Redon Makashi: Ju tregoj
dashurinë time të vetme

Redon Makashi: Ju tregoj <br />dashurinë time të vetme
Një karrierë e gjatë muzikore, e mbushur me suksese dhe shumë hite është ajo e këngëtarit të mirënjohur shqiptar, Redon Makashi. Është e vështirë të harrohen
këngë si “Ç’më ndodh pa ty”, “Dikur luaja me ndenjën e saj”, Vjeshta”, “Se do ti them asaj”, e duke vazhduar me këngë të repertorit të tij të fundit, siç ishte kënga fituese e Këngës Magjike, “Më ler të fle”, që padyshim janë të preferuara për publikun shqiptar. Përpos karrierës solo, Makashi ka rezultuar i suksesshëm edhe përkrahë emrave të njohur të muzikës shqiptare, si Aleksandër Gjoka dhe Elton Deda, ku të tre formuan grupin e famshëm “Tre Musketierët”. Djemtë e grupit kanë vendosur të rikthehem përsëri për publikun dhe këtë herë me një koncert recital, që do të shfaqet në fillim të tetorit live në Pallatin e Kongreseve. Në një intervistë ekskluzive për TH&TH, Redon Makashi, flet për projektet me grupin e rikthyer, planet e tij për një koncert solo unplugged, si dhe për jetën e tij sentimentale, duke zbuluar dashurinë e tij të vetme.

Pas mbylljes së pubit tuaj “Tre Musketierët”, tani do të riktheheni me të tjera projekte me dy miqtë tuaj Elton Dedën dhe Aleksandër Gjokën. Si do të jetë ky rikthim?

Rikthimi do të jetë aty ku e lamë, nuk ka përfunduar. Ishte një ndërprerje me ikjen e Eltonit në Amerikë, por me kthimin e tij përgjithnjë, ne do ti fillojmë përsëri aktivitetet tona. Nuk do të ketë më pub por do të ketë koncerte. Dhe një tjetër projekt i madh që do të jetë në fillim të tetorit, është një koncert recital i yni në, Pallatin e Kongreseve.

Do të kemi kemi këngë të reja, apo do të jenë këngët më të suksseshme tuajat?

Do të jenë kryesisht këngët hite tona, pasi në një koncert njerëzit duan të dëgjojnë ato këngë që njohin, por ne po punojmë edhe për këngë të reja që janë kryesisht shqip.

Si e kujtoni bashkëpunimin tuaj të parë?

Bashkëpunimi i parë më çunat ka qenë i rastësishëm. Unë me Sandrin kemi qenë në Egjipt në një projekt dhe aty lindi ideja për të bashkëpunuar. Kur u kthyhem nga Egjipti u takuam me Eltonin dhe e biseduam, iu futëm punës dhe dolëm në festival me një këngë. Ishtë një periudhë ku grupet nuk funksionin dhe e menduam “ që bashkimi bën fuqinë”. Bëmë disa këngë, patëm dhe një projekt për të bërë një koncert recital, por nuk u
realizua dhe më pas hapëm pubin.

Po në koncertet verore do të jeni të tre bashkë apo me këngëtarë të tjera?

Jo do të jemi vetëm të tre edhe pse kemi ftesa veç e veç.

Si është konceptuar si koncert?

Një këngën time përshembull, ne e këndojmë të tre jo të dal njëri dhe më pas tjetri. Jemi të tre në skenë dhe secili shoqëron këngët e njëri-tjetrit.

Si e vlerësoni karrierën e të dyve?

Karriera e tyre ka lënë gjurmë në artin shqiptar janë dy zëra të papërsëritshëm, dy artistë për mua të popullit. Por mbi të gjitha janë edhe shokë shumë të mirë, edhe pse tek pija nuk shkojmë shumë (qesh).

Si ndiheni përkrah tyre?

