Reforma në drejtësi, Nishani:Të kujdesshëm me ndryshimet kushtetuese


Presidenti i Republikes, Bujar Nishani
TIRANË, 30 Tetor/ATSH/.- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani gjatë një interviste të premten në emisionin Top Story, të gazetarit Sokol Balla, përsëriti nevojën e reformës në drejtësi, por kërkoi të bëhet kujdes me ndryshimet që do të bëhen. Presidenti tha se i është drejtuar Komisionit të Venecias përmes një letre, ndryshe nga opozita, Komisioni i posaçëm dhe LSI, që janë paraqitur me draftet e tyre.
"Opozita i ka dërguar një draft me amendamente Komisionit të Venecias, ndërsa Presidenti një letër me shtatë paragrafe ku fokusohet tek rëndësia e reformës dhe shqetësimet që kam patur për procesin. Kam marrë tre drafte në dorë, atë të opozitës, atë të LSI-së dhe atë të Komisionit. Shkojmë tek Komisioni i Venecias me tre drafte dhe kjo tregon mungesa konsensusi", deklaroi Nishani.
Kreu i Shtetit përmendi disa pika, që sipas tij, e shndërrojnë gjyqësorin në vend si degë të administratës publike. "Këto propozime të bëra deri më sot bëjnë që pushteti gjyqësor të mbyllet dhe të shndërrohet në një degë të administratës publike. Së pari, kërkohet në mënyrë ultimative që ndryshimet dhe ligjet që do të miratojë parlamenti duhet të mos shpallen antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Kjo është shumë e rëndë. Ne nuk po ndryshojmë të gjithë Kushtetutën, por po ndryshojmë pjesë të saj, por e fusim Kushtetutën në një qorrsokak", nënvizoi Nishani.
Duke iu referuar propozimeve për ndryshimin e ligjit themeltar të shtetit, ai iu referua ndalimit në Kushtetutë të krijimit gjykatave speciale. KJo, tha ai, do të thotë që krimet e rënda nuk mund të funksionojnë më tek ne, pasi krimet e rënda janë gjykatat speciale, dhe i gjithë shqetësimi është që të mos hetohen krimet e komunizmit. Kjo për mua është e papranueshme, tha Nishani.
Sipas Presidentit me këtë draft kërkohet që tetë nene, që parashikojnë mbrojtjen e lirive themelore dhe të drejtave të njeriut, të pezullohen për një farë kohe. Kërkohet që të bëhet një proces hetimi për gjyqtarët, ku një komision i disiplinës do të shkojë derë më derë për të marrë opinionin e qytetarëve, mbi bazën e të cilit mund të shkarkohet një gjyqtar dhe me amendamentet e propozuara, këtij gjyqtari i mohohet e drejta për t'u ankuar në gjykatë.
Gjatë intervistës së tij Presidenti Nishani foli dhe për klimën politike në vend, ku pohoi se ka një polarizim te thellë te klasës politike aktuale, për të cilën fajësoi përgjithësisht mazhorancën.
"Jam dakort që sot ka një polarizim të madh të politikës shqiptare dhe përgjegjësia e madhe bie mbi mazhorancën. Ka qenë mbi mazhorancën e djeshme dhe është mbi mazhorancën e sotme dhe do të jetë mbi çdolloj mazhorance në të ardhmen", tha Nishani.
I pyetur se si mund të ndikojë institucioni i Presidentit në zbutjen e këtij polarizimi të thellë, z. Nishani deklaroi se mazhoranca e ka sulmuar vazhdimisht përmes reduktimit të kompetencave, ndaj roli i tij në zbutjen e polarizimit është tejet i reduktuar.
"Puna e Presidentit bazohet në tre shtylla kryesore, sigurinë kombëtare, politikën e jashtme dhe pjesërisht në sistemin e drejtësisë; të tre këto kollona kanë ardhur duke u goditur dhe një pjesë e tyre janë shembur", deklaroi Presidenti Nishani nder te tjera në intervistën e dhënë te premten në Top Channel./a.s/f.n/

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet në Dubai Elson Reçi, organizator i atentatit ndaj Preng Gjinit