Pas përfundimit të tryezës së ekspertëve mbi Reformën në Drejtësi mbajtur në Kryesinë e Kuvendit, përfaqësuesi i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj u shpreh në një prononcim për mediat, se dokumenti i vetëm mbi të cilin do të punohet është drafti i Komisionit të Venecias. "U ra përfundimisht dakord që diskutimi i mëtejshëm, procedura modusi i të vepruarit është pikërisht ky dokumenti i vetëm bazë mbi të cilin të gjithë ekspertët e gjitha krahëve të gjitha çfarë përfaqësojnë të jetë i vetmi ai dokument, opinioni përfundimtar i miratuar nga Komisioni i Venecias, opinion i cili ka thënë qartë, shkoqur dhe saktë që çfarëdolloj reforme që duhet bërë nuk do duhet të krijojë kapjen e sistemit të drejtësisë," tha Alibeaj. Sipas tij detyra e ekspertëve është identifikimi i çështjeve të diskutueshme dhe gjetja e zgjidhjeve.
"Të gjithë ekspertët në atë tryezë të rrumbullakët thjesht dhe vetëm do të identifikojnë çështjet të cilat janë të diskutueshme se Venecia i ka thënë të tilla dhe do të identifikojmë edhe zgjedhjen përkatëse më të mirën nën gërmën dhe frymën e Komisionit të Venecias, së bashku sigurisht në kushte barazie," shtoi ai. Mbledhja e djeshme e cila u zhvillua me dyer të mbyllura, ishte e para e këtij viti pas dështimit të mbledhjes së 29 dhjetorit të vitit që lamë pas. Përfaqësuesit e PS që morën pjesë në takim ishin Sokol Sadushi dhe Gent Ibrahimi, ndërsa nga PD Enkelejd Alibeaj dhe Gazmend Bardhi.
Në takim morën pjesë edhe dy ekspertë të Ministrise së Drejtësisë, Ilir Rusmali dhe Krenar Loloci. Reforma në drejtësi konsiderohet me e rëndësishmja për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Maxhoranca dhe opozita janë angazhuar për përmbylljen e kësaj reforme brenda këtij viti që sapo nisi. Ndërkohë, ish-ministri demokrat i Drejtësisë, Ilir Rusmali është rikthyer në fushën e tij më të fortë, atë të drejtësisë, por kësaj radhe jo më si një përfaqësues i demokratëve. Ministri i ri i drejtësisë, Ylli Manjani e ka përzgjedhur atë si një prej ekspertëve të pavarur që po përfaqëson ministrinë në tryezat e përbashkëta të ekspertëve teknikë ndërpartiakë për reformën në drejtësi, kjo e konfirmuar zyrtarisht për “Shqiptarja.com” nga ministria.
Pas një kohe të gjatë tërheqjeje nga politika, Ilir Rusmali do të jetë zëri i ministrisë së drejtësisë, gjatë gjithë procesit të reformës në drejtësi në ditën në vijim. Rusmali i cili ka drejtuar për një kohë të gjatë Komisionin e Ligjeve do të jetë përballë dhe përkrah kryetarit aktual të Ligjeve, Fatmir Xhafaj që drejton dhe reformën në drejtësi.
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)