Gjëja që nuk më ngjit me ta, është që unë nuk pi alkool (qesh), gjëja që në ngjit është muzika dhe mendoj se ajo është kryesorja. Pavarësisht se secili ka individualitetin e tij, ne jemi një brez që jemi rritur me një tjetër lloj muzike. Kemi preferuar grupet e rrokut, jemi rritur me një muzikë që e dëgjonin fshehurazi dhe ndoshta kjo na ka bërë që të ngelemi partizanë të muzikës rrok. Ndoshta herë pas here kur ulem të krijoj, kam akoma
frymën e viteve ’80, por e veshur gjithnjë me petkun e muzikës moderne
të ditëve të sotme.

Një nga projektet e tuaja është edhe Miss Shqipëria?

Po do të merrnim pjesë duke kënduar himnin e tyre, por është një projekt që nuk u realizua. Megjithatë unë do të këndoj një këngë nga albumi im.

I keni parë Misset e këtij viti?

Po i kam parë janë më të mira se vitet e kaluara. Vajzat janë çdo vit e më të bukura, është kënaqësi të shohësh dhe të vlerësosh bukurinë shqiptare. Bukuria jonë ka lenë shije të mirë edhe në arenën ndërkombëtare. Por Petri dhe Alda bëjnë gjithnjë zgjedhje të mira.

Si është për ju një femër e bukur?

Pamja e parë është ajo që të tërheq, njësoj sikur sheh një pikturë. Por është mirë kur bukuria lidhet me inteligjencën dhe kjo është gjëja më perfekte pastaj. Shpesh ndodh që bukuria nuk ka qenë e lidhur me inteligjencën (qesh).

Gjithnjë keni qenë kritik për muzikën e ditëve të sotme, pse çfarë nuk shkon?

Jam kritik sepse atëherë kur kishim frikë të bënim muzikë, krijonim materiale të mira, tani që u “hap thesi” bëhet kjo lloj muzike. Nuk mund të them që nuk është muzikë e mirë, por jo me kulturën e duhur. Ka një disnivel të çuditshëm, me keq ardhje mund të them që nuk ka nivel.

I vlerësoni këngëtarët e rinj?

Ka këngëtarë të rinj, por ata kanë nevojë për kompozitar të mirë, që ti mbajnë në treg, pasi duhet të angazhohen shpesh në kompeticione konkurrese, për të qenë në treg dhe jo të zhduken.

Ka disa këngëtarë që e kanë fituar simpatinë e publikut, kanë bërë videoklipe dhe këngë goxha cilësore?

Ajo është një iniciativë dhe një luftë e tyre, por do ishte e mira që këtë ta bënin të gjithë. Duhet të pranoj që jemi në minorencë.

Po koncerte jashtë shtetit me “ Tre Musketierët”, do të kemi?

Kur të fillojmë të këndojmë tallave edhe ndoshta po (qesh).

Si po ecën shitja e albumit tuaj?

Albumi është pritur shumë mirë, mori çmimin si albumi i vitit nga “Kult”, e pasoi çmimi i videoklipit, çmimi i parë në “Kënga Magjike” dhe nuk e di kush do ta vazhdoj. (qesh).

Në fakt me çfarë do vazhdoni, cilat do të jenë projektet tuaja të ardhshme?

Projekti i parë është koncerti i treshes, por unë kam plan të bëj edhe një koncert timin recital me materiale të miat unplugged. Kam gjetur disa instrumentist të rinj që po punojnë, thjesht nuk e di nëse do të përballohet vetëm nga ana financiare.

Do të jenë këngët tuaja më të mira ndër vite?

Janë këngët e mia në vite të risjella në formë akustik, unë jam duke punuar paralelisht për një krijimtari të re, të cilat nuk kam dëshirë ti nxjerr si album por pak nga pak.

Po puna me videoklipet tuaja si po ecën?

Do të bëj videoklip këngën Fituese të këngës magjike, “Më ler të fle” si dhe një këngë tjetër të albumit tim.

Edhe rikthimi “Arb”, duket sikur solli sukses në karrirën tuaj?

Pati një rikthim por “plasi” sa doli.

Pse?

Na morën më sysh (qesh).

Nuk do të ktheheni më bashkë?

