Reforma, 10 ditë për konsensus
për propozimin e ri të SHBA-ve

Reforma, 10 ditë për konsensus<br />për propozimin e ri të SHBA-ve
Ndihmës sekretarja amerikane e shtetit, Victoria Nuland ka deklaruar gjatë konferencës për shtyp, pas takimeve me krerët e politikës shqiptare, se ambasadori amerikan, Donald Lu dhe kolegia e tij e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, kanë bërë një propozim të ri për reformën në drejtësi.

Ajo ka theksuar se propozimi i ri është një përmbledhje e qëndrimeve të opozitës dhe mazhorancës. Nuland theksoi se oferta e ambasadorit Lu e Vlahutin, ka mbështetjen e SHBA-BE dhe të Komisionit të Venecias. Zyrtarja amerikane theksoi se propozimi i ri po negociohet mes mazhorancës e opozitës. Tashmë palëve politike iu kanë mbetur vetëm 10 ditë kohë për të gjetur konsensusin, pasi më datën 21 korrik është përcaktuardata e votimit në Kuvend.

"Në 24 orët e fundit, ambasadori Lu dhe kolegia e tij e BE, kanë bërë një propozim të ri, që mund të ndihmojë palët. Ky është një propozim hibrid i cili ka marrë ide nga qeveria dhe opozita shqiptare dhe gjithashtu është në përputhje me propozimin e Komisionit të Venecias. Ky propozim ka mbështetjen time, ka mbështetjen e gjerë nga Uashingtoni dhe nga lidershipi aty. Kam pasur mundësi që ta shqyrtoj me hollësi në takimin tim me kreun e qeverisë dhe atë të opozitës. I kam nxitur që të dy ata, në emrin tim e të personave nga Uashingtoni që të mblidhen së bashku rreth asaj që është propozuar. Ka ardhur koha që të arrihet një marrëveshje. Populli shqiptar është duke pritur. Është çasti që të gjithë patriotët e Shqipërisë të mund të bashkojnë forcat dhe të japin atë që ky vend po pret. Me një reformë të fortë në drejtësi, Shqipëria mund të vazhdojë të ecë përpara edhe në çështje të tjera si ekonomia, krijimi i vendeve të punës", u shpreh Nuland.
 
Ajo theksoi se ky është një moment vendimtar për demokracinë shqiptare. Sipas saj, reforma në drejtësi për të cilën po punon kuvendi, qeveria dhe opozita
është tejet jetike për të ardhmen e demokracisë shqiptare.

"Do të japë një kontribut të rëndësishëm për t'i dhënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë. Eshtë një hap tjetër thelbësor që Shqipëria duhet të ndërmarrë në hapin tjetër drejt bisedimeve për tu anëtarësuar në BE. Negociatorët nga të dyja palët kanë punuar fort dhe drafti është drejt përfundimit tani", deklaroi Nuland.

Zyrtarja e lartë e SHBA, ndihmës sekretarja Amerikane e Shtetit, Victoria Nuland. mbërriti në Shqipëri në mesditë.  Vizitën në kryeqytetin shqiptar Nuland e ka nisur me një takim me Ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, ndërsa më pas zyrtarja e lartë e Departamentit Amerikan të Shtetit ka takuar kreun e opozitës Lulzim Basha.
  
Pas takimit me kreun e PD, zëvendës sekretarja amerikane e shtetit u prit nga kryeministri Edi Rama.

Deklarata e plotë për mediat e Victoria Nuland
 
Vizita e Victoria Nuland në Tiranë

Ora 19:30 Nuland konferencë për shtyp
Në mbyllje të takimeve me liderët e politikës shqiptare, zv/ndihmës sekretarja amerikane e shtetit, Victoria Nuland, ka dalë në një konferencë për shtyp për mediat. Nuland pritet të komunikojë rezultatet e bisedimeve gjatë takimeve të kësaj të diele me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, kryetarin e PD, Lulzim Basha dhe kryeministrin Edi Rama.



nuland  

NULAND

Ora 19:05 Përfundon takimi Rama-Nuland
Ka përfunduar takimi i kryeministrit Edi Rama me zv/sekretaren amerikane të shtetit, Victoria Nuland. Takimi ka qenë i përqëndruar tek reforma në drejtësi, ku Nuland ka konfirmuar interesin strategjik të SHBA për Shqipërinë dhe vendosmërinë që Shqipëria të ruajë alencën me SHBA.

Mësohet se kreu i qeverisë është treguar i hapur për çdo ofertë për konsensus që vjen nga SHBA dhe Bashkimi Evropian për reformën në drejtësi dhe e ka garantuar zonjën Nuland për votat e shumicës pro reformës.

Victoria Nuland do të dalë në një konferencë për shtyp pas pak minutave, për të komunikuar edhe rezultatet e takimeve gjatë ditës së sotme me krerët e politikës shqiptare.

rama nuland

Ora 18:20 Nuland mbërrin në Kryeministri, takohet me Ramën
Zv/ndihmës sekretarja amerikane e shtetit, Victoria Nuland, ka mbërritur në selinë e Këshillit të Ministrave për të takuar kryeministrin Edi Rama. Më herët Nuland takoi ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati si dhe kryetarin e opozitës, Lulzi Basha.  

Ora 16:22 Përfundon takimi Basha-Nuland
Ka përfunduar pas rreth 45 minutash takimi mes kryetarit të PD, Lulzim Basha dhe zv/ndihmës sekretare amerikane të Shtetit Victoria Nuland. Pas takimi, kreu i PD dha edhe një prononcim për mediat, ku u shpreh se në fokus të takimit ka qenë reforma në drejtësi. Basha tha se opozita nuk heq dorë nga rekomandimi nr.88 i Komisionit të Venecias, ndërsa shtoi se mazhoranca duhet të reflektojë mbi këtë propozim. 

