TIRANE - Komandanti i pararojës së Ushtrisë Kombëtare të veriut, Ndokë Gjeloshi me të hyrë në qytet i jep urdhër shoferit që të shkonte në zyrën e Postë-telegrafës, prej së cilës lajmëron me telefon Komandantin e Përgjithshëm të Ushtrisë Kombëtare në Shkodër nënkolonel Rexhep Shalën për arritjen e tij në Tiranë me gjithë fuqinë e vet të pararojës në orën 7.30 pas dite.

Rexhep Shala e kishte të vështirë që t’i besonte telefonit dhe për siguri më të plotë i kërkoi lajmin e arritjes me anën e një servisi telegrafisht, e kështu lajmi u konfirmue plotësisht edhe zyrtarisht” (“Ora e Maleve”, po aty).

As në epokën e monarkisë zogiste, as në epokën e diktaturës komuniste, as sot, ky fakt nuk  është përmendur asnjëherë, përkundrazi është groposur e mbuluar me baltë, sepse figura komplekse e Ndokë Gjeloshit është denigruar për shkak se të dy sovranet e shekullit të kaluar ishin që të dy armiq të përbetuar të tij.

Ky fakt historik nuk mund  të varroset. Është një ngjarje me rëndësi kombëtare për një nyje kyçe të historisë, ku u përplasën në një luftë të ashpër dy forca sociale e politike të kohës. Kjo ngjarje edhe sot e kësaj  dite vlerësohet nën trysninë e imponuese të politikës...

Hyrja e shpejtë e Ndokë Gjeloshit në Tiranë qe  një çudi e madhe për popullsinë e këtij qyteti. Nga një anë kjo kënaqi shpirtrat  e adhuruesve të zjarrtë fanolistë, dhe nga ana tjetër dëshpëroi përkrahësit e Ahmet Zogut. Hyrja e Pararojës së Ushtrisë kombëtare të komanduar nga Ndokë Gjeloshit në Tiranë si fitimtar qe dinjitoze.

Sjellja e tij ishte fisnike, korrekte, i prirur nga maturia, gjakftohtësia, përgjegjësia dhe devocioni, të cilit i ishte përkushtuar me mish e me shpirt. Veprimi i parë dhe i mençur i toger Gjeloshit ishte kujdesi për ruajtjen e zyrave të ministrive dhe institucioneve qendrore tashmë të mbetura shkretë.

Asnjë xham i thyer, asnjë zyrë e plaçkitur, asnjë dokument i humbur, asnjë shkëndijë zjarri, asnjë shtëllungë tymi, asnjë lloj raprezalje. Zyrat e Ministrive të vulosura”- është një titull i nenvizuar me të zeza nga Gazeta “Ora e Maleve”, ku ndër të tjera thekson: Ndokë Gjeloshi kje kujdesue për ruajtjen e tyre…

Te gjitha këto zyra si dhe salla e Parlamentit u vulosën edhe një herë dhe u vunë ushtarë për ruajtjen e tyre... Këto fakte na rrefejnë se Noli dhe kabineti i tij i gjetën institucionet e ruajtura nga forcat ushtarake që drejtonte Ndokë Gjeloshi”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarj.com (print) 11.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)