Duke folur nga takimi në Durrës, në të cilin janë mbledhur Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, Johannes Hahn ka shtuar se, kjo reformë duhet të miratohet para pushimeve të stinës së verës në mënyrë që Bashkimi Europian në muajin tetor të ketë të qarta edhe rezultatet konkrete.
“Isha shumë i qartë dje. Bëmë një inventar të realizimit të 5 prioriteteve dhe drejtësia është në zemër të përparësive. Është element kyç dhe na duhet një vendim përpara pushimit të verës. Të respektohen mendimet e Komisionit të Venecias, të respektohet marrëveshja në parim që është arritur dhe të miratohet reforma në drejtësi. Miratimi është hapi i parë, ndërsa i dyti është zbatimi i saj. Duhet zbatimi i mirë që të mund të shohim në tetor rezultatet, që shpresojmë të jenë në drejtimin e duhur. Nëse është kështu, jam optimist” ka thënë Johanes Hahn gjatë një konference të përbashkët që ai pati me Ministrin e Jashtëm të vendit tonë, Ditmir Bushati.
Hahn shtoi se, Shqipëria është përfituese e fondit 150 milion Dollarëve për rajonin e Ballkanit.
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)