Jo. Unë se marr më përsipër të kthehem se jam i pari që desha ta krijoja bashkimin dhe jami pari që nuk dua të kthehemi më. Ne kemi patur një lidhje të hershme me djemtë, por ndoshta jeta e tyre tani është tepër e ngarkuar me projektet e tyre, si dhe me angazhimet familjare. Unë jam akoma në hapat e beqarisë, jam akoma në hapat e “adoleshencës” (qesh) dhe më pëlqente akoma ideja e një grupi. Unë eci akoma me ëndrrën e grupit “Arb” dhe ata nuk mu bën krahë në këtë dëshirë.

Po rikthimi me “Tre Musketjerët” beson se do të jetë më jetë gjatë?

Po ne e kemi pasion këtë punë. Çunat e kanë pasion këtë gjë ashtu siç e kisha unë me grupin “Arb”. Më pëlqen ideja e tyre që janë të angazhuar. Ne jemi tre solista që fare mirë secili mund të vazhdojë karrierën e vet, por po sakrifikojmë të gjithë nga pak nga emri jonë, për ti dhënë formë dhe frymë grupit “Tre Musketierët” .

Me thatë që jeni akoma në hapat e “adoleshencës”, më tregoni pak për të dashurën tuaj franceze?

Ajo nuk është franceze, por është kineze, në fakt kam dy të dashura kineze
(qesh). Gjithsesi preferoj ta sqaroj për THASH&THEM, që nuk kam patur asnjë të dashur franceze. Të dashurat e mia kanë qenë gjithnjë shqiptare. Nuk e di nga doli ky lajm. Ka qenë një media maqedonase, ajo që e ka nxjerr atë.

Pse përfundoi lidhja juaj shumë vjeçare me të dashurën tuaj gazetare?

Të them të drejtën, unë jam lidhur me muzikën dhe lidhja ime me të nuk do përfundoj kurrë. Ajo është e dashura ime. Asnjëherë nuk do divorcohem prej saj.

Çfarë është muzika për ju?

Është jetë, frymëmarrje, me atë zgjohem, me atë fle, me atë jetoj. Është e vetmja e dashur që nuk më ka lenë kurrë në baltë, është bashkudhëtarja ime derisa unë të mbyll sytë.

Po për pushimet keni menduar?

Pushimet e mia janë të lidhura me punën, zakonisht aktivitetet që janë në bregdet i shfrytëzoj për të pushuar. Por të them të drejtën plazhi nuk më pëlqen shumë, zonat malore janë të preferuarat e mia.

Po sa i përket futbollit me kë bëni tifo?

Sot jam në ditë zie, isha me Gjermaninë. E kam përjetuar që fëmijë humbjen e Gjermanisë. Nuk e di si jam bërë me ta, por kemi qenë një grup shokësh që na pëlqente futbolli gjerman. Më pëlqen disiplina dhe raca e tyre e pastër ariane ndaj dhe jam gjetur brenda tyre pa e ditur sesi. Më pëlqen më tepër futbolli i viteve ‘80, ky i tanishmi nuk ka atë gjakun e dikurshëm. Gjithsesi dola pak i zhgënjyer nga futbolli gjerman, kështu që Italia bëri mirë që na rrahu se nuk luajtëm gjë. (qesh)

Redon, jeni përpjekur ta promovoni edhe jashtë shtetit artin tuaj?

Kam qëndruar besnik i këtij vendi, sepse duhet të kesh pak fat jashtë. Të gjithë miqtë e mi kanë tentuar të shkojnë jashtë shtetit dhe më pas janë kthyer, e njëjta gjë do ndodhte edhe me mua. Arti jashtë ka tepër konkurrencë.

Do të merrni pjesë në ndonjë festival këtë vit apo do të shijoni suksesin e “Këngës Magjike”?

Ta shijojmë pak suksesin, nuk kam ndërmend të hyj në konkurrim. Edhe Festivali i RTSH-së, është një thikë me dy presa. Pas performancës së Ronës që unë e përgëzoj, dhe jam krenarë që kam qenë në jurinë përzgjedhëse të festivalit . Ajo ishte një këngë që bota e vlerësoi dhe më erdhi keq që dolëm të pestët, duhet të ishim në treshe pa diskutim. Pas këtij ovacioni është risk ai që do të shkoj këtë vit në Eurosong, kështu që unë nuk e marr përsipër (qesh).

