Arrestohet në Devoll drejtori i Shëndetit Publik, Valent Nallbati pasi ai ka shpërdoruar detyrën dhe falsifikuar dokumente me qëllim përfitimi financiar, përmes një projekti fiktiv që synonte rikonstruksionin e godinës së institucionit që drejtonte.
 
Sipas Prokurorisë së Korçës, indicia për arrestimin e tij ka ardhur nga një letër anonime e mbërritur në këtë institucion, në të cilën janë renditur një sërë faktesh që flasin për zhvillimin e një tenderi fiktiv nga ana e tij, ku kishte paracaktuar edhe kompaninë që do fitonte tenderin.
 
Menjëherë pas kësaj, Prokuroria nisi hetimet, ku faktoi se godina e institucionit ishte rikonstruktuar në vititn 2011 dhe aktualisht nuk kryhej asnjë punim.
 
Vlera e këtij investimi që do të kryhej, sipas kallëzimit, kap vlerën e 2.4 milion lekëve.
 
Ja njoftimi zyrtar i prokurorisë Korçë
 Prokuroria e Korçës ka marrë lejen e gjykatës për arrestimin e shtetasit Valent Nallbati, me funksion Drejtor i Shëndetit Publik Devoll, i dyshuar se ka konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorim detyre” dhe “Fallsifikim i dokumentave”. Vendimi I gjykatës është zbatuar nga ana e forcave të Policisë së Shtetit mesditën e së Hënës (dt. 01.02.2016)
 
Prokuroria e Korçës ka nisur hetimin pas një letre anonime të mbërritur në zyrën e saj, në të cilën kallëzohej fakti se nga ana e Drejtorit Rajonal po zhvillohej një procedurë fiktive për rikonstruksionin e godinës së institucionit që ai drejton. Po ashtu, letërshkruesi anonim vinte në dijeni se drejtori kishte kryer disa pune ”dekorative” me shpenzimet e tij dhe për këtë arsye po zhvillonte një tender fiktiv, për të marrë pas paratë që kishte shpenzuar. Gjithnjë sipas kallëzimit, ishte paracaktuar edhe një kompani me qendër në Tiranë, e cila që do të fitonte tenderin.
 
Në kuadër të veprimeve verifikuese, Prokuroria e Korçës konstatoi se godina e Drejtorisë së Shëndetëtit Publik ishte rikonstruktuar në vitin 2011 dhe ndërkohë nuk po kryhej asnjë punim në të. Në vijim, u konsultua buletini i Prokurimit Publik, në të cilën u konstatua se ishte bërë procedura e tenderit për rikonstruksionin e godinës dhe ishte shpallur fitues kompania ”E....” shpk, me seli dytësore në Kamëz, Tiranë.
 
Vlera e tenderit për rikonstruksionin e godinës së Drejtorisë së Shëndetit Publik Devoll ishte parashikuar rreth 2.4 milionë lekë. Nga buletini i Prokurimit Publik rezulton se kompania ’E....” shpk ishte shpallur fitues me ofertën 1.7 milionë lekë, dukshëm nën koston e asaj që ishte parashikuar në dosjen e tenderit. Në bazë të ligjit për ”Prokurorimit Publik”, kompania fituese e tenderit duhej të ishte skualifikuar për ”ofertë anomalisht të ulët”. Por, nga ana e entit kontraktues kompania është shpallur fituese fillimisht. Gjithësesi, pas ankesave ndaj kësaj procedure prokurimi, enti prokurues, Drejtoria e Shëndetit Publik, ka anuluar procedurën.
 
Por, pavarësisht se është anuluar procedura, Prokuroria e Korçës vlerëson se nga ana e Drejtorit Rajonal, Valent Nallbati janë konsumuar elementët e veprave penale të ”fallsifikimit të dokumentave dhe ”Shpërdorimit të detyrës”. Kjo, për faktin se nga ana e zyrtarit janë kryer të gjitha procedurat fiktive për realizimin e prokurimit publik.
 
Në këto kushte, Prokuroria kërkoi caktimin e masës së sigurisë ”arrest me burg” për Drejtorin Rajonal të Shëndetit Publik në Devoll. Kërkesa u pranua nga gjykata dhe vendimi u zbatua nga ana e Policisë së Shtetit mesditën e së Hënës (dt. 01.02.2016).


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)