MADRID, Spanjë - Nuk bëhet fjalë për fantazi futbolli, por për programet elektorale të dy kandidatëve për presidencën e Real Madridit, Enrique Riquelme dhe Florentino Perez.

Presidenti historik i klubit, Florentino Perez është gati të rikthejë Mourinhon në stadiumin 'Santiago Bernabeu' dhe kjo nuk është më sekret. Lajmi është bërë madje zyrtar në rast se ai fiton zgjedhjet e planifikuara për të dielën, më 7 qershor. Një video promovuese tregon Mourinhon me fanellën e “Los Blancos”, duke thënë thjesht: “Po”.

Dy përforcimet e tjera të premtuara nga Perez, Konate nga Liverpooli dhe Dumfries nga Interi, konsiderohen pothuajse të mbyllura.

Megjithatë, para se të realizohen këto plane, Perez duhet të përballet me rivalin e tij, Enrique Riquelme, i cili në një intervistë për emisionin spanjoll 'El Hormiguero' ka ngritur edhe më lart nivelin e premtimeve.

Ai ka premtuar dy “bomba” merkatoje, Rodrin dhe Haalandin nga Manchester City. Bëhet fjalë për një ish-fitues të Topit të Artë dhe një nga sulmuesit më produktivë në botë, prej kohësh ëndërr e tifozëve madrilenë.

Gjatë intervistës, Riquelme shfaqi një fanellë të Real Madridit me emrin “Haaland” dhe numrin 9 tashmë të stampuar.

“Ai ka një klauzolë në kontratë dhe dëshiron të vijë te Real Madridi,” deklaroi ai me bindje. Megjithatë, nga Manchesteri erdhën menjëherë përgënjeshtrime dhe paralajmërime për veprime ligjore. Një situatë e ngjashme vlen edhe për Rodrin.

“Është një futbollist fantastik dhe luan në një pozicion ku Real Madridi ka nevojë për përforcime. Kemi folur me agjentin e tij, duhet të respektojmë klubin aktual, por nëse bëhem president, Rodri do të luajë për Real Madridin”, tha Riquelme.

Për të forcuar besueshmërinë e premtimeve të tij, Riquelme ka nënshkruar një dokument garancie.

“Nëse nuk i mbaj këto premtime, kam firmosur një garanci që më detyron të paguaj 100% të kuotave të anëtarësisë për të gjithë 100 mijë anëtarët e Real Madridit.”

Mes ideve të tjera të kandidatit 37-vjeçar, aktualisht CEO i Cox Energy, janë emërimi i Raul Gonzalez si drejtor sportiv dhe i Fernando Hierro si drejtor i akademisë së të rinjve.

Sa i përket Mourinhos, Riquelme ka sqaruar se portugezi nuk do të ishte trajner nëse ai fiton zgjedhjet.

“Mourinho është një trajner i mirë, por nuk përshtatet me projektin tonë. Unë kam tashmë në mendje një trajner tjetër”, tha Riquelme. Megjithatë, ai nuk e zbuloi emrin.