Redon si ndiheni kur ju cilësojnë si këngëtar i baladave, ju pëlqen?

Nuk më pëlqen aspak , sepse unë s’kam vetëm balada. “Përse më bërë të të urrej”, ka qenë një këngë që ka fituar çmimin e parë në Festivalin e Pranverës dhe nuk është baladë, kënga “Ndjej” po ashtu nuk është baladë.

Por duhet thënë që keni edhe shumë balada, të cilat mbahen mend?

Në fakt baladat duhet të jenë shumë të bukura që të mbahen mend. Ndoshta momenti që i kam krijuar ka patur atë pasqyrën e gjendjes sime shpirtërore. Duhet thënë që baladat i rezitojnë gjithmonë kohës. Edhe grupeve të Metalit siç janë, Metallica, Gun’S N Roses, etj baladat i mbahen mend. Ato janë këngë që mbeten sepse depërtojnë më thellë tek individët, pasi vet njerëzit janë ndërtuar në mënyrë të tillë që nuk janë gjithnjë të qeshur. Prandaj dhe kur janë vetëm e gjejnë më shumë veten tek baladat.

Cilën nga këngët e repertorit tuaj do të veçoni?

Kam përjetuar shumë këngë si “Dikur luaja me ndjenjën e saj”, “Vjeshta”, etj. Janë disa kënga që më kanë lenë gjurmë në momentin e regjistrimit. Mbaj mend Ema Andrean “ kur thotë kam ftohtë “, asaj ju mbushën sytë me lot kur bëntë këtë pjesë. Duhet të them se kohës i ka rezistuar kënga, “Dikur luaja me ndjenjën e saj”, “Ç’më ndodh pa ty”, etj.

Pas “Tre Musketierëve” nuk ju kemi parë të këndoni live në klubet e kryeqytetit, nuk ju pëlqen të cilësoheni si këngëtar lokalesh?

Aktualisht po punoj me disa djem të rinj shumë të talentuar, ata janë shumë të dhëne pas muzikës. Por pubi nuk është pasioni im, nuk e shoh veten si këngëtar pubesh. E shoh veten tek koncertet tek videot, apo në një aktivitet më madhështor edhe pse nga lokalet kemi dal. Flas për vitet ’90 kur sa u hapën këto ambiente dhe ne kemi qenë ndër të parët, por për mua tani është paksa e lodhshme.

Sa ju ka mbështetur familja në muzikë?

Ata kanë qenë shtysa kryesore për mua në fushën e muzikës, por jo në atë të matematikës (qesh). Im atë ishte shumë i përgatitur në matematikë dhe isha i frikësuar kur i tregoja detyrat apo kur vinte në takim me prindër, sepse ishte e vetmja lendë që çaloja. Kurse për muzikën ishin të apasionuar.

Kë keni patur si idhull në karrierën tuaj muzikore?

Unë jam rritur me muzikën e Bitëllsave, dhe tani kur i dëgjoj këngët e tyre kam shumë nostalgji.

E mbani mend këngën tuaj të parë?

Po. Ka qenë kënga “Vitet e shkollës”, me Bledar Seikon dhe më pas vijoi bashkëpunimi me Morena Rekën. Me Bledarin kemi kënduar në “Festivalin e Pranverës”, këngën “Ju duam”, por që nuk flisnim me njëritjetrin. Kënga është kënduar me një buzëqeshje fallco dhe pas mbarimit të këngës kemi ecur njëri para tjetri mbrapa. Atëherë s’kishim as makina dhe unë prisja që ai të ikte i pari (qesh).

Si janë marrëdhëniet tuaja sot?

Shumë të mira , duket sikur jemi akoma në shkollën e mesme (qesh).

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Parisi i jep lamtumirën Lojërave Olimpike, Shqipëria theu rekordin e saj historik me dy medalje bronzi

Parisi i jep lamtumirën Lojërave Olimpike, Shqipëria theu rekordin e saj historik me dy medalje bronzi