Reforma në Drejtësi, Lu: Politika
po iu bën presion hartuesve të saj

Reforma në Drejtësi, Lu: Politika<br />po iu bën presion hartuesve të saj
Beteja mes grupeve politike dhe amerikanëve për shembjen e sistemit aktual të drejtësisë, zhvendoset në një stad tjetër. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu, ka deklaruar dje se politikanë të fuqishëm shqiptarë, po ushtrojnë presion mbi hartuesit e amendamenteve kushtetuese për Reformën në Drejtësi. Duke folur në aktivitetin “Historia e Amerikës në sytë e adoleshentëve”, në Muzeun Historik Kombëtar, ambasadori amerikan shpreh se politika po ushtron presion mbi njerëzit që po punojnë për Reformën në Drejtësi, që siç tha ia, po shkruajnë historinë

Kohë më parë, ambasadori Lu, ka deklaruar se ka një grup pushtetarësh, të cilët janë kundër Reformës në Drejtësi, por ka garantuar shqiptarët se, amerikanët do ta fitojnë betejën me ta. “Aleksandër Hamilton erdhi nga asgjëja. Ishte një njeri jetim që punoi që në moshën 11-vjeçare për të mbijetuar dhe u bë një nga njerëzit më të rëndësishëm në historinë e Amerikës. Pse është aktual për shqiptarët? Së fundmi pata një bisedë me një mikun tim shqiptar që po punon për reformën në drejtësi. Sugjerimi im është: Shpresoj të mbani shënim për sakrificat e burrave e grave që po punojnë ditë e natë për muaj e vite për këtë reformë e për të ndryshuar këtë vend. Ashtu si Hamiltoni, edhe ata po punojnë të shkruajnë historinë e këtij vendi kundra presioneve politike dhe politikanëve të fuqishëm. Historia amerikane është aktuale për ju, pasi jam i sigurt se mes jush gjendet një George Washington apo një Thomas Jeferson i ardhshëm”, deklaroi ambasadori amerikan, Donald Lu.

Mesazhi
Ndonëse ambasadori Donald Lu nuk lakoi emra politikanësh dhe subjektesh politike, deklarata tingëllon për ish-kryeministrin, Sali Berisha, i cili i është kundërvënë projektit të rishikuar nga SHBA-BE për Reformën në Drejtësi, ndërsa ka hedhur akuza të rënda dhe në vijimësi mbi hartuesit e draftit për Reformën në Drejtësi. Për muaj me radhë Berisha ka sulmuar hartuesit e draftit, edhe pse autorësinë e kanë mbajtur OPDAT dhe EURALIUS. Kjo deklaratë vjen gjithashtu pas akuzave për dështimin e negociatave dhe paralajmërimeve për përgjegjësi individuale për votën kundër Reformës në Drejtësi.

Apeli
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu u shpreh dje se palët politike në vend duhet të punojnë për një reformë gjyqësore për rezultate. Ai ka shtuar se vendi po përjeton ndryshime të jashtëzakonshme dhe se po kalon në faza interesante. Lu theksoi se historia e Amerikës shpreson që të jetë frymëzuese për të gjithë shqiptarët, sidomos të rinjtë për të krijuar një të ardhme të sigurt. “Shqipëria po përjeton ndryshime të jashtëzakonshme. Ajo po kalon në faza shumë interesante. Po punohet për reformën gjyqësore. Uroj që historia e Amerikës të jetë frymëzuese për ju dhe të rinjtë. Të zbatohet reforma gjyqësore për rezultate, i bëj thirrje politikës që të punojë për Reformën në Drejtësi”, tha Lu. E pranishme në këtë aktivitet, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka thënë se, të gjithë duhet të reflektojmë se çfarë mund të bëjmë për atdheun dhe se rishikimi i historisë i duhet sistemit arsimor.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Vengu inspekton punimet për ndërtimin e godinës multifunksionale në Repartin e Operacioneve Speciale në Zall-Herr

Vengu inspekton punimet për ndërtimin e godinës multifunksionale në Repartin e Operacioneve Speciale në Zall-Herr