Reforma, ambasadori i SHBA nis
mbledhjen e votave,takon Patozin

Reforma, ambasadori i SHBA nis<br />mbledhjen e votave,takon Patozin
21 Korriku duket se do të jetë dita betejës finale, ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe opozita shqiptare do të matin forcat në parlament, për të shembur sistemin e drejtësisë dhe projektuar një sistem të ri.

Disa orë pasi Konferenca e Kryetarëve caktoi ditën votimit të projektit kushtetues, Ambasada Amerikane në Tiranë ka nisur lëvizjet, për të mundësuar 94 votat e domosdoshme për miratimin e projektit kushtetues.

Pas paralajmërimin se çdo deputet do të mbajë përgjegjësi individuale për votën në raport me projektin kushtetues, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ka nisur të kontaktojë dhe takojë individualisht deputetë të Partisë Demokratike.

Pavarësisht mesazhit të Lulzim Bashës se, çdo lëvizje e tyre është nën survejim dhe monitorim të rreptë, ambasadori amerikan po zhvillon takime individuale me deputetë të PD, për fatin e Reformës në Drejtësi.

Në këtë kuadër, ambasadori amerikan, është takuar dje në hotel “Rogner” me deputetin demokrat Astrit Patozi, i cili njihet për qëndrime të moderuara dhe parimore, shpeshherë jashtë linjës zyrtare të Partisë Demokratike.

Takimi është konfirmuar për gazetën Shqiptarja.com nga vetë deputeti Patozi. Edhe pse Patozi u tregua i rezervuar sa i takon përmbajtjes së bisedës, diplomati amerikan duket se i ka kërkuar deputetit demokrat votën për Reformën në Drejtësi, në datën 21 Korrik. Përpos shpjegimit të rëndësisë së reformës, ambasadori duket se i ka kërkuar garanci për votën.

Lëvizja
Takimi me deputeti demokrat Astrit Patozi duket se është vetëm fillimi i një lëvizjeje në terren të ambasadorit Lu, në kuadër të investimit të madh amerikan, për të mundësuar votimin e projektit kushtetues, sipas variantit të publikuar nga komisioni i posaçëm për Reformën në Drejtësi.

Ambasadori amerikan mësohet se ka planifikuar takime deri më datën 21 Korrik, për të bindur deputetët e lëkundur të votojnë pro Reformës në Drejtësi, sigurisht pa pikën e famshme 88 të opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias.

Ambasadori mësohet se ka ftuar edhe deputetë të tjerë demokratë në takim, po në kuadër të mbledhjes së votave të domosdoshme për Reformën në Drejtësi.

Lëvizja konfirmon se, amerikanët kanë hyrë tashmë garant për votimin e Reformës në Drejtësi në Parlament. Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar se miratimi i njëanshëm i Reformës në Drejtësi rrezikon destabilizimin politik të Shqipërisë.
 

Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Barcelona pëson humbjen e parë sezonale, Osasuna e turpëron 4-2 në 'Pamplona'

Barcelona pëson humbjen e parë sezonale, Osasuna e turpëron 4-2 në 'Pamplona'