Reforma në Drejtësi, Opozita thyen
bojkotin,i vë kushte mazhorancës
 

Reforma në Drejtësi, Opozita thyen<br />bojkotin,i vë kushte mazhorancës<br /> 
TIRANË - Opozita ka thyer bojkotin e komisionit parlamentar për reformën në sistemin e drejtësisë. Në tryezën e organizuar dje nga komisioni i posaçëm parlamentar me temë “Drejtësi Miqësore për Fëmijët”, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike, anëtarët e komisionit, Arben Ristani dhe Eduard Halimi, si dhe ish- ministrja e Integrimit, njëkohësisht kryetare e komisionit për Integrimin, Majlinda Bregu. Me pjesëmarrjen e djeshme në tryezë, opozita ka thyer zyrtarisht bojkotin 1 mujor të komisionit, që prej braktisjes së tij në mbledhjen e 30 korrikut, në shenjë proteste për mungesën e tryezave të konsultimit për raportin analitik dhe dokumentin strategjik.
 
Eduart Halimi
Njëkohësisht me thyerjen e bojkotit, opozita ka paralajmëruar mazhorancën se pjesëmarrja e mëtejshme e përfaqësuesve të saj në komisionin e posaçëm për reformën në drejtësi, do të varet nga qasja që shumica do tregojë ndaj draftit të PD. Nënkryetari i komisionit të reformës në drejtësi, Eduart Halimi u shpreh dje për mediat se platforma e opozitës do të jetë gati javën e ardhshme. “Nëse maxhoranca do t’i marrë në konsideratë, ne do të vazhdojmë të jemi pjesë e reformës në drejtësi dhe do të japim impaktin konkret. E rëndësishme është që duhet të bëjmë qartë që opozita nuk mund të jetë fasadë e maxhorancës. Pikërisht kjo platformë konkrete do t'i paraqitet javën e ardhshme nga PD, ekspertët e propozuar dhe më pas, pasi të marrë dhe diskutimet në grupin parlamentar të paraqitet në emër të PD-së publikut dhe komisionit të posaçëm parlamentar”, u shpreh Halimi.
 
Rama
Kryeministri Edi Rama insiston sërish se reforma në drejtësi do të jetë produkt i ekspertëve të njohur vendas dhe të huaj, duke përjashtuar politikën nga çdo ndërhyrje. Sipas kreut të qeverisë, dakordësinë për draftin final do ta japë Komisioni i Venecias, i cili do të japë “Ok”-in më pas, për ta votuar në Kuvend. “Është një reformë që ia kam lënë ekspertëve, nuk është një reformë që po e bën politika. Ne kemi pranuar që të ngrihet grupi më i madh dhe më gjithëpërfshirës i ekspertëve, shqiptarë dhe ndërkombëtarë, misioni i EURALIUS, misioni i OPDAT-it, Këshilli i Europës, kemi pranuar po ashtu që Komisioni i Venecias të jetë filtri përfundimtar. Jemi zotuar që çfarë produkti do të na sjellë reforma, pasi Komisioni i Venecias të ketë dhënë dritën jeshile, ne ta votojmë”, u shpreh Rama gjatë konferencës për shtyp dje.
 
 
 
“Me pjesëmarrjen e djeshme në tryezë, opozita ka thyer zyrtarisht bojkotin 1 mujor të komisionit, që prej braktisjes së tij në mbledhjen e 30 korrikut”
 
Opozita
“Partia Demokratike do të kushtëzojë bashkëpunimin e mëtejshëm për reformën në drejtësi, me marrjen në shqyrtim të draftit të saj. Sipas nënkryetarit të komisionit, Halimi, platforma e opozitës do të jetë gati javën tjetër”
 
Mazhoranca
“Për mazhorancën, reforma në drejtësi është në dorë të ekspertëve dhe jo të politikës. kryeministri Edi Rama tha dje se për të po punon një trup ekspertësh ndërkombëtarë dhe “ok”-in për reformën do ta japë Venecia”
 
Shkrimi u publikua sot (01.09.2015) në Shqiptarja.com, versioni print
 
Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Debati në ‘Frontline’/ Baçi: Rama përdor drejtësinë për të goditur PD! I kthehet Lita: Gjyqtarët që dënuan Salianjin iu dhanë vulën

Debati në ‘Frontline’/ Baçi: Rama përdor drejtësinë për të goditur PD! I kthehet Lita: Gjyqtarët që dënuan Salianjin iu dhanë vulën