"PD ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për reformën në drejtësi. Ekspertët tanë kanë bërë të mundur përmirësimin thelbësor të një drafti që nisi si një përpjekje për të kapur drejtësinë, sot ka mbetur një çështje e cila ndan palët. PD e ka bërë të qartë qëndrimin e saj, zbatimin e rekomandimit 88 të Venecias. Kemi bërë tre propozime, i pari është propozim i SHBA e BE, për vendet e rezervuara, listat alternative dhe së fundi propozimin tonë të tretë. Ne jemi të bindur se kjo reformë mund të miratohet vetëm me konsensus politik. S'ka asnjë themel tjetër të shëndoshë të reformës se konsensusi mes palëve. PD mbetet besnike 100% e rekomandimit 88 të Venecias. Pala tjetër të reflektojmë dhe jemi të hapur që t'i hapim rrugë kësaj çështje të vetme", u shpreh Basha.
 
Kreu i PD theksoi se "kjo reformë mund të kalojë vetëm me konsensus politik". "Këto propozime do të jenë pjesë e rrugës së zgjidhjes, ajo që mbetet për tu konfirmuar është vullneti i palës tjetër e cila të diskutojë mbi këtë propozim. Për t'i dhënë Shqipërisë një reformë në drejtësi me konsensus politik", tha ai. 

Ora 16: 15 Zbardhet takimi Bushati-Nuland: "Drejtësia" prioritet i SHBA
Ministria e Jashtme ka zbardhur takimin e kryediplomatit shqiptar, Ditmir Bushati me zv/ndihmës sekretaren amerikane të Shtetit, Victoria Nuland. Sipas Ministrisë së Jashtme, kjo vizitë është dëshmi e një agjende intensive të bashkëpunimit e kontakteve dypalëshe: pas vizitës së Sekretarit të Shtetit John Kerry në Tiranë dhe takimit ne Shtëpinë e Bardhë të Kryeministrit Rama me Presidentin Obama.
 
Bashkëpunimi në kuadër të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rëndësia e miratimit të reformës në drejtësi, bashkëveprimi për sfidat e sigurisë globale dhe perspektiva e rajonit të Ballkanit Perëndimor ishin ndër çështjet e trajtuara në takim.
 
Ministri Bushati e njohu Nuland me zhvillimet më të fundit në vend, vendosmërinë e qeverisë shqiptare për miratimin e reformës në drejtësi, si një reformë e një rëndësie parësore në forcimin e shtetit ligjor në vend, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar në përforcimin e sundimit të ligjit në ekonomi dhe me impakt të drejtpërdrejtë në avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.
 
Ai falënderoi Ndihmës Sekretaren Nuland për mbështetjen e çmuar të Shteteve të Bashkuara për proceset demokratizuese, konsolidimin e shtetit ligjor dhe kryerjen e reformave duke theksuar se mbështetja dhe asistenca e ekspertëve amerikanë është e një rëndësie themelore për suksesin e reformës në drejtësi. Ne këtë kontekst Ministri Bushati u shpreh se: “Këshillat e SHBA-së kanë qenë të çmuara dhe bashkëpunimi i ngushtë i tyre me BE-në, si dhe mbështetja e pakursyer për reformën tregon rëndësinë dhe koherencën e aksionit tonë të përbashkët. Për ne nuk ka as kthim prapa, as hollim të reformës. Ajo duhet të jetë rrënjësore sepse kështu e kërkon mbi 90% e shoqërisë sonë, e kërkon nevoja jonë për zhvillim”.
 
Duke u ndalur në bashkëpunimin në kuadër të partneritetit strategjik, Ministri Bushati siguroi mbi angazhimin e Shqipërisë për të vijuar si partner i vendosur përkrah SHBA-së për stabilitetin, paqen e prosperitetin në rajonin tonë e më gjerë, si dhe në drejtim të përballimit të sfidave të sigurisë globale.
 
Ndihmës Sekretarja Nuland shprehu mbështetjen e SHBA-së në proceset demokratizuese, integrimin e mëtejshëm euroatlantik si dhe në prosperitetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon.
 
Ajo theksoi se reforma në drejtësi mbetet një prioritet i lartë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe për përparimin e Shqipërisë drejt BE-së.
 
Në vazhdën e vendimeve të marra gjatë Samitit të NATO-s në Varshavë, Nuland vlerësoi rritjen e kontributeve të Shqipërisë në kuadër të misioneve të aleancës dhe luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

 
Ora 15:30 Nuland takon kreun e PD, Lulzim Basha 
Ka nisur takimi mes zv/ndihmës sekretares amerikane të shtetit, Victoria Nuland dhe kryetarit të PD, Lulzim Basha. Takimi zhvillohet në ambientet e hotel "Rogner". Basha shoqërohet në këtë takim nga nënkryetari i komisionit të posaçëm parlamentar të reformës në drejtësi, Oerd Bylykbashi si dhe deputeti Aldo Bumçi. Ndërsa Nuland shoqërohet nga ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu. 



victoria nuland
(Victoria Nuland pas takimit me Bashen)

Ora 14:50 Nuland takon ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati
Ndalesa e parë e Victoria Nuland në Tiranë ishte takimi me Ministrin e Punëve të Jashtme Ditmir Bushati. Takimi mes Bushatit dhe Nuland zgjati rreth 35 minuta. Si Nuland ashtu edhe Bushati nuk u prononcuan për mediat.  

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Barcelona pëson humbjen e parë sezonale, Osasuna e turpëron 4-2 në 'Pamplona'

Barcelona pëson humbjen e parë sezonale, Osasuna e turpëron 4-2 në 'Pamplona'