Reforma/ Ja drafti i PS-së për
ndryshimet kushtetuese në drejtësi
PDF- Drafti

Reforma/ Ja drafti i PS-së për<br />ndryshimet kushtetuese në drejtësi<br />PDF- Drafti
Mazhoranca parlamentar ka depozituar pranë komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi amendimet Kushtetuese në sistem. Në bazë të propozimeve të së majtës Prokurori i Përgjithshëm qëndron në detyrë deri në emërimin e Prokurorit të ri.
 
Sipas ligjit të ri, Prokurori i Përgjithshëm në detyrë emërohet gjyqtar në Gjykatën e apelit të Tiranës brenda 3 muajve nga data e mbarimit të mandatit.

Propozimet e reja parashikojnë krijimin e një strukture të posaçme të Prokurorisë që është përgjigjur për ndjekjen penale kundër gjyqtarëve, prokurorëve zyrtarëve të lartë. Brenda kësaj strukture parashikohet edhe Byroja Kombëtare e Hetimit që do hetojë në drejtimin e prokurorëve të posaçëm anti korrupsion
 
Po ashtu në amendimet Kushtetuese të mazhorancës propozohet që anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë të përfundojnë veprimtarinë e tyre, si anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë 3 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Ky institucion do të emërtohet këshilli i lartë gjyqësor dhe zgjedhja e anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor bëhet brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Në strukturën e re të këtij institucioni përjashtohet Presidenti i Republikës ndërsa Ministri i Drejtësisë do të ketë rol vëzhgues.
 
Sipas propozimit të mazhorancës Këshilli i Lartë Gjyqësor përbëhet nga 11 anëtarë. Gjashtë prej anëtarëve janë gjyqtarë të zgjedhur nga gjyqtarët e të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor. Pesë anëtarët e tjerë vijnë nga avokatia, 1 anëtar, trupa e pedagogëve të drejtësisë, 2 anëtarë, trupa e pedagogëve jo magjistratë të Shkollës së Magjistraturës, 1 anëtar, dhe shoqëria civile, 1 anëtar.
 
Anëtarët jo gjyqtarë emërohen nga Kuvendi me tri të pestat e gjithë anëtarëve mbi bazën e propozimeve nga strukturat përkatëse dhe të opinionit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Tre anëtarë gjyqtarë dhe 2 jo gjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor do të emërohen fillimisht për një mandat 3 vjeçar, me qëllim përtëritjen e pjesshme të këtij organi. Në listën e gjatë të amendimeve në kushtetutë shumica e majtë fokusohet në mënyrë të veçantë në institucionet e pavarura, që nga presidenti gjykata kushtetuese, gjykata e lartë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Prokuroria.
 
Në propozimin e së majtës për zgjedhjen e Presidentit thuhet se nuk ndryshon formula e zgjedhjes së tij, por në bazë të dokumentit analitik të shumicës është arritur në përfundimin se me mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, edhe me shumicë të thjeshtë në raundet e fundit, Presidenti, duke qenë se mund të jetë politikisht i njëanshëm, nuk mund ta kryejë më këtë funksion të rëndësishëm. Që ka të bëjë me zbatimin e formulës aktuale të emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm dhe garantimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë.
 
Në bazë të propozimit të shumicës së majtë zbatimi në praktikë i kësaj formule është vështirësuar ndjeshëm duke sjellë vonesa në emërimet, tejkalim të afateve të qëndrimit në detyrë nga gjyqtarët të cilëve iu ka mbaruar mandati ose kanë dhënë dorëheqjen.

E kjo situata është ndjekur me konflikte në lidhje me procedurat dhe kriteret e përdorura nga Presidenti në përzgjedhjen e kandidaturave, dhe politizimin e procesit të emërimeve në tërësi. Drafti I shumicës që u depozituar të premten në kuvend pritet të kalojë në mbledhjen e së hënës të komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, e që për të cilën do të kërkohet marrja e opinionit të Komisionit të Venecias.

Ndërkaq para disa ditësh opozita depozitoi propozimet e saj me 300 rekomandime për këtë sistem nga të cilat 60 janë rekomandime kushtetuese.

Kjo çështje pritet të hapë debate në mbledhjen e Komisionit , pasi burime nga PD konfirmojnë se propozimi i opozitës nuk është përfshirë në rendin e ditës së mbledhjes së komisionit të posaçëm.
Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Juventus monumental, me dhjetë lojtarë përmbys 2-3 Leipzig! Lille mposht Real Madridin, Aston Villa fiton me Bayern! Shënon Gjimshiti, tri pikë Liverpool

Champions League/ Juventus monumental, me dhjetë lojtarë përmbys 2-3 Leipzig! Lille mposht Real Madridin, Aston Villa fiton me Bayern! Shënon Gjimshiti, tri pikë Liverpool