Meta e informoi Hahn mbi takimin e djeshëm në mes kryetarëve të partive politike në vend dhe vuri në dukje se fryma konstruktive dhe progresi thelbësor i arritur gjatë bisedimeve në tryezën politike duhet përshëndetur pozitivisht nga të gjithë palët.
Meta e siguroi Hahn se pas deklaratave të sotme dhe angazhimit të qartë të shprehur prej Ramës dhe Bashës, ekziston një predispozitë e shëndetshme për miratimin konsensual të Reformës në Drejtësi të enjten në 21 korrik 2016, paketë e cila është futur tashmë në rendin e ditës së Kuvendit.
Meta ka theksuar gjatë bisedës telefonike me Komisionerin për Zgjerim Johannes Hahn se do të bëjë gjithçka për të ruajtur frymën konsensuale e konstruktive për miratimin e paketës kushtetuese të enjten në seancë plenare, në interes të ruajtjes së stabilitetit politik të vendit dhe integrimit evropian të tij, si dhe në shërbim të suksesit të fazës së ardhshme të zbatimit të kësaj reforme të rëndësishme për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.
Komisionieri Hahn ka thënë se Reforma në Drejtësi është hap i rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)