DURRES- Janë vargje të shkruara nga Preç Zogaj përgjatë 40 viteve dhe që u servirën në një mbrëmje të veçantë poetike në Durrës.

“Në çdo pasqyrë na sheh mëkati” ishte recitali poetik i autorit Preç Zogaj bazuar në vëllimin më të ri të autorit dhe në krijimtarinë e tij ndër vite. Vargjet e tij erdhën nën interpretimin e aktoreve Yllka Mujo, Luiza Xhuvani dhe Elia Zaharia.

“Ky është një tur që kanë ndërmarrë tre aktore të shquara, Yllka Mujo, Luiza Xhuvani dhe Elia Zaharia. E kanë nderuar poezinë time, të them të vërtetën, duke e përzgjedhur për të bërë këtë recital. Durrësi është ndalesa e tretë dhe shpresojmë do të vazhdojmë edhe në disa qytete të tjera, por emocioni në Durrës është i veçantë. Në fakt për mua si autor është hera e parë që prezantohem me poezinë time në këtë qytet kaq të vjetër dhe kaq të dashur”, tha Zogaj.

Recitali solli gjithashtu këngën “Sytë e tu” me tekst të Preç Zogajt. Arti i fjalës, poezia, muzika dhe interpretimi aktorial u ndërthurën në një mbrëmje që solli për publikun momente të veçanta artistike.