit, besoj te se do fitojmë” tha ai.
 
Simeone: Ndeshje unike, përballë ekipit më të fortë
Pa asnjë dyshim që Simeone është trajneri më i mirë në Europë për këtë edicion, pasi arriti që të shpallet kampion me Atletikon në kampionatin spanjoll duke lënë pas miliardat e Barcelonës dhe Realit të Madridit. Por, argjentinasi është ende i pangopur dhe kërkon me cdo kusht Champions League.

“Do të jetë një ndeshje unike përballë kundërshtarit më të fortë të mundshëm në botë. Reali është favorit, pavarësisht se ne fituam në La Liga. Kam besim te futbollistët e mi se do të ia dalin mbanë. Costa dhe Turan, ende nuk kam vendosur nëse do të zbresin në fushë apo jo, pasi nuk janë rikuperuar plotësisht” përfundoi ai.
 
Ronaldo: Reali, shpallet kampion Europe
 Ronaldo është futbollisti më i mirë i edicionit në Champions League këtë edicion, pasi ka arritur të shënojë 16 gola. Suksesin e golave, Ronaldo dëshiron që ta konkretizojë me trofeun. “Kemi zhvilluar një super edicion. Sonte dua trofeun”.
 
Costa: Reali i frikshëm, Atletiko fiton
 “Nuk ka asnjë dyshim që Reali është ndër ekipet më të fortë në botë dhe presioni për të fituar sonte është mbi ata. Shpresoj që të rikuperohem, por si do që të ndodhë, Atletiko shpallet kampione” deklaroi sulmuesi Diego Costa.
 



d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Meta 'sfidon' Dumanin: Ilir Meta do jetë gjithmonë këtu! Ja ku më keni! Shtëpi, vila... sekuestrojini! SPAK-u tarallaku ta harrojë PL-në

Meta 'sfidon' Dumanin: Ilir Meta do jetë gjithmonë këtu! Ja ku më keni! Shtëpi, vila... sekuestrojini! SPAK-u tarallaku ta harrojë PL-në